Interneti ka ndryshuar botën rreth nesh, por ai është duke ndryshuar shumë më tepër sesa kaq, po formëson zhvillimin, sjelljen dhe normat tona shoqërore.
Ndërsa rrjetet sociale si Facebook, Snapchat dhe Instagram “gllabërojnë” kohën dhe vëmendjen tonë, doktoreshë Mary Aiken – eksperte e kiber-psikologjisë, shqyrton në librin e saj të ri “Efekti kibernetik”, se si interneti po formëson perceptimin tonë mbi botën rreth nesh, duke shqyrtuar se çfarë efekti do të ketë kjo në zhvillimin e fëmijëve tanë, aftësinë tonë për të formuar marrëdhënie të reja, dhe sesa jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona me botën.
Vogëlushët kibernetikë
Sa herë keni parë një fëmijë të vogël mbi ndonjë lodër, duke shtrënguar në duar një smartfon? Apo një foshnjë në karrocën e vet, duke shfletuar furishëm një iPad? Këto “cyberbabies” (vogëlushë kibernetike), janë qartazi të ndërvarur nga qetësuesit e tyre virtuale – por a është ndalur ndokush të mendojë për një moment, mbi ndikimin e teknologjisë tek një foshnje në zhvillim e sipër?
Akademia Amerikane e Pediatrisë, nuk e rekomandon kontaktin me çfarëdolloj ekrani për fëmijët nën 18 muajsh (me përjashtim të video-telefonatave). Pra aspak televizor për foshnjat, asnjë aplikacion me karikatura qesharake në telefonin celular të prindërve, dhe asnjë film të animuar në një ipad.
Ekziston një perceptim modern (apo një ide e gabuar), se fëmijët e vegjël duhet të mbahen të zënë gjatë gjithë kohës. Një keqinterpretim i neuroshkencës, ka bërë që prindërit të besojnë rëndom, se të gjitha stimulimet për një fëmijë janë pozitive. Ata besojnë gabimisht, se truri i një të riu, duhet të mbahet vazhdimisht i sfiduar dhe i angazhuar. A thua sikur prindërit të kenë frikë, se fëmija i tyre do të mërzitet me jetën e vërtetë, që me siguri do të thotë një jetë pa një ekran.
Sjellja e fëmijëve të vegjël po ndryshon. Në Britani, mësuesit po raportojnë një përshkallëzim të problemeve që lidhen me përdorimin e tabletëve të përhapur në mesin e fëmijëve të moshës parashkollore, duke përfshirë vonesat në zhvillimin e përqendrimit, aftësive të mira motorike, zhdërvjelltësisë, të folurit dhe socializimit, si dhe rritjen e agresivitetit, sjelljeve antisociale, obezitetit dhe lodhjes. Ndaj këshilla e thjeshtë është:Kushtojini vëmendje udhëzimeve, largojini pajisjet derisa fëmija juaj të jetë mjaftueshëm i rritur për to.
Lidhja e miqësive në hapësirën kibernetike
Numri i kontakteve sociale ose i “miqve të rastësishëm”, me të cilët një individ mesatar mund të kultivojë dhe mbajë marrëdhënie të qëndrueshme sociale është rreth 150, i njohur si numri Dunbar. Ky numër ka qenë i qëndrueshëm gjatë gjithë historisë njerëzore, dhe është madhësia e shoqërive moderne të gjahtarëve, madhësisë së shumicës së kompanive ushtarake, ndarjeve më të mëdha industriale, shumicës së listave të kartolinave që dërgoheshin dikur për Krishtlindje, dhe shumicës së festave në dasma.
Çdo gjë përtej numrit të Dunbar-it, është shumë më e komplikuar për t’u përpunuar në nivele optimale. Tani imagjinojeni fëmijën tuaj, që ka nga një llogari në Facebook dhe Instagram, dhe që është aktiv në Snapchat, WhatsApp, dhe Twitter. Shtojini kësaj përzierje të gjitha kontaktet në telefonat celularë, e-maile dhe ato të shënuara në ndonjë bllok.
Një fëmijë aktiv në internet dhe mediat sociale, mund të ketë mijëra kontakte. Dhe nuk po flasim për një grup miqsh intimë. Po flasim për një ushtri. Dhe kush bën pjesë në të? Ata nuk janë në asnjë kuptim miq të botës reale. Ata realisht nuk ju njohin, dhe as duan t’ia dinë për ju.
Ata janë thjesht kontakte në internet, identiteti, mosha dhe emri i tyre është potencialisht i rremë.
Sipas Dunbar, nëse fëmijët do të rriten duke kaluar shumicën e kohës së tyre sociale në internet me mijërat e këtyre “miqve” online, ata nuk mund të fitojnë një përvojë të mjaftueshme në botën reale duke mos qenë pjesë e grupimeve shoqërore të çfarëdolloj madhësie, por veçanërisht në një shkallë të gjerë, duke i bërë ata edhe më pak të aftë për të përballuar turmat e botës reale.
Me fjalë të tjera, kalimi më shumë kohë në mediat sociale, mund t’i bëjë fëmijët socialisht më pak dhe jo më shumë të aftë.
Unë, vetja ime dhe unë
Në epokën e teknologjisë, identiteti duket se po zhvillohet gjithnjë e më shumë nëpërmjet portës së një vetveteje tjetër, më pak të prekshme, një krijese dixhitale. Le ta quajmë këtë “vetvetja kibernetike”, ose kush jeni ju në një kontekst dixhital. Kjo është vetja e idealizuar, personi që dëshironi të jeni. Është një potencial i ri, që tanimë manifestohet në një mjedis të ri, hapësirën kibernetike.
Në një masë në rritje, është vetja virtuale me të cilën është i zënë adoleshenti i sotëm, duke krijuar dhe eksperimentuar. Çdo vit, teksa teknologjia po bëhet një faktor gjithnjë e më dominues në jetën e adoleshentëve, vetja kibernetike është ajo që ndërvepron me të tjerët, kërkon një investim më të madh kohor, dhe ka premisën për t’u bërë super popullore, ose një njeri i famshëm brenda natës.
Selfie, është pjesa ballore e vetes kibernetike, një artifakt tejet i manipuluar, që është krijuar dhe kuruar për konsum publik. Në termat e sjelljes, si mund ta shpjegojmë këtë shprehje të çuditshme dhe të pagabueshme në fytyrat e shumë subjekteve të selfie?
Sytë shohin ekranin, por mendja është diku tjetër. Dritarja virtuale mund të jetë izoluese në rrafshin shoqëror, përveç një gjëje. Selfie nuk mund të ekzistojë në një vakum. Selfie ka nevojë për reagime. Një psikolog mbi kibernetikën, mund të thotë se këtu qëndron i gjithë thelbi i selfie. Selfie-t i shtrojnë një pyetje audiencës së tyre: A më pëlqeni kështu?
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce