Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka zhvilluar një takim me prokuroren speciale të USKOK, Tamar Laptosh, që pritet të japë eksperiencën e saj në institucionet e reja të drejtësisë.
Takimi mes Ibrahimit dhe Laptosh u mbajt me dyer të mbyllura, ndërsa kjo e fundit tregoi se sa e rëndësishme është që të përzgjedhurit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të kenë besueshmëri të lartë, si dhe të ketë koordinim e vullnet mes Gjykatës kundër Korrupsionit dhe SPAK-ut.
Kreu i KLP-së u shpreh se SPAK duhet të ngrihet sipas standardeve ndërkombëtare, kurse prokurorja Laptosh theksoi se SPAK duhet të jetë themeli i paanshmërisë e integritetit.
Laptosh do të qëndrojë dy vjet në Shqipëri. Ajo hetoi dhe dërgoi në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader dhe ish-zv/kryeministrin.
12 prokurorë kanë aplikuar deri më tani për në SPAK, ndërsa prokuroria e posaçme duhet të ketë 15 prokurorë.