E diel, 22 Maj, 2022
12.5 C
Tirana

Sindroma e Havanës: Çfarë ndodhi me diplomatët amerikanë në vendin komunist?

Nga: Nestor T.Carbonell “National Riview”

Departamenti i Shtetit, CIA dhe Pentagoni kanë shtuar përpjekjet e tyre për të hetuar një seri incidentesh shëndetësore, të konsideruara si “sulme me energji të drejtuar”, të cilat kanë dëmtuar diplomatët amerikanë në Kubë, Kinë, Rusi dhe gjetkë.

Tani kemi mësuar se SHBA-ja po heton gjithashtu sulmet e dyshuara në Miami dhe pranë Shtëpisë së Bardhë. Ky mister shumë shqetësues dhe ende i pazgjidhur, me pasoja njerëzore por sidomos për sigurisë kombëtare, po vazhdon prej më shumë se 4 vjetësh.

Sulmet e para ndodhën në nëntorin e vitit 2016 në Kubë. Diplomatët amerikanë dhe oficerët e CIA-s atje,nisën të vuanin nga ajo që u quajt si “Sindroma e Havanës”. Simptoma dobësuese – marramendje të formës së rëndë, lodhje fizike, dhimbje koke dhe humbje e dëgjimit, kujtesës dhe ekuilibrit –  detyruan Uashingtonin të evakuonte viktimat për trajtim të zgjatur spitalor dhe në disa raste t’i nxirrte ata në pension të parakohshëm.

Deri në fundin e vitit 2017, më shumë se 24 pjesëtarë të personelit të ambasadës amerikane në Kubë, kishin shfaqur simptoma të tilla. Administrata Trump riktheu më shumë se gjysmën e stafit të ambasadës dhe anëtarët e familjes së tyre, dhe lëshoi ​​një paralajmërim për amerikanët që shkonin në Havanë.

Në kundërpërgjigje të dështimit të Kubës për të mbrojtur zyrtarët amerikanë në përputhje me Konventën e Vjenës, Departamenti i Shtetit dëboi 15 diplomatë kubanë nga SHBA-ja. Përveç kësaj, nga pranvera e vitit 2017 deri në vitin 2019, më shumë se 14 zyrtarë kanadezë të vendosur në Kubë thuhet se “u goditën” dhe përjetuan simptoma të ngjashme.

Disa prej tyre paditën qeverinë kanadeze për minimizimin dhe keq-trajtimin e sëmundjes misterioze. Ndërkohë,Ministri i Jashtëm i Kubës mohoi çdo dijeni për këto incidente të raportuara shëndetësore. Ai i cilësoi simptomat si “trillime shkencore”, dhe e quajti si “jashtëzakonisht politike”lëvizjen e Uashingtonit.

Teoritë fillestare të asaj që e shkaktoi sëmundjen kishin variante të ndryshme:nga një mjedis stresues, tek një virus, pesticidet toksike apo ekspozimi ndaj valëve akustike apo zanore. Pasi ekzaminuan 21 nga zyrtarët e prekur amerikanë në Kubë, një ekip mjekësor nga Qendra e Universitetit të Pensilvanisë për Lëndime dhe Rigjenerimin e Trurit, i përshkroi simptomat në marsin e vitit 2018 si të “shkaktuara nga një burim i panjohur energjie”.

Drejtori i qendrës, dr.Daugllas H.Smith, deklaroi më vonë se mikrovalët konsideroheshin si shkaku kryesor i simptomave në fjalë, duke shtuar se ekipi i mjekëve ishte gjithnjë e më i sigurt se zyrtarët amerikanë në Kubë, kishin pësuar dëmtime në rrjetet e përhapura të sistemit nervor.

Sipas zbulimeve të vitit 1961-1962 të biologut amerikan Alan H.Frej, rrezet me mikrovalë me intensitet të lartë, mund të prodhojnë ndjesinë e zhurmave të çuditshme të forta që mund të shkaktojnë dëmtime të trurit pa pësuar ndonjë traumë në kokë.

Siç shpjegohet edhe nga ekspertët e inteligjencës, për të nisur një sulm të tillë mjafton një antenë satelitore e montuar në një furgon të vogël, e cila mund t’i drejtojë mikrovalëve aty ky synohet, përmes mureve dhe dritareve, dhe nga disa km larg objektivit.

Pastaj në mesin e vitit 2018, rreth 11 diplomatë amerikanë dhe oficerë sigurie me banim në Kinë, pjesë e konsullatës amerikane në qytetin Guangzhou, u evakuuan pasi kishin shfaqur të njëjtat simptoma që ishin raportuar në Havana.

Sipas oficerëve aktualë por edhe ish-oficerëve të inteligjencës, e dyshuara kryesore pas këtyre sulmeve është Rusia, një kundërshtare e Amerikës, e armatosur me teknologji që përdorin armë të tilla, dhe që nën presidentin Putin është angazhuar në helmime,dëmtime apo neutralizimin e armiqve të saj.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Uashingtoni kishte frikë se Moska po e shndërronte rrezatimin me mikrovalë në një armë të fshehtë, që mund të prodhonte pasoja nervore tek njeriu. Agjencia Amerikane e Inteligjencës së Mbrojtjes, paralajmëroi në vitin 1976 se kërkimet sovjetike mbi mikrovalët, tregonin premtime të mëdha për “ndikimin e sjelljes së personelit ushtarak apo diplomatik”.

Simptomat e dëmtimit të trurit të përjetuara nga oficerët e CIA-s në misionet e inteligjencës në Rusi, Poloni, ish-satelitin Sovjetik të Gjeorgjisë, Tajvan dhe Australi nga viti 2017 në vitin 2019, vetëm sa përforcuan dyshimin e përfshirjes së Rusisë.

Një nga oficerët e prekur, Mark Polimeropulos, që ishte zëvendës shef i operacioneve të CIA-s për Qendrën e Misionit Evropë dhe Euroazi, e ndau përvojën e tij në një intervistë për revistën “GQ”. Pas një vizite të shkurtër në Moskë, ai pësoi migrenë gjatë gjithë ditës nga një dëmtim në tru, dhe u detyrua të dilte në pension më moshën 50 vjeçare.

Një raport i dhjetorit i vitit 2020, i porositur nga Departamenti i Shtetit dhe i përpiluar nga 19 ekspertë në mjekësi dhe fusha të tjera, konfirmoi gjetjet e mëparshme. Ekspertët zbuluan prova të forta se sëmundja misterioze ishte shkaktuar nga energjia e radiofrekuencës, një lloj rrezatimi me mikrovalë.

Ata shtuan se sulmet ishin rezultat i energjisë së “drejtuar’, duke nënkuptuar se viktimat ishin shënjestruar. Pas më shumë se 4 vitesh sulme të ndyra kundër dhjetëra zyrtarëve amerikanë, administrata e Xho Bajdenit, duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur hetimet mbi këtë çështje, dhe t’i kërkojë përgjegjësi autorëve të krimit.

Nëse nuk është Rusia, siç duket se tregojnë provat, atëherë kush?Në rastin e Kubës -me një shtet policor që mbikëqyr çdo lagje – nuk ka gjasa që sulmet e shumta në ishull, të jenë kryer pa bashkëpunimin e Kastros dhe politbyrosë së tij.

Në rast se CIA e konfirmon përfshirjen e regjimit kuban, këtij kombi nuk duhet t’i jepet mundësia e zbutjes së marrëdhënieve. Përvoja na tregon se falja e së keqes, sjell akoma më shumë të këqija.

Burimi i lajmit: https://www.nationalreview.com/2021/05/the-havana-syndrome-unraveling-the-mystery/

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Avokatja e Johnny Depp bëhet personazh në internet

Miliona shikues anembanë globit po ndjekin betejën ligjore midis Johnny Depp dhe Amber Heard, dhe ndërsa drama shpaloset, një yll i ri ka dalë...

Lija e majmunit: Koha për t’u shqetësuar apo për ta injoruar?

Deri më tani, lija e majmunëve ishte mjaft e parashikueshme. Shtëpia natyrore e virusit janë kafshët e egra, të cilat në fakt mendohet se...

Anthony Albanese fiton zgjedhjet, zgjidhet kryeministri i Australisë

Anthony Albanese do të bëhet kryeministri i parë i vendit, nga një prejardhje jo anglo-keltike. Një nga politikanët më jetëgjatë të Australisë, ai thotë se...

A u dekonspirua operacioni i SPAK? Gledis Nano paralajmëron goditjet e radhës

Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka konfirmuar se operacioni i SPAK është ende në proces. Teksa është pyetur nëse operacioni "Plumbi i...

Rusia ndalon furnizimin me gaz në Finlandë

Rusia ka konfirmuar mëngjesin e sotëm se ka ndaluar furnizimin me gaz për Finlandën, përshkallëzimi i fundit i një mosmarrëveshjeje për pagesat e energjisë...