Nga: Mustafa Nano
Ishte shtator. Viti 1998. Pandeli Majko kishte pak ditë që, për befasinë e tij, ishte bërë kryeministër. Them për befasinë e tij, pasi ca kohë përpara kësaj ngjarjeje, që është më e rëndësishmja në jetën e tij (një ngjarje më e rëndësishme se kjo në moshën 30-vjeçare do të kishte qenë takimi me engjëllin Gabriel, por kjo nuk dihet të ketë ndodhur. Veç nëse Majko na e ka fshehur. Po pse do të na e fshihte? Takimet me engjëjt janë të vetmet takime që nuk mund e nuk duhet të fshihen. Çfarë kuptimi do të kishte? Engjëjt nuk janë dashnore), ca kohë përpara kësaj ngjarjeje pra, në pikun e tollovisë brenda Partisë Socialiste që pasoi 14 shtatorin, i pyetur nga një gazetar mbi mundësinë që ai vetë të zëvendësonte Fatos Nanon në postin e kryeministrit, dha një përgjigje që nuk do të harrohet kurrë: “Nga e nxore këtë budallallëk?” Kjo përgjigje ishte shprehje e përunjësisë së tij, thënë me fjalë të tjera ishte shprehje e faktit që atëmot Majko jetonte më shumë sesa duhet me limite të vetat. Ishte e qartë se i kishte menduar të gjitha gjërat në këtë botë, ndoshta edhe ndonjë takim real me ndonjë vizitor nga qielli, por kurrë që do të bëhej një ditë kryeministër. Dhe kjo ishte e kuptueshme. Partia Socialiste në atë kohë më shumë ngjante me një Akademi sesa me një grupim politik. E si mund t’i shkonte mendja një njeriu që sapo kishte dalë nga bankat e shkollës me dëftesën e një studenti mesatar të bëhej kryeministër para shumë të tjerëve, të cilët ai i kishte pasur pedagogë?
Dy a tri ditë pasi ishte futur në zyrën e katit të dytë të pallatit që ndodhej (e ndodhet) në krah të majtë të Piramidës e në krah të djathtë të hotel “Rognerit”, mua më erdhi një ftesë për t’u takuar me të. Në atë kohë unë nuk kisha përunjësinë e Majkos. E megjithatë, sikur të më thoshin se kryeministri i Shqipërisë, me t’u zgjedhur, pa mbushur ende dyzetetetë orë në zyrën e tij, mes kokëçarjeve të shumta që vinin prej vendit në krizë, do të fuste në agjendë edhe një takim me mua, unë do t’i thosha: “Nga të shkoi në mendje ky budallallëk?”. Mirëpo nuk paskësh qenë një “budallallëk”. Pastaj, një kryeministër, i cili e kishte parë si një “budallallëk” emërimin e tij në atë post të lartë, nuk mund ta niste punën ndryshe, veçse me një “budallallëk”.
Që të jem i sinqertë, unë e dija që isha një gazetar i rëndësishëm. Ishte koha kur shkruaja te “Shekulli” i Kokëdhimës që, duhet thënë kjo, nuk ishte edhe aq shumë i Kokëdhimës. Në mos gaboj, ka qenë koha e letërkëmbimit tim publik me Fatos Lubonjën, dhe ne të dy, Lubonja dhe unë, ishim yjet e momentit (ishte epoka antike e gazetave; nuk kishin dalë ende programet talk show nëpër televizione). Tërhiqnim vëmendjen edhe për faktin që “e kritikonim të majtën, duke qenë të majtë”. Dhe si për ta konfirmuar këtë gjë, Majko kishte ftuar në zyrë edhe Lubonjën. Po atë ditë. A ndoshta një ditë më parë.
Nuk mbaj mend se si më erdhi ftesa. Me siguri ka qenë ndonjë telefonatë e tipit (atë kohë, me sa mbaj mend, nuk kishte dalë ende telefonia celulare): “Jam një këshilltar i kryeministrit Majko. Ky i fundit ju fton nesër për një takim në zyrën e tij”. Nuk ishte hera e parë që do të takoja një kryetar shteti a qeverie në zyrën e tij. Hera e parë ka qenë me Aleksandër Meksin (për të cilin do të flas një herë tjetër), në vitin 1994. Pas tij, kisha takuar në zyrë Sali Berishën, kur ishte President i Republikës. E më pas Rexhep Meidanin. Por para këtij të fundit isha takuar edhe me Franjo Tuxhmanin, gjatë vitit 1997, kur isha diplomat në Zagreb (në atë takim shoqëroja ambasadoren Miriam Bisha). Kështu që nuk bëhej fjalë për ndonjë “herë të parë”, apo për ndonjë ngjarje të rrallë në jetën time. Përkundrazi, isha i regjur me takime të tilla.
Por Majkon vetë, sidoqoftë, do ta takoja për herë të parë. Më priti te dera e zyrës dhe pastaj shkoi e u ul në ndenjësen e tij, prapa skrivanisë, duke më ftuar të ulesha përballë. Ishte ende “i droguar” prej emërimit në atë post, gjë që dukej te një gjallëri e pazakontë që i shfaqej kudo në qenien e tij, në gjeste, në ecje, në fytyrë, në shikim, në mënyrën e të folurit. Unë prisja të shihja një njeri të pushtuar nga përgjegjësia, por ai në një moment të parë m’u duk i lumtur. Thjesht i lumtur. Por pak minuta më pas unë zura të besoja se ai ishte i lumtur prej përgjegjësisë.
Unë nuk kam ide se kush është Pandeli Majko në thelb, por në dy raste që e kam takuar, më është shfaqur si idealist. Me fjalë të tjera, jepte përshtypjen se nuk i shkonte mendja ta lëshonte veten të tërhiqej prej motivimeve humane të karrierës, famës, apo ndonjë nepsi tjetër çfarëdo. Ta dëgjoje atë, ishte si të bëje muhabet me vëllezërit Frashëri. Ishte Majko vërtet idealist? Nuk e di. Por një tipar të idealistit e kishte: vizionin e thjeshtëzuar dhe patetik për botën e për vendin. Kur e pyeta se cilat do të ishin përparësitë e tij kryeministrore, përgjigjja e tij ishte e thjeshtëzuar dhe lakonike në nivele çarmatosëse. “Dy gjëra kam unë në kokë e në zemër: flamurin amerikan dhe Rrugën e Kombit.” Dhe m’i ilustroi aty për aty. Më tregoi me gisht mbi skrivani, ku ishte një flamur amerikan, të cilin veç në atë çast e vura re (ishte pak çudi që nuk e kisha vënë re, pasi e mbaj veten si vëzhgues të mirë; por kjo shastisje imja mund të shpjegohet edhe me faktin që flamuri amerikan nëpër tryeza zyrtarësh shqiptarë ishte bërë tanimë një gjë e rëndomtë, aq e rëndomtë sa, si rregull, do të duhej të më ndodhte e kundërta, d.m.th. të më binte në sy, mos e dhëntë Zoti, mungesa e ndonjë flamuri amerikan mbi skrivani). Dhe menjëherë më pas, ai u çua më këmbë dhe iu afrua një harte të Shqipërisë (ndoshta të Shqipërisë së madhe, por për këtë nuk jam i sigurt) të varur në mur pas shpinës së tij, dhe zuri të më fliste mbi gjurmën e asaj rruge, që në atë moment ishte veç në kokën e Majkos. Zuri të më fliste edhe për taksën e rrugës, që do të përmendej më vonë si taksa “Majko”. Në atë kohë, Berisha ishte i zënë me punët e çuditshme që kryente tok me demokratët e Bushatit e të Mamurrasit. Veç për Rrugën e Kombit nuk mendonte. Dhe unë kam pritur që Majko të ngrihej një ditë e ta akuzonte Berishën për abuzimin me të drejtat e autorit e të thoshte se ai nuk mund të bënte sehir që një “pronësi intelektuale e tij” të vidhej në mënyrë aq spektakolare.
Për herë të dytë, e të fundit, Pandeli Majkon e kam takuar në studion e programit “Déjà vu”. Nuk ishte më kryeministër. Por folëm për periudhën e tij kryeministrore, gjatë së cilës ndodhi një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e shqiptarëve: çlirimi i Kosovës. Dhe para kësaj, ndodhi bombardimi i NATO-s. Para bombardimit, ndodhi eksodi i detyruar i shqiptarëve. Dhe përballë një fotoje, ku shfaqeshin çadrat e kampit të refugjatëve kosovarë në Kukës, Majko pati një përjetim të veçantë. Gati u përlot. M’u duk sikur kaloi në gjendje jermi. Pashë sërish Majkon idealist. Idealist në kuptimin “e thjeshtëzuar dhe patetik”. Dhe mes meje e tij u zhvillua pak a shumë ky dialog:
“Ai: Gjatë kohës së luftës, unë dhe gruaja ime nuk kemi fjetur në krevat dopio.
Unë: Keni fjetur në krevat tek? E pse?
Ai: Jo, kemi fjetur në dysheme. Drejt e në dysheme.
Unë: Në dysheme? Po bëni shaka?
Ai: Jo, nuk po bëj shaka. Nuk mund të flinim në krevat. Ishte e pamundur.
Unë: E pse?
Ai: Unë shihja lajmet në mbrëmje, shihja ata mijëra kosovarë që jetonin në çadra dhe përfytyroja se si flinin ata, të shtrirë në tokë, të ngjeshur njëri pas tjetrit. Nëse do të flija në krevat, do të kisha ndjesinë e një tradhtie që po u bëja atyre njerëzve. Dhe kështu i thashë gruas: Na shtro në dysheme. Për sa kohë ata njerëz do të flenë në çadra, ne të dy do të flemë në dysheme. Nuk ka kuptim ndryshe.”
Ky ishte Pandeli Majko. Prej asaj kohe nuk e kam takuar më./ Gazeta Liberale