Nga Edward Lucas, “Center for European Policy Analysis”/Parandalimi dhe rezistenca, janë dy nga detyrat me të cilat ballafaqohet Perëndimi, teksa kërcënimi nga Kremlini po bëhet gjithnjë e më i qartë. Gjetja e një balance midis të dyjave, është sfida strategjike për vitet e ardhshme.
Pjesa më e rëndësishme, është rezistenca. Sa më pak efektive që janë sulmet ruse, aq më pak kemi nevojë t’i parandalojmë ato.
Nëse sistemi ynë politik është i imunizuar ndaj parave të pista, nëse mediet tona nuk ofrojnë asnjë mbrojtje ndaj sulmeve propagandistike, nëse kompjuterët dhe rrjetet tona janë të sigurta, dhe nëse drejtësia jonë kriminale dhe agjencitë e kundërzbulimit i mbajnë tek porta gjurmuesit dhe spiunët, atëherë shumë nga shqetësimet tona zhduken.
Por krijimi i rezistencës kërkon kohë dhe përpjekje. Ne e kemi çmontuar kulturën e sigurisë, që na ndihmoi të mbroheshim gjatë Luftës së Ftohtë.
Tani na duhet ta rikthejmë atë prapë. Rreziqet ekzistojnë kryesisht, sepse dikush dëshiron të kursejë apo të bëjë para. Rehatia dhe kostoja e ulët, kanë toleruar për dekada të tëra sigurinë në internet.
Pastrimi i parave të pista, është fitimprurës. Shërbimet tona të kundërzbulimit, përqendrohen kryesisht në kapjen e terroristëve.
Kushtimi më shumë kohe për kapjen së spiunëve, do të kërkojë më shumë burime. Ligje të reja dhe buxhete më të mëdha do të ndihmojnë, por detyra kryesore është ndryshimi i qëndrimeve dhe zakoneve njerëzore në të gjithë shoqëritë tona perëndimore.
Dhe ky është një proces i ngadaltë. Rezistenca rrit koston e sulmeve, dhe ul përfitimin për kundërshtarët tanë. Por edhe ajo ka kufizimet e veta.
Asgjë që bëjmë, nuk mund të ndryshojë topografinë e pafavorshme të shteteve baltike. Dhe as nuk mundemi të parandalojmë vrasjet. Vetëm një strategji e qartë parandaluese mund ta bëjë këtë.
Por parandalimi ynë është strukturalisht i dobët. Së pari, ai përqendrohet shumë më tepër tek arsenali strategjik bërthamor. Këto armë, kryesisht amerikane, janë shumë të papëlqyeshme me publikun, dhe nervozojnë vendimmarrësit.
Është e vështirë të shohësh ndonjë rrethanë në të cilën mund t’i përdorim ato me vendosmëri: Skenari i Apokalipsit, funksionon kryesisht në sigurimin e rrethanave në të cilat ajo që është e nevojshme nuk lind kurrë.
Por, vetëdija se Vladimir Putin nuk ka gjasa të nisë një sulm të parë kundër Perëndimit, nuk është e mjaftueshme për të na mbajtur të sigurt. Regjimi rus po na sulmon në shumë mënyra të tjera, dhe po e bën këtë me sukses.
Ne s’mund të përdorim armët tona bërthamore për t’u hakmarrë ndaj viktimave të sulmit në Salisbury, apo për të penguar çfarëdolloj marifeti të ngjashëm nga ana e Kremlinit.
Parandalimi ushtarak jo-bërthamor, është gjithashtu i pavend. Kemi forca të shkëlqyera speciale, dhe një aftësi gjithnjë e më të dobishme për reagim të shpejtë.
Së bashku me forcat tona të stacionuara në krahun lindor të NATO-s, ato sigurojnë që një sulm ushtarak të mos sigurojë dot një avancim domethënës. Por opsionet përtej kësaj janë të pakta.
Forcat e rënda për të cilat kemi nevojë, janë konfiguruar gabim, ndodhen në vende të gabuara dhe lëvizin shumë ngadalë.
Na mungon mbështetja ajrore dhe detare. Kjo mund të rregullohet, por do të jetë e ngadaltë, e kushtueshme dhe e papëlqyeshme. Dhe madje edhe atëherë, nuk do të jetë e mjaftueshme.
Ne gjithashtu kemi nevojë për aftësi parandaluese jo-ushtarake, të cilat mund t’i përdorim në mënyrë të besueshme, domethënë shpejt, sidomos kundër kërcënimeve jo-ushtarake. Një opsion është vendosja e sanksioneve të shpejta financiare ndaj Kremlinit dhe miqve të tij.
Nëse miqtë e fuqishëm të Vladimir Putinit, e dinë se tentativa e ardhshme për të kryer një vrasje, do të nënkuptonte ngrirjen e menjëhershme dhe konfiskimin e dhjetëra miliarda dollarëve të aseteve të tyre, entuziazmi i tyre për politikën e tij të jashtme dhe për udhëheqjen e tij, do të zbehet.
Ne gjithashtu duhet të shohim me kujdes sulmet informative. Nëse për shembull 10 mijë njerëz në Rusi, do ta dinin se shpenzimet e tyre personale me kartat e kreditit gjatë viteve të fundit janë në duart e agjencive tona të inteligjencës, dhe mund të përfundojnë me lehtësi në internet gjatë krizës së ardhshme të sigurisë, oreksi i tyre për një përballje me Perëndimin do të zvogëlohej ndjeshëm.
Pa dyshim, përmirësimi i rezistencës dhe parandalimit do të jetë i vështirë. Por alternativa është vetëm humbja.
PËRSHTATI TIRANA TODAY