Në fillim të viteve 1960, autoritete angleze bënë një zbulim shqetësues: Ura e famshme e Londrës ishte duke u shembur. Hapësira prej 300 metrash, që kishte rezistuar për mbi 130 vjet, dhe i kishte mbijetuar dy luftërave botërore, ishte e papërshtatshme për trafikun modern dhe po zhytej dalëngadalë në lumin Tamiz, në një normë prej 1 cm çdo 8 vjet.
Rikonstruksioni u konsiderua jo praktik, ndaj Bashkia e Londrës zgjodhi të ndërtojë një urë të re më të gjerë dhe më të përshtatshme për kalimin e makinave. Ura prej graniti e shekullit XIX-të dukej e destinuar të katandisej në rrënoja, por një këshilltar i bashkisë londineze, Ivan Lakin i bindi kolegët e tij se ishte e mundur që ajo të shitej në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1968, ai shkoi në SHBA për t’ia shitur monumentin blerësit të ardhshëm. Lakin e dinte se Ura e Londrës, mund të ishte një shitje e vështirë. E përfunduar në vitin 1831, bazuar në projektin e inxhinierit Xhon Reni, ishte pasuesja më pak joshëse e disa urave të tjera, më së shumti Urës mesjetare të Londrës, e cila ekzistonte prej 600 vjetësh, dhe që dikur ishte e rrethuar me godina dhe ujëra. Londinezët e konsideronin urën ekzistuese qesharake kur e krahasonin me më të vjetrën. Por pas mbërritjes në Amerikë, Lakin e promovoi urën si një pikë referimi të përjetshme.
“Ura e Londrës nuk është thjesht një urë”- njoftoi ai në një konferencë shtypi në Nju Jork. “Ajo është trashëgimtarja e 2000 viteve histori, që nga shekulli I Pas Krishtit”. Ankandi i shitjes së një ure u pa me habi nga shumëkush në Shtetet e Bashkuara, por një biznesmeni i`u duk një përshtatje e natyrshme.
Robert Mekulloh ishte një industrialist i lindur në Misouri, që kishte bërë miliona dollarë duke ngritur kompani që shisnin naftë, motora. Një tip që kishte qejf të binte në sy, manjati gjithashtu kishte një dëshirë për të ndjekur skemat të rrezikshme të biznesit. Në vitin 1963, ai bleu mijëra hektarë tokë pranë liqenit Havasu në Arizona, një zonë e izoluar.
Mekulloh themeloi komunitetin e Lake Havasu City, dhe porosity projekte për ta bërë atë një oaz të turizmit, por ai ishte ende duke u përpjekur të tërhiqte vizitorë. Kur ortaku i tij në biznes, C.V.Ud i tregoi për Urën e Londrës, dhe që të dy arritën në përfundimin se ishte simboli i duhur që kërkonte hyrja e liqenit Havasu.
“Pata idenë qesharake për ta sjellë atë urë në shkretëtirën e Arizonës. Kisha nevojë për një urë, por edhe nëse nuk e kisha, mund ta kisha blerë gjithsesi”- tha ai me shaka më vonë për “Chicago Tribune Magazine”. Negociatat për blerjen vazhduan gjatë pranverës së vitit 1968. Sipas Mekulloh, pjesa më e vështirë ishte propozimi për uljen e çmimit të shitjes ndaj autoriteteve të Londrës. Në fund, pasi mësoi se çmontimi i urës do t’i kushtonte Londrës 1.2 milionë dollarë, Mekulloh dhe Ud vendosën të ofrojnë dyfishin e asaj shume.
Në prillin e vitit 1968, për një çmim final prej 2.46 milionë dollarësh, Robert Mekulloh u bë pronari krenar i antikitetit më të madh në botë. Pastaj dy biznesmenët, nisën përgatitjet për zhvendosjen e Urës së Londrës në Shtetet e Bashkuara. Punëtorët filluan të etiketojnë secilën prej tullave të saj prej graniti, numrin e rreshtave dhe pozicionin.
Pastaj ura u çmontua tullë për tullë, u fut nëpër arka dhe u dërgua në Long Beach në Kaliforni, nëpërmjet Kanalit të Panamasë. Nga atje, dhjetëra kamionë e transportuan atë nëpër shkretëtirë, në shtëpinë e saj të re në Liqenin Havasu. Për të garantuar që ura e vjetër të mund të mbante trafikun modern, ekipet e ndërtimit ndërtuan një bosht prej betonit të përforcuar nga çeliku, që më pas u mbulua me 10.000 ton granit origjinal të shekullit XIX-të.
E gjitha puna zgjati 3 vjet, dhe kushtoi rreth 7 milionë herë më shumë se sa Mekulloh kishte shpenzuar për tokën në Liqenin Havasu.
Më në fund, më 10 tetor 1971, Ura e Londrës ishte gati për “debutimin” e saj në Shtetet e Bashkuara. Në ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë. “Është një çmenduri, por që mund të ndodhë vetëm në Amerikë. Vetëm një amerikan do të mendonte të investonte aq shumë në diçka të çmendur si kjo”- shkruante një gazetar i “The New York Times”.
Deri në vitin 1971, blerja ishte bërë gjerësisht e njohur si “Çmenduria Mekulloh”, dhe shumë prej tyre parashikuan se dy biznesmenët do të pendoheshin. Por në fund, ishin Mekulloh dhe Ud, ata që do të qeshnin të fundit. Blerja e tyre e çuditshme, u dëshmua që ishte një truk i shkëlqyer marketingu, për të cilin kishte nevoja qyteza e Liqenit Havasu.
Nga një popullsi prej vetëm disa qindra banorësh në fillim të viteve 1960, qyteti u rrit në mbi 10.000 banorë më 1974. Në vitin 1975, dhoma e tregtisë së qytetit, raportoi se ura kishte tërhequr rreth 2 milionë vizitorë vetëm një vit më parë. Mekulloh do të provonte më vonë edhe disa skema të tjera të biznesit para vdekjes së tij në vitin 1977, por qyteti i Liqenit Havasu ishte suksesi i tij më i madh.
Qyteti që ai ndërtoi nga hiçi, është sot shtëpia e mbi 50.000 banorëve të përhershëm që krenohen me një industri të lulëzuar turistike. Ura e Londrës, që ende qëndron më këmbë pas 185 vjetësh në dy kontinente, mbetet vendi më i njohur i saj./ Tirana Today