Kryeministri Rama ka rikthyer kompaninë amerikane “Lockheed Martin” për të dhënë ndihmesën e saj në sistemin e monitorimit të hapësirës ajrore, përmes një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe vetë kompanisë.
Tashmë kjo kompani do të ofrojë ndihmesën e saj në monitorimin e hapësirës ajrore ndryshe nga marrëveshja e mëparshme që lidhej me atë detare. Por, që në 2013 Kodheli do ta përjashtonte atë nga gara e asistencës shtesë në monitorimin e hapësirës detare.
Lënia e kompanisë jashtë gare krijoi precedentin e mëvonshëm të skandalit të radarëve të cilët rezultuan jashtë funksionit për 1 vit rresht, kur ndërkohë kryhej trafiku i drogës midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky skandal kulmoi kur në përgjimet e antimafies italiane përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Ndërkaq ditën e sotme Këshilli i Ministrave ka miratuar kontratën midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë amerikane “Lockheed Martin Global, Incorporated” për blerjen te kjo kompani të sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore FAZA1.
Ndërkohë kujtojmë se marrëveshja fillestare me kompaninë amerikane është nënshkruar në Tiranë më 15 mars të vitit 2005, kur kryeministër ishte Sali Berisha.
Kontrata e Berishës me “Lockheed Martin”
Në mbështetje të “Marrëveshjes” ndërmjet Qeverisë së RSH dhe korporatës Amerikane “Lockheed Martin…” për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare”, miratuar me ligjin nr. 9384, datë 4.5.2005, Këshilli i Ministrave me VKM Nr. 133, datë 22.03.2006 për “Lejimin e MM të përdorë procedurë të veçantë prokurimi me korporatën amerikane “Lockheed Martin…”, për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, – pika 1 e cilëson SIVHD-në si një “Vepër e veçantë e Mbrojtjes dhe e Sigurisë Kombëtare”. Në vijimësi të procedurave kontraktuale sipas VKM Nr. 538, datë 02.08.2006, për “Miratimin në parim të kontratës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe kësaj korporate , për ndërtimin e SIVHD-së, – tek kapitulli “kushtet e kontratës dhe shtojcat” pika 16. Garancia shkruhet: (h) – Mbështetja pas Garancisë: – Furnizuesi pranon të ofrojë Shërbime Ndihmëse për Pjesë Rezervë për një periudhë kohe deri në dhjetë (10) vjet pas përmbushjes së kontratës së Periudhës se Garancisë; pika 17. Informacioni konfidencial: – Secila palë duhet të mbajë të fshehtë ose në të kundërt nuk duhet të përdorë ose të bëjë publike tek asnjë palë e tretë, pa lejim paraprak me shkrim nga pala tjetër, të dhëna ose informacion të palës tjetër që përcaktohen si “Në Pronësi” ose “I fshehtë”; pika 31. E drejta e njohurisë: (a) – Furnizuesi gjatë gjithë kohës do të ketë dhe ruajë të drejtën për pronësi të plotë për të gjithë të drejtën e njohurisë, përfshi shenjat dalluese, të drejtën e autorit (përfshi softëare), të drejtat e patentës, e sekretit të mjeshtërisë, përfshirë çdo të drejtë njohurie që ekziston gjatë kohës së kësaj kontrate si dhe çdo e drejtë njohurie që zhvillohet gjatë përmbushjes së kësaj kontrate. Furnizuesi do t’i garantojë Blerësit licencën e kufizuar jo ekskluzive, për të përdorur të drejtën e njohurisë, siç do të kërkohet për punën me SIVHD që lëvrohen sipas kësaj kontrate. Kjo licencë është e patransferueshme dhe Blerësi nuk do t’i japë ‘ndonjë të drejtë të tillë njohurie ndonjë pale të tretë, pa pëlqimin paraprak me shkrim të Furnizuesit. Furnizuesi gjithashtu do t’i japë Blerësit licencën e MTM 200 të Furnizuesit dhe softuerë të tjerë tregtarë.
Si e nxori nga gara Kodheli kompaninë amerikane
Pikërisht kjo pjesë e kontratës, bëri që Kodheli të kryejë një procedurë prokurimi në nivel të “Kufizuar – sekrete”, për të mos i dhënë asnjë mundësi firmës amerikane “Lockheed Martin…” që të marrë pjesë në tender nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Shqipëri. Realizimi i procedurës së prokurimit “Të Kufizuar”, në kundërshtim me vetë “zotimit” fillestar të punës si Ministre për të realizuar një procedurë prokurimi “të hapur” si edhe të rekomandimeve të KLSH dhe jo vetëm!, është kryer për të mbajtur të fshehur “sekret” të gjitha shkeljet flagrante të detyrimeve që MM kishte ndaj firmës amerikane, sikurse të realizonte rritjen me 5 (pesë) herë të kostove financiare të mirëmbajtjes së sistemit nëpërmjet “partnerit shqiptar të parasë” si edhe përmbylljen në fshehtësi të plotë të aferës më të madhe korruptive në Forcat e Armatosura.
Ministria Kodheli jo vetëm që nuk i bëri asnjë ftesë firmës amerikane për mirëmbajtjen afatgjatë të sistemit, referuar avantazheve absolute financiare, teknike, trajnuese, modernizuese dhe të sigurisë, të parashtruara në kontratën e realizimit të ndërtimit të sistemit (kujtojmë që marrja e ofertës për mirëmbajtjen afatgjatë – pesë vjeçare – të softit qendror menaxhues të sistemit MTM200 ishte realizuar në shkurt 2013 nga Ish-Ministri Imami) por ajo personalisht bllokoi përfundimisht me vetëdije të plotë në vitin 2014 edhe lidhjen e kontratës për mirëmbajtjen e softit MTM200 me firmën amerikane sepse nuk donte asnjë kontakt me firmën amerikane, e cila nëpërmjet menaxhimit të softit qendror të sistemit (që faktikisht mbulon ¾ e kostove për mirëmbajtjen e gjithë sistemit) do të zbulonte aferat korruptive marramendëse financiare për pjesë tjetër të mirëmbajtjes së sistemit me partnerin “strategjik-financiar” shqiptar. MM, pas marrjes në dorëzim të sistemit të SIVHD-së në mars 2009 dhe periudhës së garancisë një vjeçare, ka vazhduar bashkëpunimin me korporatën amerikane gjatë 2010, duke mundësuar lidhjen e një kontrate shërbimi mirëmbajtje të SIVHD-së deri në dhjetor 2010 nëpërmjet një amendamenti shtesë në kontratën bazë – referuar ofertës të dorëzuar në shumën 250 000 USD, nga ku ishin planifikuar rreth 70 460 USD blerje pjesë rezervë për sistemin, pra kontratë shërbimi mirëmbajtje që përfshinte përveç mirëmbajtjes totale së sistemit (pjesët “softëare dhe hardëare të tij) edhe trainimin e stafit teknik të sistemit të SIVHD-së.
Ish-shefi i Shtabit: Përjashtimi i gjigantit amerikan cenoi sigurinë kombëtare
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, denoncoi 1 muaj më parë se përjashtimi i gjigantit të teknologjisë globale amerikane Lockheed Martin, në mirëmbajtjen e sistemit të radarëve cenoi rëndë Sigurinë Kombëtarë dhe ktheu detin Adriatik në autostradë të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë.
“Sistemi i radarëve ka pasur defektin të dy radarëve gjatë vitit 2012. Deri në muajin maj të vitit 2013 kanë qenë në gjendje pune operacionale pjesërisht katër radarë, por sistemi nuk ka qenë kurrë jashtë funksionit “operacional”, pasi funksiononin nënsisteme dhe mjete të tjera evidentimi-zbulimi të hapësirës detare shqiptare. Anulimi skandaloz, antiligjor dhe korruptiv i procedurës së prokuruar dhe miratuar nga ish-ministri Mbrojtjes, prokuruar më 11.06.2013 dhe shpallur fitues firma “R&T” Sh.p.k me fondin financiar 56 669 192 lekë pa TVSH (pra fond më pak në vlerë, se fondi i “rilindjes”), personalisht nga Ministria e re në detyrë por e “kalitur për normën 20% të fitimit“ në Bashkinë e Tiranës Znj. Mimi Kodheli, sipas Urdhrit Nr.1861, datë 01.10.2013, me argumentimin (përsëri mashtrues), për “mungesë të fondit limit“ vërtetojnë përsëri sot përzgjedhjen klienteliste të firmës IDEA TEL sh.p.k., firmën të cilën ne e përjashtuam nga proçedura për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve të aprovuara gjatë garës së tenderit dhe procesit të zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes të sistemit në vitin 2011”, denonconte 1 muaj më parë Gjunkshi.
Përgjatë këtij viti Policia e Kufirit ngriti alarmin se disa nga operacionet ndërkombëtare antidrogë me intinerar Shqipëri-Itali kanë dështuar pasi qendra e monitorimit detarë me bazë në Durrës nuk ka njoftuar në kohë reale. Kur qendra e monitorimit ka njoftuar ka dhënë koordinata të gabuara për mjetet lundruese të përdorura nga trafikantët.Sipas shqetësimeve që ngriti policia e kufirit, nëpërmjet kryepolicit Haki Çakos, shkak është reagimi i vonë i QNOD dhe disa herë mos gjetja e gjurmëve në serverin e radarëve për monitorimet e bëra. Madje edhe një vit më parë është folur për një shqetësim të tillë, për mosfunksionimin e radarëve, ndërsa asokohe ministria e Mbrojtjes deklaroi se i gjithë sistemi u riparua dhe ishte funksional për monitorimin e vijës bregdetare shqiptare.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga Çako, ndërsa deklaroi se radarët janë në funksion 24 orë në 7 ditë. Sipas Mbrojtjes, sistemi i instaluar në 2009 është plotësisht në funksion, ndërsa pretendimet i cilëson si dashakeqëse dhe të pavërteta.
Ndërsa nga përgjimet që pala italiane ka mbledhur në një dosje të çështjes së Habilajve, dhe e ka sjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është një frazë që dikush thotë: ““Një mik na ndihmon në radarët e Durrësit!”.
Biseda zhvillohet mes Moisi Habilajt dhe njërit nga anëtarët e grupit, po që është shtetas italian. Madje Habilaj, duke dashur t`i shpjegojë italianit se kishin mik shumë të fortë te salla, (bëhet fjalë për “Sallën e Radarëve” që gjendet në rrugën e vjetër, në afërsi të Plepave në Durrës).
Është pikërisht rasti i kalimit të peshkarexhës me rreth 1 ton drogë ndërsa mjeti më pas u kap në brigjet italiane meqë ishte monitoruar nga agjentët e Guardia di Financës.
Sistemi i radarëve
Sipas të dhënave mbi sistemin e radarëve, mësohet se ky sistem është sjellë në Shqipëri në vitin 2008 nga kompania prestigjioze “Lockheed Martin”, e konsideruar si një prej kompanive më të madha për mallrat ushtarakë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë.Kjo ndodhi në kohën kur Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Sipas të dhënave të ekspertëve theksohet se për rreth 5 vite shteti shqiptar, kryesisht mbrojtja, ka investuar shumë në këtë sistem, pasi ishin të vendosur kushtet e përcaktuara nga NATO që lidhej me mbi 2 për qind e buxhetit të shtetit. TIRANA TODAY