Derbi i kryeqytetit u shënua dje nga akte dhune.
Por, më e rënda ndodhi me koreografinë e tifozëve të Tiranës.
Ata hapën një baner të madh, duke paraqitur dy partizanë të varur.
Një baner ky, që është konsideruar si fashist nga zv.kryeministri Erjon Braçe.
Dhe, përtej tifozllikut, në këtë rast ka të drejtë.
Ai baner përbën një skandal, dhe diskush duhet të ndëshkohet për të, jo vetëm klubi i Tiranës, por dhe tifozët që e publikuan atë.
Ndoshta tifozët e Tiranës kanë qejë ta identifikojnë ekipin e Partizanit me komunistët, por duhet të kuptojnë, që partizanët jo domosdoshmërisht identifikohen me komunizmin.
Ata bënë një luftë kundër pushtuesve nazistë dhe fashistë, që e rreshtoi Shqipërinë krah bllokut fitues.
Ndaj, meritojnë vetëm respekt.
Nëse lufta e tyre pastaj u shfrytëzua nga komunistët, ky është një diskutim tjetër.
Por, nuk mund të lejohet që disa halabakë të tallen me gjakun e tyre.
Tifozët e Partizanit ndërkohë, “Ultrasit Guerril”, kanë reaguar ashpër pas këtij skandali, para të cilit FSHF për momentin ka heshtur.
“Tifozëria e Partizanit dhe çdo tifoz me mentalitet të mirëfilltë, pa dallim ngjyrash, duhet medoemos të distancohet nga makabriteti që nxit dhunë përtej çdo kufiri të imagjinueshëm sportiv.
Tashmë nuk flitet për mentalitet ultras dhe mentalitet tifozërik, por për një tufë të sëmurësh mendorë, që vetëm i shkaktojnë dëme atmosferës dhe aktivitetit tifozërik ultras në vend.
Së shpejti, përveç idiotizmave huliganeskë, që pretendojnë të bëjnë kundërshtarët tanë, do bëhet publik edhe një gjest me fishekzjarre, që shkon shumë larg, deri në rrezikimin fizik të mbi 1500 vetave në tribunë, mes tyre fëmijë, të moshuar, vajza.
Për këtë gjest organizatorët do të mbajnë përgjegjësi shumë të madhe. Ne nuk jemi promotorë të dhunës e nuk na pëlqejnë të tilla akte, por kur duhet, dimë si të reagojmë pa përdorur mjete të rrezikshme dhe gurë.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje medias dhe portaleve serioze të paraqesin me paanësi ngjarjen, pasi nuk mund të krahasoni dhe të ulni në të njëjtin nivel tifozërinë e Partizanit, që nuk sulmoi askënd, me të sëmurë mendorë, që përcjellin mesazhe dhe veprime, të cilat gjenerojnë urrejtje dhe prçarje.Ultras Guerrils, gjithmonë ultras dhe gjithmonë në mënyrën tonë!” /Tema