“Solle në shtëpi bijën e armikut të popullit o Nevruz Muçelli”, lëshoi britmën krushku, i afërm komunist i dhëndrit… Kur u dëgjuan këto fjalë, burra e gra braktisën menjëherë dasmën dhe oborri mbeti bosh… Më priti vetëm vjehrra dhe Qamileja… kënga për mua ishte ndryshe…”
Nga Luljeta Progni/ Ishte pranverë në vitin 1952. Ferdaneja ishte veshur nuse e po priste në pragun e shtëpisë dikë që ta shtynte të ecte një hap më tej… Pikërisht atë çast, i duhej më shumë se kurrë prania e babait. Por, i ati, Dajlan Zaimaj nuk mund të ishte aty sepse kishte tri vite që kishte ndërruar jetë në burgun e Burrelit… Ferdaneja priste që dikush të vinte në vend të të atit e ta ndihmonte për t’u ngjitur në mushkë. Zakoni e donte që babai e ndihmonte të bijën nuse të ngjitej në mushkë, për t’u nisur drejt shtëpisë së dhëndrrit. E në mungesë të babait, radha i takonte xhaxhait, Zaimit. Pikërisht këtu, nis e vështirësohet dita e dasmës së Ferdanesë. Xhaxhai i saj ishte njeriu më i padëshiruar pas të atit, që kishte vdekur në burgun e Burrelit, si armik i popullit.
I vëllai i Dajlanit, Zaim Zaimaj shihej gjithashtu si një armik i popullit. Bashkëshorti i Ferdanesë, Nevruzi ishte nga një familje që i kishte punët mirë me pushtetin popullor, ishte familje me “biografi të mirë”. Kishte zgjedhur të lidhte jetën në martesë, me të bijën e Dajlan Zaimit, edhe pse ai dhe familja e tij ishin aq të padëshiruar për pushtetin. Nevruzi dhe familja e tij e ngushtë nuk e kishin menduar se shpejt do të kishte kaq shumë probleme, madje qysh ditën e dasmës. Të afërmit e Nevruzit që ishin zgjedhur atë ditë krushq për të marrë nusen e tij, Ferdanenë, refuzuan të takohen me xhaxhain e nuses Zaimin, që konsiderohej “armik i popullit” dhe më tej refuzuan që Zaimi të ishte në vend të babait të nuses për ta ndihmuar atë të ngjitej në mushkë, siç e donte zakoni.
Nusja e “ngrirë”
Ndërsa krushqit e dy palëve po debatonin për një zgjidhje, nusja mbeti e ngrirë në këmbë, për më shumë se dy orë. Ferdaneja ishte vajze e re, vetëm 17 vjeç dhe as që po e kuptonte se çfarë po ndodhte, veçse ishte shumë e frikësuar. Dy palët e krushqve po vazhdonin debatet se kush të vinte ta ndihmonte nusen të ngjitej në mushkë… madje, po debatohej a duhet ta merrnin atë nuse atë ditë, apo duhej prishur miqësia.
“Unë nuk e dija ku duhet të shkoja, të kthehesha mbrapsht në shtëpinë e nënës… apo të vazhdoja të qëndroja. Isha e frikësuar, qaja e dridhesha si purtekë… Më kujtohej herë pas here babai. Më kujtohej ajo natë kur iku mes rrebeshit e kurrë nuk e pashë më… e tani që isha rritur, isha veshur nuse e nuk ishte aty për të më përcjellë…”, rrëfen Ferdaneja mes lotësh.
Kur xhaxhai i Ferdanesë i kërkoi dhëndrit vendimin final, i vëllai i dhëndrit, Kamber Muçelli që ishte vetëm 15 vjeç, doli përballë të gjithëve dhe tha: ”Do ta marrim nusen! Unë do ta ndihmoj atë të ngjitet në mushkë!” Tre vëllezërit e kishin marrë bashkë vendimin.
Kështu u mbyll debati dhe krushqit që shoqëronin dhëndrin, nuk patën asnjë zgjidhje tjetër, veçse ta pranojnë vendimin e vëllezërve Muçelli. Nusja dhe krushqit u nisën nga Sevrani, dhe për rreth dy orë, udhëtuan nëpër male për të mbërritur në Kreshovë. Gjatë rrugës, krushqit, të afërm të dhëndrit, ia kujtuan disa herë Nevruzit se po merrte në shtëpi “armikun e popullit” e telashet për të nuk do të kishin të sosur.
“Po e çon gjarprin në shtëpi…” i thoshin krushqit tim shoqi, e ai as një zë nuk lëshonte. Bashkë me dy vëllezërit e tij, ecnin njëri pas tjetrit pa këmbyer asnjë fjalë… Nuk e di se si po qëndroja. Gjithçka më shkonte në mendje… Prisja nga çasti në çast, që të ndalnin hapin e të më kthenin në shtëpinë e nënës”, rrëfen Ferdaneja.
Nevruzi me vëllezërit e tij më të vegjël, nuk këmbyen asnjë fjalë me të afërmit e tyre krushq, që kishin qëlluar të ishin ndër ata komunistë të devotshëm për të shtypur “armikun e klasës”.
Te Ara e Kuqe
Ishte vendi ku udhëtarët pushonin zakonisht. Aty ishte kufiri që ndante fshatin Sevran nga ku vinte nusja, me fshatin Kreshovë, ku do të shkonte nuse Ferdaneja. Aty u ndal krushku i parë dhe u ul në një gur. Pas tij, edhe të tjerët. Aty ndali edhe mushka. Ishte shansi i fundit për krushkun e parë, që të ndalte dasmën.
“U ulën të gjithë për të pushuar, ndërsa unë kisha mbetur në mushkë… nuk po vinte askush të më zbriste… imshoq më shihte më bisht të syrit, kur pas pak çastesh erdhi kunati e më ndihmoi të zbrisja. U ula diku edhe unë e po pushoja. Aty pata frikë se nuk do më ngjisnin prapë në mushkë… erdhi një çast kur mendova, të bëhet ç’të bëhet. Si të jetë e shkruar do bëhet… Pasi pushuam pak, unë u ngjita në mushkë me ndihmën e kunatit dhe nisëm rrugën përsëri. Aty kuptova se nuk kisha më kthim pas”, rrëfen Ferdaneja.
Krushqit me nusen vazhduan rrugën, derisa mbërritën në Kreshovë. Në të hyrë të portës së shtëpisë së dhëndrit, krushqit do të duhej të thoshin fjalë gëzimi për nusen e re që po shkelte pragun. Por krushku që e kishte shoqëruar gjatë rrugës, lëshoi britmën: “Solle në shtëpi bijën e armikut të popullit, o Nevruz Muçelli”. I pari i krushqve lëshoi disa fjalë fyese për familjen e nuses së re, për t’i vënë në dijeni dasmorët se kjo dasmë duhet të prishej. Kur u dëgjuan këto fjalë, në oborr nuk mbeti asnjë dasmor. Burra e gra braktisën menjëherë dasmën dhe oborri mbeti bosh. Atje mbeti nusja, dhëndri, dy vëllezërit e dhëndrit, e ëma e dhëndrit, Hetemja dhe Muço Maksuti, i afërm i Dajlan Zaimit që kishte bërë krushqinë mes dy familjeve. Në krah të Hetemes, ishte edhe një grua e moshuar. E kishte emrin Qamile dhe ishte e afërme e familjes, banore në Kreshovë… e vetmja prej grave të fshatit që nuk e braktisi dasmën. Dy gratë e moshuara kënduan këngët tradicionale për rastin kur nusja shkel në prag të derës.
“Ime vjehrrë, Hetemja ishte një grua shumë e mirë. Bashkë me Qamilenë, një grua shumë e fisme e afërme e burrit tim, nisën të këndojnë këngën e nuses. Po këndonin si me zor se ishin vetëm dy gra. Në raste të tilla, kur vinte nusja në shtëpinë e dhëndrit, të gjitha gratë e fshatit ia merrnin këngës e dukej një hare e madhe. Ishte ndryshe kënga për mua… Lotët po më rridhnin rrëke krejt pa e kuptuar. Më kujtohej edhe babai, kishte vetëm tri vjet që kishte vdekur. Eh moj bijë, nuk e harroj kurrë atë ditë…”, rrëfen Ferdaneja.
Burrat e shtëpisë qëndruan në heshtje… e vjehrra bëri të gjitha ritet e zakonet. Mori nusen përdore, i leu gishtat me mjaltë dhe ngadalë hyri në pragun e derës, mori dorën e nuses dhe e ngjiti mjaltin në derën e shtëpisë, që supozohej të sillte ëmbëlsi, gaz e hare në derën e birit të saj.
Ferdaneja ngjiti shkallët drejt dhomës që i kishte bërë gati e vjehrra, duke lënë pas heshtjen që kishte pllakosur në odat ku ishte shtruar gostia e ku nuk kishte asnjë njeri. Në shtëpi, kishin mbetur vetëm pak njerëz. Dhëndri, dy kunetërit, e vjehrra dhe kushëriri i nuses, Muço Maksuti. Për rreth dy orë, ata katër burra që mbetën në odat e boshatisura të gostisë, diskutuan se çfarë zgjidhje do t’i jepnin kësaj situate e se si do t’i bënin ballë sulmeve të krejt fisit e thuajse gjithë fshatit, që po refuzonte të merrej për nuse e bija e “armikut të popullit”. Ndërkohë, Ferdaneja qëndronte në dhomën e saj, bashkë me Qamilen që i jepte kurajo që të mos trembej e të mos mërzitej, se gjërat do të shkonin shumë mirë. Por Ferdaneja ishte shumë e trembur dhe e mërzitur, sepse kishte parë një fshat të tërë të ikte nga sytë këmbët, a thua se ajo ishte një përbindësh…
“Të harrosh nënën”
Ferdaneja nuk e kishte njohur më parë të shoqin Nevruzin e as kunetërit e saj, por e vetmja gjë e rëndësishme e asaj dite që ia kishte ngrohur shpirtin, ishte vendosmëria e Nevruzit e vëllezërve të tij për ta marrë nusen, bijën e Dajlanit, pavarësisht se çdo të ndodhte me fisin e fshatin e tyre, pavarësisht se cilat do të ishin pasojat që do t’i vinin nga pushteti popullor. Kështu u mbyll dita e dasmës së Ferdanesë dhe Nevruzit, pa këngë e valle, pa gaz e hare.
Pak ditë pas dasmës, zakoni e donte që nusja të dërgohej në të parë tek e ëma. Por, për Ferdanenë ishte e pamundur, sepse Këshilli i fshatit do ta vendoste atë në një dilemë shumë të fortë. Do t’i duhej të zgjidhte midis nënës dhe të derës së burrit. I thanë se nëse do të qëndronte nuse në fshatin e tyre, duhet të harronte derën e babait, sepse ata ishin “armiq të popullit”. Ferdaneja do të duhej ta bënte në atë çast zgjedhjen. Ishte vetëm 17 vjeç, e rritur jetime në varfëri, sepse pushteti i kishte konfiskuar çdo pasuri të babait, e rritur mes sulmesh të egra. Kishte ardhur në derën e Nevruzit mes shumë debatesh dhe atje kishte gjetur mbështetje kaq të fortë nga e vjehrra Hetemja, bashkëshorti e kunetërit e saj. Kështu Ferdaneja vendosi të zgjedhë derën e burrit, duke pranuar të mos e shihte të ëmën e saj, për më shumë se tri vite.
“Nuk kisha si të harroja atë moment kur im shoq u përball me të gjithë fisin e tij e me të gjithë fshatin dhe vendosi që të më marrë nuse në shtëpi, duke marrë parasysh gjithçka, shumë vështirësi. Qëndrova të burri e nuk pashë nënën për tri vite me sy. Më zinte malli shumë… Gjeta halle e varfëri në derën e tim shoqi, por jetuam në mirëkuptim bashkë me time vjehrrë, që u bë si mama për mua, qysh ditën e parë që shkela në atë derë”, rrëfen Ferdaneja.
Ferdaneja dhe Nevruz Muçelli jetuan mes varfërisë dhe sulmeve të pandara të “pushtetit popullor”. Ferdaneja pati një jetë shumë të vështirë, pasi i shoqi e la të ve në moshë të re. Rriti katër fëmijët me mundime, bashkë me të vjehrrën Hetemen, me të cilën ndau halle e derte si të ishte e ëma. Ajo ishte përballur me humbjen e të atit kur ishte ende fëmijë, me sulmet e egra si bijë e armikut të popullit, e do përballej më pas edhe me largimin nga kjo botë të dy djemve.
Ferdaneja është sot 84 vjeçe dhe jeta e saj ka qenë kaq e vështirë, por ajo është një grua e fortë e fisnike. E takova në përvjetorin e vdekjes së të atit, Dajlan Zaimaj. Atje ma rrëfeu ditën e dasmës, më rrëfeu vuajtjet e jetës së saj, të vëllait Gramozi e dy motrave Liri e Sado. Bashkë me të vëllanë Gramozin, me fëmijët e tyre, të Lirisë e Sados, me nipër e mbesa, ata u mblodhën në Burrel, për ta kujtuar babain që humbi jetën mes torturash në burgun famëkeq të Burrelit, në 2 qershor të vitit 1949. Gramozi e Ferdaneja janë dy prej katër fëmijëve të Dajlanit. Dy vajzat e tjera, Liria dhe Sado, kanë ndërruar jetë.
Në një ceremoni modeste, por mjaft shpirtërore, Gramozi dhe Ferdaneja, vendosën një kurore me lule në një qoshe afër shpatit të malit, në krah të burgut famëkeq të Burrelit, atje ku ndoshta janë eshtrat e babait të tyre, bashkë me dhjetëra burra e djem, që vdiqën nëpër tortura e u varrosën në shpatet e maleve të Burrelit.
***
Dajlan Zaimaj, ishte një ndër kundërshtarët e regjimit komunist që u arrestua në 12 dhjetor të vitit 1944. Në atë kohë, Ferdaneja ishte vetëm 9 vjeç, Gramozi ishte 5 vjeç, vajza tjetër Sado ishte 3 vjeç, ndërsa e vogla Liria, ishte vetëm një vjeç. Liria nuk e njohu kurrë babanë e saj. Dajlan Zaimaj u dënua fillimisht me 101 vite burg. Me faljet e dy viteve më pas, dënimi iu ul në 25 vjet burg. Ai e vuajti dënimin në burgun e Burrelit, bashkë me shumë të tjerë djem e burra të familjeve antikomuniste. Pas shumë toruturash në qelitë e atij burgu, dha shpirt më 2 qershor të vitit 1949, pasi kishte kryer rreth pesë vite burg. Trupi i tij nuk iu dorëzua familjes, ashtu siç ndodhi me të tjerë të burgosur politik që vdiqën në qelitë e burgjeve komuniste. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur. Biri i tij Gramozi dhe e bija Ferdaneja e nipër e mbesa, nuk kërkojnë të dinë kush e torturoi atë ditë e kush e çoi drejt vdekjes, duan të dinë vetëm varrin e tij, ku ta qajnë e t’i çojnë lule çdo 2 qershor.(Kujto.al)