Akademiku Taulant Muka dhe studenti i Sapienza-s, Vladimir Kola, kanë denoncuar një tjetër rast plagjiature. Ata janë ndalur në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Pas një monitorimi, ata denoncojnë se punimet e Kseanela Sotirofskit, rektore e këtij universiteti, Mith’hat Memës, ish-rektor i Durrësit dhe Ulpian Hoti, ish-kancelar i universitetit, janë thuajse 100% të kopjuara.
Ish-zv.ministri i Arsimit shkruan më tej në postimin e tij në Facebook, se autorët shqiptarë nuk e kanë cituar artikullin e shkruar nga studiuesi i huaj. Po kështu, as nuk e kanë vendosur te “literatura” e konsultuar.
Pra, sikur të mos e kishin lexuar fare si artikull. Artikulli i vitit 2011 është kopjuar pothuajse tërësisht nga artikulli i vitit 2001. “Që të jemi me konkretë, teksti i artikullit të vitit 2011 është kopjuar në tërësinë tij, me përjashtim të një pjese të “ABSTRACT”. Gjithashtu, duke qenë se artikulli i vitit 2001 është pak më i gjatë, ca rreshta të tij nuk gjenden në artikullin e vitit 2011 të kopjuar prej studiuesve shqiptarë”, nënvizon Muka.