Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Mijëra qytetarë të besimit mysliman falën mëngjesin e kësaj të shtune Kurban Bajramin në sheshin “Skëndërbej”. Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, një thirrje kishte për të rinjtë që të mos e braktisin vendin.
“Mirëmëngjesi! Gëzuar e për shumë vite festen e Kurban Bajramit kushdo qe e feston! Vetëm te mira paçi gjithmonë bashkë me njerëzit e tu të zemrës! Kjo ditë është dita kur duhet të jemi të njerëzishëm me njëri-tjetrin. Njeriu është vepër madhështore e Allahut, dhe mjerë për atë që e çmon nderin e tij.
Zbutni zemrat me njëri-tjetrin, ruani veten nga ligësitë dhe padrejtësitë, mos u bëni lakmitarë. Kam një apel për rininë: Pajisuni me moral të bukur, kthejini sytë nga Zoti. Rrini larg tundimeve të kota. Mos ikni nga vendi, projektojeni të ardhmen këtu, në vendin tuaj”, tha kreu i KMSH.
Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.
Kurban Bajrami është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, tjetri është Fitër Bajrami. Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij ishte pranuar tashmë.
Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Ndryshe është njohur edhe si Bajram i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij Bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë.