Prej rreth 1 muaji, qeveria ruse e ka ngadalësuar përdorimin e Twitter-it në vend, si një masë presioni dhe hakmarrje, pasi rrjeti social refuzoi të fshinte disa postime të gjykuara si të rrezikshme nga autoritetet. Faqja në Rusi punon, por shpesh ngadalë, dhe disa përmbajtje, të tilla si videot, janë thuajse të paarritshme.
Roskomnadzor, organi shtetëror që merret me komunikimet në internet (dhe sipas kritikëve edhe me censurën në internet) po e përdor ngadalësimin pas protestave të mëdha të muajve të fundit që kërkonin lirimin e kundërshtarit të Putinit, Aleksei Navalni.
Edhe pse postimet në Twitter, për të cilat kërkohet anulimi i përkasin vitit 2017, nuk kanë të bëjnë direkt me opozitarin e njohur rus. Sipas analistëve, ajo çka lidh veprimin kundër Twitter me demonstratat, është fakti se protestat u organizuan kryesisht përmes rrjeteve sociale, dhe qeveria ruse po shfrytëzon rastin për të testuar disa sisteme të reja kontrolli dhe censure në internet, që kanë qenë në zhvillim e sipër prej disa vitesh, dhe që pas dështimeve të shumta kanë nisur që të funksionojnë.
Synimi i qeverisë ruse është të ndërtojë një “internet sovran”, më të mbrojtur, më të kontrolluar dhe më të censurueshëm se sa ai e Perëndimit. Dhe sipas “Financial Times”, ngadalësimi i Twitter muajin e kaluar, është testi më i rëndësishëm i kryer deri më tani nga Moska në lidhje me funksionimin e sistemeve teknologjike të filtrimit dhe censurës.
Në fillim të marsit, qeveria ruse i kishte kërkuar Twitter të fshinte nga platforma 3.168 postime që datojnë nga viti 2017, dhe që sipas Roskomnadzor “inkurajojnë vetëvrasjen e të miturve, përmbajnë pornografi me fëmijë dhe informacione mbi përdorimin e drogës”.
Po atë ditë, presidenti rus Vladimir Putin tha se shoqëria do të “binte në kolaps”, nëse interneti nuk “u nënshtrohej ligjeve zyrtare dhe rregullave morale”. Për të zbatuar kërkesën e tij, Roskomnadzor njoftoi se do të fillonte të ngadalësonte ndjeshëm kohën e ngarkimit të imazheve dhe videove në Twitter në të gjitha pajisjet celulare dhe tek gjysma e kompjuterëve. Kjo është hera e parë që autoritetet ruse e përdorin këtë formë presioni. Ndaj sipas analistëve ai është veçanërisht i jashtëzakonshëm.
Twitter, me vetëm 700.000 përdorues aktivë, është një rrjet social mjaft i vogël në Rusi, dhe ngadalësimi i tij është parë si provë e përgjithshme, para se Moska të fillojë të godasë rrjetet më të mëdha sociale, si Facebook dhe YouTube.
Në fakt, një nga problemet e censurës në Rusi, është fakti që shpesh rrjetet e mëdha sociale të SHBA-së nuk i pranojnë kërkesat e autoriteteve, kur i cilësojnë ato tepër shtypëse. Përgjatë viteve, si direktivat e Roskomnadzor ashtu edhe ligjet e miratuara nga parlamenti rus janë anashkaluar ose injoruar më shumë se një herë nga platformat.
Dhe për shkak të aftësive të saj të dobëta teknike, qeveria ruse nuk ka pasur asnjë mundësi se si të reagojë. Rasti më i njohur është ai i Telegram, shërbimi popullor i mesazheve i themeluar nga rusi Pavel Durov. Në vitin 2018, Roskomnadzor urdhëroi që platforma të bllokohej pasi Durov refuzoi t’i jepte shërbimeve ruse të sigurisë qasje në bisedat e grupeve të përdoruesve.
Por operacioni nuk funksionoi. Telegram vazhdoi të ishte po aq aktiv sa më parë, madje edhe vetë anëtarët e qeverisë ruse vazhduan ta përdornin atë rregullisht. Përfundimisht, pas 2 vitesh bllokimi formal, dhe kur rasti i Telegram u përdor për të tallur qeverinë, Roskomnadzor vendosi ta shkatërrojë atë në mesin e vitit 2020, dhe në atë kohë askush nuk e vuri re ndryshimin.
Edhe eksperimenti autoritarist kundër Twitter, pati një fillim plot lëkundje. Në ditët e para, ngadalësimi u perceptua shumë pak nga përdoruesit, dhe manipulimi i lidhjes së internetit të vendosur nga Roskomnadzor, kishte sjellë bllokimin e shumë uebsajteve të tjera, përfshirë atë të Kremlinit dhe vetë faqen e Roskomnadzor.
Sidoqoftë, gjërat u rikuperuan në ditët në vijim dhe Twitter pësoi disa ndërprerje, megjithëse jo në atë shkallë që prisnin autoritetet. Në fillim të prillit, Roskomnadzor njoftoi se nga më shumë se 3.000 postime që përmbanin materiale të dyshuara të paligjshme, Twitter kishte fshirë vetëm 1.900, dhe se do të vazhdonte të ngadalësonte këtë platformë deri të paktën në mesin e muajit maj, për ta detyruar kompaninë që t’i fshijë të gjitha.
Për censurën ruse, ky është një rezultat i drejtë. Përkundër censurës së internetit në Kinë, mbi të cilën qeveria kineze filloi të punojë që në fillim të viteve 2000 me një investim të madh në burime njerëzore dhe mjete, dhe vullnetit të vendosur të qeverisë së Pekinit për t’i bërë të paarritshme shërbimet dixhitale perëndimore, në Rusi interneti ka qenë gjithmonë shumë i lirë.
Të gjitha rrjetet sociale perëndimore janë të arritshme (përveç LinkedIn), dhe shoqërohen nga alternativa lokale shumë të njohura, si VKontakte dhe motori i kërkimit Yandex, që ofron harta dhe shërbime transporti në stilin Uber.
Vetëm gjatë viteve 2011-2012, kur rikthimi në presidencë i Vladimir Putinit provokoi protesta të mëdha në të gjithë vendin, qeveria filloi të shqetësohej për përmbajtjen e internetit, duke censuruar përmbajtjen e padëshiruar dhe menaxhuar zërat kundër.
Por në atë moment ishte e vështirë të krijohej një sistem censure dhe kontrolli i ngjashëm me Firewall-in e Madh të Kinës, që është një kombinim kompleks i teknologjisë, legjislacionit dhe fuqisë punëtore. Vlerësohet se censura kineze ka të punësuar mbi 2 milion punonjës dhe punëtorë të përkohshëm që kontrollojnë përmbajtjen, fshijnë përmbajtjen e padëshiruar dhe përhapin propagandën shtetërore.
Nga ana tjetër, Roskomnadzor ka vetëm 3.000 të punësuar. Për më tepër, deri atëherë qytetarët rusë i përdornin në masë dhe i vlerësonin shërbimet perëndimore. Bllokimi i tyre do të kishte qenë i vështirë por dhe i rrezikshëm në aspektin politik.
Në vitin 2019, qeveria miratoi një ligj të ri me 2 qëllime serioze dhe ambicioze:të fitonte kontroll mbi përmbajtjen e internetit, dhe të siguronte mundësinë, nëse është e nevojshme, të shkëputjes së internetit rus nga ai i pjesës tjetër të botës.
Ngadalësimi i Twitter, është i dukshëm, pasi është hera e parë që qeveria ka qenë deri diku e suksesshme në përmbushjen e këtyre qëllimeve. Ligji, shumë i kritikuar nga opozita dhe aktivistët e shoqërisë civile, kërkon nga të gjithë operatorët e rrjetit që të instalojnë pajisje të quajtura “kuti të ndërmjetme”, për të filtruar dhe kontrolluar të gjithë përmbajtjen që kalon përmes rrjetit, duke përdorur softuerë të specializuar.
Sipas Associated Press, ligji kërkon që këto kuti të konfigurohen për ta lejuar qeverinë ruse të ketë qasje dhe kontrollojë trafikun e internetit. Ky sistem është potencialisht shumë efektiv, pasi ju lejon të monitoroni dhe ndoshta të bllokoni apo ngadalësoni faqet ose domenet individuale.
Por nga ana tjetër ka probleme të shumta:është teknikisht kompleks, sepse duhet të instalohen mijëra kuti të tilla, dhe ky proces është shumë i kushtueshëm (sipas një vlerësim të Financial Times, duhen 2 miliardë dollarë në vit vetëm për të mirëmbajtur pajisjet).
Mbi të gjitha, është shumë e vështirë që ta bësh atë të funksionojë në një shkallë kaq të madhe. Pra, fakti që testi mbi Twitter ishte të paktën pjesërisht i suksesshëm është një sukses për censurën ruse, dhe një problem për kompanitë e huaja dixhitale.
Sidoqoftë, sistemet komplekse të nevojshme për ta izoluar internetin në Rusi, nuk janë ende gati, dhe nuk dihet nëse dhe kur do të jenë gati. Gjithsesi ky është një operacion teknikisht kompleks dhe shumë i shtrenjtë.
Burimi i lajmit: https://www.ilpost.it/2021/04/11/russia-internet-censura/
Përshtatur nga TIRANA TODAY