Shteti fqinj, Greqia, ka vendosur që të “sfidojë” koronavirusin dhe të mirëpresë turistët gjatë stinës së verës.
“Turistët do të jenë të mirëpritur ta vizitojnë Greqinë këtë verë, por rregullat e distancës sociale do të mbeten në fuqi për t’i mbajtur njerëzit të sigurt nga koronavirusi”, tha Ministri grek i Turizmit, Harry Theocharis.
Ky i fundit i mëshoi faktit se turistët nuk kanë pse të shqetësohen pasi qeveria do të marrë masa të rrepta sigurie.
Theocharis deklaroi se Greqia do hartojë një plan të mirëpërcaktuar e specifik në mënyrë që jeta e çdo individi të jetë e mbrojtur dhe të mos kërcënohet nga COVID-19.
“Sigurisht që do të ndërmarrim masa paraprake përsa i përket kërkesave para udhëtimit, por edhe vetë udhëtimit, mënyrës së qëndrimit. Do të zbatohen rregullat e distancës sociale. Ka shumë gjasa që ne do të kemi disa kërkesa para udhëtimit”, u shpreh Theocharis.
Kujtojmë se edhe në Shqipëri pritet që këtë verë të bëhet plazh, por me një rregullore të re.
Para pak ditësh, Ministri i Turizmit Blendi Klosi përgjatë një interviste televizive foli për turizmin në kohën e pandemisë teksa theksoi:
“Ka disa masa që po merren. Do ketë një rregullore të re. Do ketë disa kushte në mënyrë që ata që shkojnë për pushime të mos kthehen në vatra infektimi. Por cilat do të jenë këto kushte?
1- Higjiena është parësore. Një ndër gjërat që do ndalohen janë bufetë e hapura. Duhet të kenë hapësira shumë të detajuara. Në tavolinë mos të ketë më shumë se 2-4 persona.
Si fillim të hapen restorantet në natyrë. Çadra nga çadra duhet të ketë distancë 3.5 metra dhe një distancë nga deti.
2- Trajnimi i stafit. Tani duhet që stafi i punës në plazhe të jetë i trajnuar për mënyrën e sjelljes ndaj një situate të tillë”.