Nga: Roland Qafoku
Kjo është ‘97-ta e PD-së, ose “lufta civile” brenda partisë. Ajo që po ndodh në Partinë Demokratike të krijon idenë se jo vetëm nuk ka kthim pas, por ndarja e kësaj partie është e pashmangshme. Si Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë të pozicionuar në ekstreme dhe të dy në këto momente mendojnë jo vetëm se fitojnë ndaj njëri-tjetrit, por të eleminojnë njëri-tjetrin. Situata është vërtetë e rëndë dhe sulmi me dhunë e selisë nga mbështetësit e Berishës por edhe kundërpërgjigja po me dhunë e mbështetësve të kryetarit Basha e ka degjeneruar situatën në atë pikë që shumë pak kanë sigurinë të parashikojnë se cila është e ardhmja e Partisë Demokratike. Mes fatalistëve është edhe ish-presidenti i Republikës dhe ish-nënkryetari i kësaj partie, Bamir Topi, i cili deklaron se misioni i PD ka mbaruar dhe historia e saj duhet të arkivohet.
Por a mund të vuloset kështu historia e partisë së parë të opozitarizmit në Shqipëri pas 32 vitesh aktivitet dhe me kontribute të jashtëzakonshme në historinë politike dhe shtetare? A mund të shuhet një parti duke e lënë zbrazëtirë opozitën? Tashmë zhvillimet në PD nuk janë më çështje e brendshme e kësaj partie. Ajo që po ndodh tani aty ka përmasat e një çështje shumë të rëndësishme kombëtare që duhet të shqetësojë jo vetëm 100 mijë anëtarët e regjistruar, apo të përjashtruar të kësaj partie, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare. Me rregullin se nëse do të dish se si është qeveria shiko si është opozita, Shqipëria po shkon drejt një politike amorfe që të krijon perceptimin se mazhoranca bën qef derisa PD është në zgrip, por në fakt zhvillimet në PD ndikojnë dhe diktojnë patjetër zhvillimet edhe në qeverisje.
Nisur nga të gjitha këto, jo vetëm për interesin gjeneral të Partisë Demokratike, dhe aspak për interesin personal të ngushtë të kryetarit zyrtar zoti Lulzim Basha dhe kandidatit për kryetar Sali Berisha duhet të gjendet me emergjencë një zgjidhje e pranueshme që të sjellë zgjidhjen e krizës. Po cila është kjo dhe a është e mundur kur të gjithë janë kundër të gjithëve dhe opozita po bën opozitën e vetes ndërkohë që qeveria rri e vështron? Sigurisht që ka zgjidhje. Madje, lajmi më i fundit është se persona të ndryshëm nga grupimi i Berishës kanë nisur ta realizojnë këtë, por janë refuzuar nga zoti Basha dhe Bardhi. Modestisht dua të rendis disa pika që në mos i vlejnë atyre që kanë në dorë të ndërhyjnë, të paktën unë jam i lirë ti them publikisht atë që mendoj.
- Lulzim Basha dhe Sali Berisha në mënyrë urgjente duhet të ndalojnë sulmet verbale ndaj njëri-tjetrit për të parë të mundshme shpëtimin e Partisë Demokratike. Si Basha dhe Berisha duhet të dënojnë dhunën e ushtruar më 8 janar nga të dy palët dhe të sigurojnë opinionin se nuk do ndërmarrin asnjë veprim radikal që sjell pasoja. Vetëm nëse në këtë histori ata kanë qëllim shpëtimin e kësaj partie, padyshim që mund ta gjejnë nëpërmjet urtësisë dhe jo hakërrimeve dhe inkadeshencës së situatës. Të dy grupimet duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim apo aksion politik në të ardhmen. Lulzim Basha nga ana e tij duhet të ndërpresë përjashtimet dhe paralajmërimet për përjashtim nga partia. Asnjë nga të dyja nuk është zgjidhja. Nga ana tjetër, Berisha duhet të ndërpresë çdo aksion politik dhe protestë për ti lënë udhë zgjidhjes së krizës.
- Ngritja dhe krijimi i një grupi të vogël deri në katër personash dhe krijimin e një lloj regjence që do shërbejnë si negociatorë, ndërmjetësues dhe zgjidhës të kësaj situate. Ata duhet të mandatohen nga organet zyrtare të PD për të ndërmarrë veprime dhe vendime që zgjidhin situatën. Personat e zgjedhur në këtë regjencë duhet të jenë pa asnjë interes në PD, të baraslarguar nga palët dhe të pranuar nga palët. Sot është shumë herët që të tregohen emra por politikanë ose jo, përfaqëesues nga bota akademike që deri më sot e kanë marrë jozyrtarisht titulli senator në politikë falë autoritetit, integritetit, besueshmërisë dhe kontributit në të djathën dhe në shoqërinë shqiptare do ishin pjesë e kësaj regjence që do synonte një zgjidhje e pranueshme të kësaj krize. Emra të mundshëm mund të jenë: Aleksandër Meksi, Fatos Beja, Myqerem Tafaj, Apollon Baçe, Albina Karamitro, Rajmonda Bulku, etj. Por ata siguyrisht mund të jetë edhe të tjerë në vartësi të propozimeve të dy palëve.
- Lulzim Basha dhe Sali Berisha duhet të japin dorëheqje nga funksionet e tyre. Lulzim Basha duhet të dorëhiqet si kryetar i Partisë Demokratike dhe Sali Berisha duhet të dorëhqiet nga drejtimi i grupimit “Foltorja”. I vetmi veprim që shërben si valvul shkarkuese në situatën e nderë dhe të tensionuar që po ndodh në PD është pikërisht tërheqja dhe dorëheqja. Dikush dorëheqjen e të dyve e quan se ka domethënien se ikën vetëm Basha. Por kjo është një tezë e mbështetësve të Bashës.
Me mendje të ftohtë duke vënë interesin e mirë të PD dhe jo personal Lulzim Basha duhet ta bëjë këtë. Politika shqiptare ka parë në këto 32 vjet jo pak dorëheqje. Në PD e në PS, nga postet më të rëndësishme të partive por edhe të shtetit të paktën nga një herë kanë dhënë dorëheqje figurat më të rëndësishme dhe më të pushtetshme në këto 32 vjet: Kështu, Ramiz Alia dha dorëheqjen si president i republikës në mars të vitit 1992; Sali Berisha dha dorëheqjen si president i republikës në gusht të vitit 1997; Fatos Nano dha dorëheqjen si kryeministër në qershor 1991, dha dorëheqjen si kryeministër në shtator 1998, dha dorëheqjen si kryetar i PS në 1998; Pandeli Majko dha dorëheqjen si kryeministër në tetor 1999.
Ilir Meta dha dorëheqjen si kryeministër në janar 2002. Madje edhe kryeministri i parë i shtetit shqiptar Ismail Qemali është i pari politikan në historinë e shtetit shqiptar që ka dhënë dorëheqjen nga detyra e shefit të qeverisë. Nuk është hata që Lulzim Basha të japë dorëheqjen. Kjo do ti shërbente vetëm Partisë Demokratike dhe ai duhet ta kuptojë se kjo është zgjidhja e krizës në PD. Sigurisht që paralel me të edhe Berisha duhet të tërhiqet dhe dorëhiqet nga drejtimi i çdo aksioni politik “Foltorja” dhe aksioni i “Foltores” duhet të pushojë së ekzistuari.
- Regjenca ose Grupi i Negociatorëve të krijojë një platformë për mënyrën dhe organizimin e Partisë Demokratike duke krijuar logjistikën e duhur për ti hapur rrugën zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Kjo të bëhet në mënyrë tranparene me mbledhje dhe takime të hapura me praninë e medias për tia bërë të ditur të gjithë opinionit publik.
- Regjenca ose Grupi Negociator duhet të përcaktojë qëllimet dhe të vendosë afatet kohore të paktën deri në gajshtë muaj për të ndërrmarrë hapat për zgjidhjen e të gjitha problemeve që nisin nga zgjedhjet e hapura të të gjitha strukturave të reja që nisin nga organizimi dhe drejtimi i degëve në bazë, në Kuvendin Kombëtar, Këshillin Kombëtar, Kryesinë e Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj. Të gjitha këto të zhvillohen përmes një platforme të qartë dhe transparente.
- Regjenca ose Grupi Negociator duhet të krijojë kushte të barabarta për të zhvilluar zgjedhjet për krytarin e ri të Partisë Demokratike duke mos përjashtuar asnjë kandidat që nisin që nga Lulzim Basha dhe çdokush tjetër përmes një procesi të hapur, transparent, rigoroz që u jep palëve mundësi të barabartë dhe pa ndikime.
- Regjenca ose Grupi Negociator duhet të paraqesë një platformë për hapjen e Partisë Demokratike në mënyrë që në të bëhen pjesë të rinj e të reja, intelektualë, të diplomuar dhe me përvojë në perëndim dhe ata që synojnë dhe mendojnë se mund të japin kontribut. Hapja e Partisë Demokratike duhet të jetë në disa fusha që nisin nga ato akademike te pjesa elitare, diaspora dhe të gjithë ata që mendojnë se mund ti japin diçka opozitës shqiptare.
- Regjenca ose Grupi Negociator duhet të bëjë deklaratë publike pro marrëdhënieve me SHBA si partner i palëkundur i kësaj partie dhe i shtetit shqiptar. Regjenca ose Grupi Negociator duhet të distancohet nga sulmet, akuzat dhe kritikat e padenja ndaj ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim që në asnjë rast nuk ka bërë dhe nuk bën politikë personale por është përfaqësuese e SHBA. SHBA-së i jemi mirënjohës për ekzistencën e shtetit mëmë shqiptar, por edhe për themelimin e shtetit të Kosovës, shtetit të dytë shqiptar në Ballkan dhe e sa e sa ë mirave që i kanë sjellë shqiptarëve në këto 100 vjet të marrëdhënieve diplomatike. Grupi negociator duhet të kërkojë publikisht ndaljen e sulmeve me apo pa interes të atyre personave anëtarë të PD që të nxitur apo në mënyrë të pavetëdijshme kanë bërë ndaj SHBA dhe përfaqËsueve të saj.
- Regjenca ose Grupi Negociator ta trajtojë çështjen e Sali Berishës si non grata nga SHBA si një çështje të tij personale. Grupi negociator dueht të bëjë një deklaratë të sinqertë për qendrimin që ka PD ndaj SHBA por edhe për kontributet e pamohueshme të Sali Berishës në marrëdhëniet dy palëshe me SHBA. Por ama çështja e vendimit të sekretarit Antony Blinken për shpalljen e tij non grata nuk duhet të interferojë më zhvillimet në PD.
- Në përfundim të gjithë procesin grupi negociator ti kërkojë organeve të zgjedhura nga baza deri te kryetari shpalljen e një platforme e të bërit opozitë konstruktive, të besueshme, moderne, larg përdorimit të dhunës nëpër protesta dhe larg interesave personale dhe të pa kapur nga asnë segment qeverisës.