Ish-kreu i LSI-së, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me banorët e Skraparit. Ai shoqërohej nga kandidatët për deputetë të LSI-së në qarkun e Beratit.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve të Skraparit, Meta tha se lidhja e tij me qytetarët do të vazhdojë, ndërsa shtoi se nëpërmjet bashkëpunimit do të bëhet e mundur që Skrapari të zhvillohet dhe të ketë një mirëqenie më të mirë për banorët e Skraparit.
“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për t’i dhënë Skraparit gjithçka që i ka munguar deri tani dhe jam i sigurt se me kontributin tuaj, me angazhimin tuaj do të bëjmë gjithçka që Skrapari të lulëzojë dhe të lulëzojë e ardhmja e familjeve dhe në mënyrë të veçantë e fëmijëve tuaj sepse kjo është më e rëndësishmja për çdo prind”, u shpreh Meta.
Nasip Naço, kryesues i listës së politikanëve për deputet të LSI-së në qarkun e Beratit, tha se LSI është forca politike që do u japë një shans të gjithëve, si dhe theksoi se LSI do të dalë forcë e parë politike.
“Jemi avangardë e LSI në qarkun e Beratit dhe i mbijetuar mjaft sfidave dhe sot jemi për të dhënë një shans për të gjithë. Ne dimë ta marrim pushtetin por edhe dimë ta miradministrojmë atë. Do të jemi forcë e parë dhe të tillë do të qeverisim Shqipërinë. Ky është viti i LSI-së”, u shpreh z. Naço.