E premte, 23 Tetor, 2020
18 C
Tirana

“Sigurimi i Shtetit më dërgoi me mision sekret në Jugosllavi”, dëshmia e rrallë e ish-emigrantit

Më të lexuarat

Ilona Staller, pornostarja që u zgjodh deputete në Itali (VIDEO)

E lindur në vitin 1951 në Hungari, Ilona u rrit nga nëna e saj dhe njerku i saj, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme....

Turqia eksporton armë anti-dron në Shqipëri

Një kompani që vepron në qytetin Antalya të Turqisë, armët kundër dronëve të dizajnuar nga inxhinierët turq që i ka prodhuar për Forcat e...

Vdes vullnetari që iu injektua vaksina anti-covid e prodhuar nga AstraZeneca

Autoriteti shëndetësor brazilian Anvisa, tha të mërkurën se një vullnetar i cili mori pjesë në një provë klinike të vaksinës COVID-19 të zhvilluar nga...

Meta te berberi/ Artan Hoxha i nxjerr foton: Garda e Republikës rrethon zonën

Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka publikuar një foto të presidentit Meta i cili ndodhet tek berberi. Fotoja është shkrepur nga larg, dhe kjo për...

Plas sherri në studion e ‘Top Channel’, konkurrentët largohen nga emisioni

Puntata e radhës në ‘Përputhen’ ka përfunduar me sherre dhe me largim nga studio të djemve dhe vajzave që kanë shkuar për të gjetur...

“Hetues amerikanë asistojnë në çështjet e SPAK dhe BKH”, flet Yuri Kim

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka shprehur edhe një herë mbështetjen e SHBA ndaj institucioneve të dala nga reforma në drejtësi. Ajo u shpreh se...

Ja cila grupmoshë po infektohet më shumë me Covid-19

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj, pohoi se virusi ka pësuar mutacion gjatë gjithë këtyre muajve, dhe tani shfaqet me simptoma të ndryshme...

“Muajt e ardhshëm do jenë të vështirë”, Mitsotakis: Nga e shtuna me kufizime

Jo vetëm Italia, por edhe Greqia vijon me shifra të frikshme të të infektuarve. Masa të tjera do të hyjnë në fuqi, duke kufizuar...

E akuzuan për vrasjen e Remzi Hoxhës, reagon ashpër Sali Berisha

Ish kryeministri, Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të familjarëve të biznesmenit të njohur Remzi Hoxha. Ai ka hedhur poshtë akuzat se ka gisht...

“Pas 10 ditësh del dhe nuk infekton të tjerët”/Epidemiologu jep lajmin e mirë

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, në një lidhje ‘Skype’ në ‘Wake Up’ në Top Channel, sqaroi udhëzimin më të fundit nga ekspertët e shëndetit, i cili...

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Gjeloshi nga Trieshi i Malit të Zi, nëpërmjet dëshmive të Zef Dod Gjeloshajt, njërit prej pinjollëve të saj, i cili në janarin e vitit 1950, pas konflikteve që familja e tij pati me regjimin titist, ku mbetën të vrarë disa djem të tyre si dhe ngjarjes kur familja Gjeloshi luftoi për disa orë kundra forcave ushtarake serbo-malazeze, pasi nuk pranoi ta dorzonte një oficer serb (nipi i Gjoko Mirashoviç, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” që ka dy buste në Mal të Zi), që u kishte kërkuar besë, ai u detyrua dhe u arratis nga Mali i Zi, duke ardhur në Shqipëri, si emigrant politik. “Stabilizmi” i Zefit në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante të izoluar rreth 800 shtetas jugosllavë me origjinë shqiptare, të cilët për shkak të politikës diskriminuese të regjimit titist ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe krimeve të Rankoviçit ndaj tyre, ishin arratisur dhe kishin ardhur në Shqipëri. Emërimi i Zefit si mësues në rrethin e Lushnjes ku në vitin 1951, Ministria e Punëve të Brendëshme e thirri në Tiranë, ku dy oficerët, Petrit Arbana dhe Vilson Pecani që  mbulonin emigracionin jugosllav në Shqipëri, e ngarkuan me një mision sekret, duke e dërguar në Jugosllavi së bashku me kolonelin serbo-malazez, Petër Bllazhoviç, i cili kishte braktisur funksionin e Shefit të UDB-së për Malin e Zi dhe kishte dalë në arrati. Çfarë detyrash kreu Zef Gjeloshaj në Jugosllavi, si përfundoi misioni sekret që i’u ngarkua nga Ministria e Brendëshme në Tiranë dhe përse ai u dënua me 15 vjet burg në Shqipëri, duke u akuzuar se me dorën e tij kishte vrarë kolonelin e UDB-së?!

Atë fillim të janarit të vitit 1950, teksa Zef Gjeloshaj nga Trieshi i Malit të Zi i detyruar nga përndjekjet dhe genocidi serbo-malazez, po kalonte kufirin jugosllav për të hyrë në Shqipëri, ai nuk e kishte menduar kurrë se në atdheun amë, për të cilin kishte thurur ato ëndërrat e bukura, do të arrestohej dhe do të dënohej me 15 vite burg politik. Dhe aq më tepër që ai dënim politik i dhënë nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, do të kishte të bënte me një akuzë shumë të rëndë dhe tepër absurde, pasi Zefi akuzohej se: “kishte vrarë me dorën e tij një kolonel të UDB-së jugosllave”!

Pak kohë pasi ishte arratisur nga Jugosllavia dhe kishte ardhur në Shqipëri, me kërkesë nga kuadrot e lartë të Ministrisë së Punëve të Brëndshme, atij i’u ngarkua një mision special. Misioni konsistonte në futjen ilegale, në Mal të Zi të Zefit, së bashku me kolonelin e UDB-së Peter Bllazhoviç, për të kryer disa detyra të veçanta për regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kush ishte Zef Gjeloshaj, cila ishte e kaluara e tij dhe si mundi ai që të arratisej nga Jugosllavia dhe të vinte në Shqipëri në vitin 1950?! Cili ishte koloneli i UDB-së, Peter Bllazhoviç, ku kishte sherbyer ai deri në vitin 1948, dhe përse në atë periudhë ai e kishte braktisur postin e shefit të UDB-së për Titogradin dhe ishte në arrati? Si e mësuan organet e zbulimit shqiptar vëndodhjen e Bllazhoviçit në pyjet e Malit të Zi dhe si arritën agjentët të kontaktonin me të?! Çfarë misioni sekret i ishte ngarkuar Lekoviçit nga Mehmet Shehu dhe përse ai kishte heshtur gjatë takimit me ambasadorin sovjetik në Tiranë? Përse pas daljes nga burgu shteti shqiptar i lejoi të dy kolonelët jugosllavë që të riatdhesohen në Jugosllavi dhe përse Zefi do të fitonte pafajësinë në vitin 1984?

Lidhur me të gjitha këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e tij, si dhe historinë e familjes së tij, edhe pse në një moshë të thyer e me një jetë plot peripecira e vuajtje të mëdha, Zef Gjeloshaj i kujtonte me detaje dhe hollësira gjithçka kishte kaluar, duke na i rrëfyer publikisht në këtë intervistë që po publikojmë në disa numra ekskluzivisht për Memorie.al

Zef Gjeloshaj dhe historia e familjes së njohur në Triesh të Malit të Zi           

Zef Gjeloshaj lindi në vitin 1931, në krahinën shqiptare të Trieshit në Malin e Zi, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila rrjedh nga fisi i njohur Lulnikajve, ku bëjnë pjesë dhe dy degë fisesh të tjera, ai i Arapajve dhe Margilajve. Ndër burrat më të njohur të këtyre tre fiseve kanë qenë: Tom Hasi i Gjeloshajve, Gil Doshi i Margilajve dhe Malot Gjeka, i Arapajve.

Ndërsa ndër burrat më të njohur që kanë dalë nga fisi i Gjeloshajve, ka qenë Marash Mark Gjeloshaj, i cili ishte kapedan dhe i pari i atij fisi. Ai ka lindur rreth viteve 1830, dhe që në moshë fare të re, ka qenë i njohur si një njeri me autoritet të madh, jo vetëm në atë krahinë por dhe më tej. Me detyrën e komandantit të vëndit, Marash Marku i Gjeloshajve, kishte marrë pjesë në të gjitha luftrat që patën zhvilluar malësorët e asaj treve, kundër forcave turke dhe serbo-malazeze.

Një ndër historitë më të njohura të Marash Markut, thuhet se ka qenë ajo e Urës së Zharnicës, ku në prezencën e Krajl Nikollës, Marku i grisi Vezirit turk fermanin e Sulltanit, në të cilën ishin bërë pazarllëqe në kurriz të trojeve shqiptare. Pas vdekjes së Marash Markut, vëndin e tij në krye të komandës së vëndit, e zuri Zef Lokja dhe pas Zefit, atë e trashëgoi, Nik Zek Gjeloshaj, i cili e mbajti atë deri në vitin 1944, kur aty hynë forcat partizane të Josif Broz Titos.

Historia e familjes së njohur të Gjeloshajve, vazhdon me Dod Smajlin, babain e Zef Gjeloshajt, i cili u lind në vitin 1886, në katundin Nikmarashaj të Trieshit dhe ka qenë një nga burrat më të njohur e në zë, jo vetëm të asaj familjeje, por edhe ndër të gjithë shqiptarët e Malit të Zi. Bashkëshortja e Dod Smajlit, Prenda Nikprelaj, pati shërbyer për të gjithë pjesmarrësit të Memorandumit të Greçes, i cili u mbajt në atë krahinë në vitin 1911.

Ndërsa vetë Doda, mori pjesë me armë në dorë në çetën e Dedë Gjo Lulit, kurse vëllai i tij, Tom Gjeloshaj, ishte mësues i parë i gjuhës shqipe në Malin e Zi. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, familja e Dod Smajlit mbajti një qëndrim neutral, duke përkrahur Lëvizjen Antifashiste dhe duke ndihmuar si brigadat partizane serbo- malazeze, ashtu dhe ato të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare të Enver Hoxhës.

Dod Smajli, nuk pranoi që të merrte një funksion të lartë në qeverinë shqiptare të periudhës së pushtimit gjerman, ofertë të cilën atij ja bëri vetë ministri, Kolë Bibë Mirakaj, i cili shkoi në shtëpinë e tij në Triesh. Dy djemtë e Dodës, Noshi me Nikollën, u rradhitën me brigadat partizane serbo-malazeze e shqiptare, ku morën pjesë aktive në shumë beteja, ndërsa shtëpia e tyre u kthye në spital partizan.

Pas mbarrimit të Luftës, në kuadrin e politikës së “Bashkim -Vllazërimit” që filloi të ndiqte regjimi i Titos, familja e Dod Smajlit nuk pati probleme me komunistët serbo-malazez, dhe dy djemtë e tij, Noshi me Nikollën, u futën në rradhët e Armatës Jugosllave ku shërbyen si ushtarakë. Por ajo “miqësi” me komunistët serbo-malazez, nuk zgjati shumë dhe në vitin 1946, në mes shtëpisë së Dod Smajlit dhe rregjimit titist, filloi çarja e madhe.

Kjo erdhi pas vrasjes që i bëri Nikolla, një oficeri serb në Beograd, i cili e pati ofenduar atë në publik. Gjyqi ushtarak e dënoi Nikollën me vdekje, por pas ndërhyrjes së Dod Smajlit, pranë Marshallit Tito, atij ju fal jeta me dekret të veçantë dhe mundi që të dilte nga burgu i tmerrshëm i Goli-Otokut. Por vetëm pak kohë pas daljes nga ai burg, si rezultat i torturave ç’njerëzore që i ishin bërë aty, Nikoll Gjeloshaj ndërroi jetë.

Katër vite pas vdekjes së djalit të Dodës, në familjen Gjeloshaj ndodhi një ngjarje tragjike, e cila bëri bujë të madhe në të gjithë shqiptarët e Malit të Zi. Në shtëpinë e Dod Smajlit në Triesh, kërkoi strehim një oficer serb, i cili ndiqej nga regjimi i Beogradit, pasi kishte dalë hapur në mbrojtje të xhaxhait të tij, Gjoko Mirashoviç, i cili njihej si Heroi i Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, i dekoruar dy here, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” (sot ka dy monumente në Podgoricë) që ishte mbyllur në burgun e Goli-Otokut.

Pasi Doda e mori në besë atë, shtëpia e tij u rrethua nga 300 forca ushtarake serbo-malazeze të Reparteve të Ndjekjes të ardhur urgjent nga Titogradi. Duke parë gjëndjen e krijuar, Doda i nxorri jashtë shtëpisë të gjitha gratë dhe fëmijët, e qëndroi brenda vetëm me të birin, Martinin, e mikun që i kishte kërkuar besë. Pasi Doda nuk pranoi të dorëzonte majorin serb, filloi një luftë e ashpër, e cila zgjati nga mbrëmja deri në mëngjes, ku Doda me mikun serb tentuan të çanin rrethimin.

Por ata nuk i’a arritën dot dhe Doda mbeti i vrarë në pragun e shtëpisë së tij, me 17 plumba në gjoks, së bashku me majorin serb. Ndërsa vetëm Martini, mundi që të dilte i gjallë nga ajo shtëpi, duke çarë rrethimin ashtu i plagosur dhe duke u fshehur maleve të Kelmendit, ku e gjetën gjysëm të vdekur disa barinj.

Pas kësaj ngjarje, regjimi titist arrestoi menjëherë djalin tjetër të Dodës, Noshin, që ishte ushtarak në Kotorr dhe e burgosi atë në Goli-Otok. Pas kësaj në shtëpinë e Gjeloshajve, mbeti vetëm nëna Prenda, me një vajzë të vogël, sepse edhe vetë Zefi, për t’i shpëtuar hakmarrjes së serbëve, u arratis dhe erdhi në Shqipëri. Për historinë e familjes së famshme të Dod Smajlit në Triesh të Malit të Zi, është shkruar shumë në libra dhe gazeta të ndryshme nga autorë të njohur si Aleks Çaçi, Masar Shehu, Mark Gurakuqi, Dr. Myslym Hotova, Prenk Gruda, Shaban Braha, Resul Bedo etj. Po kështu, në vitin 2011, Zef Gjeloshja shkroi dhe botoi edhe një libër me kujtime për jetën e tij, me parathënie nga shkrimtari i njohur dhe patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli.

Zoti Zef, përse u larguat nga vendlindja juaj Trieshi, dhe si erdhët në Shqipëri?

I detyruar nga përndjekjet dhe genocidi serbo-malazez, pas vdekjes së babait, tim Dod Smajlit dhe torturave që u ishin bërë vëllait tim, Nikollës në burgun e Goli-Otokut, si dhe burgosjes së dy vëllezërve të tjerë, në fillimin e vitit 1950, unë u arratisa dhe erdha në Shqipëri.

Pas ardhjes tuaj në Shqipëri, kush mbeti në familjen tuaj në Mal të Zi?

Në familjen time mbeti vetëm nëna ime plakë, Prenda, me një vajzë të vogël. Është e tmerrshme që të mendosh, se në një familje me 14 antarë, ajo të rrinte për gati një dekadë e vetme!

Kur erdhët në Shqipëri, çfarë qëndrimi u mbajt karshi jush nga organet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendëshme? 

Pas ardhjes sime në Shqipëri, autoritetet shtetërore që ishin të ngarkuara me emigracionin jugosllav, pasi më morën në pyetje për të mësuar arsyet e arratisjes sime, më internuan në kampin e Llakatundit në Vlorë. Asokohe në atë kamp, ishin të internuar afro 800 vetë, të cilët regjimi i quante pinjollë të familjeve reaksionare dhe i trajtonte si armiq.

Sa kohë ju mbajtën në atë kamp?

Në kamp ku ndodhej pjesa më e madhe e inteligjencës shqiptare të shkolluar në Perëndim, më mbajtën për disa muaj dhe më pas më liruan prej andej. Lirimi im erdhi pasi autoritetet shqiptare e mësuan të vërtetën për përndjekjen e familjes sime në Triesh.

Ku ju dërguan më pas?

Nisur nga fakti që unë kisha mbaruar shkollën Pedagogjike në Gjakovë, më dërguan të punoj si mësues në fshatrat e Lushnjes, pasi në atë kohë atje, kishte shumë nevojë për arsimtarë.

Në periudhën që ju erdhët në Shqipëri, kishte emigrantë të tjerë që arratiseshin nga Jugosllavia për të ardhur në vëndin tonë? 

Pas prishjes së marrdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1948, shumë komunistë jugosllavë që simpatizonin Moskën, erdhën në Shqipëri dhe kërkuan azil politik. Numri i atyre emigrantëve që erdhën në atë kohë, ishte aq i madh, saqë atyre i’u lejua që të nxirrnin një gazetë në gjuhën e tyre. Po kështu në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, ekzistonte një drejtori e posaçme, që merrej vetëm me problemet dhe çështjet e emigracionit politik jugosllav në Shqipëri. Në atë drejtori, punonin emra të njohur, si Vilson Pecani, Petrit Arbana, etj.

Sa kohë punuat si arsimtar në fshatrat e Lushnjes?

Në Lushnje unë punova si mësues deri nga shtatori i vitit 1951 dhe në atë kohë, mua më thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendëshme në Tiranë. Aty më ngarkuan për të kryer një mision tepër sekret në Jugosllavi, së bashku me një kolonel serbo-malazez, që kishte shërbyer se shef i UDB-së për Titogradin.

Pse u ngarkuat ju për këtë mision, në një kohë që ishit një mësues i thjeshtë?

Unë nuk kisha asnjë lloj lidhje me Ministrinë e Brendëshme në Tiranë, por duke pasur statusin e emigranitit politik, njëkohësisht si të gjithë emigrantët e tjerë edhe unë isha aktivist i KOMINTERNI-t, për filialin e Shqipërisë. Kjo ishte një nga arsyet kryesore që unë u ngarkova për kryerjen e atij misioni sekret në Jugosllavi, me ish-kolonelin e UDB-së dhe arsyeja tjetër, ishte se unë njihja gjuhën serbe e vëndet ku do të realizohej ai mision në Mal të Zi.

Kush ishte koloneli dhe a e dini ju, se në ç’rrethana kishte ardhur në Tiranë?

Koloneli jugosllav quhej, Petër Bllazhoviç dhe ai ishte me origjinë nga fshati Piperi, i Malit të Zi, i cili gjatë viteve të Luftës (1939-’44) ishte kthyer në një nga bazat më të fuqishme të Lëvizjes Antifashiste. Prejardhja e hershme e familjes së tij, ishte nga Shqipëria dhe në ato vite, pra për periudhën që po flasim në vitet 1945–‘48 nga rrethi farefisnor i kolonelit Bllazhoviç, kishte shumë ushtarak të lartë, madje edhe gjeneral e ministra që shërbenin në rradhët e Armatës Jugosllave. Pasi kishte qenë i lidhur me Lëvizjen Antifashiste në Jugosllavi, Peter Bllazhoviç, deri në  vitin 1948, shërbeu si shef i UDB-së për Titogradin me gradën e kolonelit. Por në atë kohë, pra prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë dhe Rezolutës së Kominternit, koloneli Bllazhoviç, e braktisi detyrën e tij dhe doli maleve në arrati.

Përse ndodhi kjo?

Fshati Piper i Malit të Zi, (nga ishte koloneli Bllazhoviç), duke qenë një nga fshatrat që gjatë Luftës mbështeti më shumë Lëvizjen Antifashiste në Mal të Zi, ishte njëkohësisht i lidhur shpirtërisht edhe me Moskën e Stalinit. Por pas prishjes së marrdhënieve në mes tyre, ata u kthyen të gjthë kundër politikës së regjimit të Titos, duke përkrahur politikën e Stalinit dhe u bënë anti-titist të zellshëm. Një ndër ata kuadrot që denoncoi politikën e regjimit titist dhe mbështeti atë të Bashkimit Sovjetik, ishte dhe koloneli Bllazhoviç, dhe për këtë arsye, ai e braktisi detyrën si Shef i UDB-së për Titogradin, e doli maleve në arrati.

Si mundi që të vinte në Tiranë koloneli Bllazhoviç?

Për arratisjen e tij, sigurisht që ishin vënë në dijeni edhe organet përkatëse të Zbulimi Shqiptar me anë të kanaleve të tija të posaçme që merreshin me atë punë dhe pas asaj, me anë të njerëzve të tij, Zbulimi Shqiptar kishte mundur që të hynte në kontakt me të, në ato vënde ku fshihej ai, në malësitë e Malit të Zi. Në ato takime atij i ishte propozuar që të vinte në Shqipëri, pasi Zbulimit Shqiptar dhe filialit të Kominternit në Tiranë, i interesonin në rradhë të parë njerëzit e fisit që vazhdonin të mbanin poste të larta drejtuese në Armatën Jugosllave, UDB-në dhe qeverinë e Malit të Zi. Kjo mendoj unë, ishte një nga arsyet që atij i’u bë kërkesë që të vinte në Shqipëri, gjë të cilën ai e pranoi si kërkesë, pasi në atë kohë Shqipëria ishte e lidhur ngushtë me Moskën e Stalinit./ Memorie.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Studimi: E ftohura mund t’ju mbrojë nga Covid-19

Një studim i ri tregon se pas një të ftohure, personi mund të jetë më i aftë për t’i rezistuar një goditjeje të rëndë...

“Ju rrugaca sallahana, vagabonda shakllabana”, Meta sulmon Ramën

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar poetin e shquar At Gjergj Fishta në 149 vjetorin e lindjes së tij, ku nëpërmjet vargjeve, nuk i ka...

Ish-deputeti Eduart Ndocaj shoqërohet në polici

Një incident ka ndodhur gjatë përurimit të shtëpisë Muze të Gjergj Fishtës. Policia ka shoqëruar ish-deputetin Eduart Ndocaj, me arsyen se ai nuk ka patur...

E sekuestruar nga OFL/Gjykata e Posaçme i kthen makinën e blinduar Lul Berishës

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ka kthyer makinën e blinduar Lulzim Berishës, ish-kreu i bandës së Durrësit. Gjykata e Posaçme...

Diplomohet në moshën 96-vjeçare, historia e italianit Xhuzepe Paterno (VIDEO)

Për shumë njerëz, vitet e pensionit janë të zymta, dhe shërbejnë për t’u përgatitur shpirtërisht për ikjen një ditë nga kjo botë. Por jo...