Analisti Lorenc Vangjeli deklaro se për skandalin te Unaza e Re bëhet fjalë për dy personazhe. Në emisionin “Java” në RTSH, që bashkëdrejton me analistin Preç Zogaj, Vangjeli deklaroi ka siguruar dokumente tepër të rëndësishme.
Në dokumente shkruhet se në Shqipëri është i riu Avdjol Dobi drejtues, ndërkohë që bashkëpronar është emri i Neesha Lynn Kumar, me gjasë rezident në ishujt Seishell, një nga parajsat fiskale më të njohura në botë. “Nëse klikoni me këtë emër në Google, do të shfaqen të dhëna interesante” – bëri të ditur në emision analisti Lorenc Vangjeli.
Ndërkohë, duke bërë një panoramë, analisti Preç Zogaj tha se “Shqipëria i ka dhënë 18 milionë eurove recepsionistit të një spitali privat në Tiranë”.
“Unë nuk e di si do të shkonte fati i këtyre 18 milionë eurove dhe vetë projektit të Unazës së Re nëse një koleg, Ylli Rakipi, nuk do të binte në gjurmë të këtij skandali. Padyshim që ky krim shkon përtej këtij recepsionistit. Bëhet fjalë për një organizim për të grabitur paratë e popullit shqiptar. Jo vetëm Loti Nr.1, por edhe dy lotet e tjerë dyshohet se janë me virus” – tha Zogaj.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë është që të rifillojë gjithçka nga e para.
“Unë i bëj apel kryeministrit që të nisë nga e para, duke filluar nga detyra e projektimit, për të vazhduar me pas me garën e hapur dhe oponencën e kostove. Nëse kjo nis nga e para, kostoja do të dalë shumë më e ulët dhe transparenca do të jetë maksimale. Ka shumë inxhinierë që po bërtasin me të madhe kundër këtij projekti prej disa kohësh” – deklaroi Preç Zogaj.