Sot do të mbahet mbledhja e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase në Pogradec. Mbledhja në fjalë ishte parashikuar të mbahej në vjeshtë të këtij viti, por u shty për ditën e sotme.
Kjo mbledhje e përbashkët, vjen pas mbledhjes që qeveria shqiptare organizoi me atë të Kosovës. Nga ana tjetër, qeveria maqedonase ka mbajtur një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Bullgarisë.
AGJENDA
Dy kabinetet qeveritare do të takohen në orën 14.30, ndërsa në orën 16.30, kryeministri Rama dhe homologu i tij Zaev do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Mësohet se në fokus të bisedimeve do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumenta të rëndësishëm, përfshi plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.
Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave.
Në datën 16, Kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, ku do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për studentët e një shkolle lokale.