Hetimi dhe çlirimi i presidentit Trump nga akuzat, një ngjarje dhe një lajm i mirë për demokracinë në të gjithë planetin.
Nga: Preç Zogaj
Përfundimi i hetimeve të Prokurorit të posaçëm, Robert Mueller, rreth dyshimeve për një konspiracion rus në zgjedhjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në vitin 2016, pritej me mbajtje fryme në SHBA dhe në të gjithë botën. Është e tepërt të numërohen arsyet.
Zoti Mueller e shfryu këtë pritje në fund të javës së shkuar tek i dorëzoi Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, zotit William Barr, raportin përfundimtar të hetimit që zgjati rreth dy vjet. Në një njoftim të parë për Kongresin amerikan, zoti Barr shkroi fjalët që bënë menjëherë xhiron e botës: “Hetimi i Këshilltarit të posaçëm nuk gjeti që fushata e Trump apo dikush që shoqërohej me të kishte komplotuar ose ishte koordinuar me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara”. Po sipas Barr, Mueller nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar presidentin Trump se ka kryer krim, por ndërkohë, nuk e shfajësonte atë.
“Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë, nuk ka pasur pengim të drejtësisë, shfajësim total”, shkroi flakë për flakë presidenti Trump në “Twitter”.
Nuk ka dyshim se një fund si ky ka ardhur si çlirim për mbështetësit e presidentit, ndërkohë që ka zhgënjyer kundërshtarët e tij në kampin e demokratëve dhe në një numër të madh mediash në opozitë me të. Përplasja në aulat e politikës amerikane do të vazhdojë për çështje të tjera anësore të hetimit të Mueller. Demokratët që janë shumicë në Kongres nuk kanë humbur asnjë minutë për ta paralajmëruar këtë.
Vështruar nga jashtë, përtej gëzimit të një pale dhe zhgënjimit të një pale tjetër, hetimi dhe çlirimi i presidentit Trump nga dyshimet për influenca ruse në zgjedhjen e tij janë një ngjarje dhe një lajm shumë i mirë për mbarë familjen e kombeve të lira.
Ngjarja është hetimi i pavarur dhe skrupuloz i presidentit në detyrë. Ka ndodhur edhe më parë në SHBA, është një standard i sundimit të ligjit në atë vend. Menjëherë na shkon në mend rasti i bujshëm i presidentit Nikson që u hetua për skandalin e bujshëm “Watergate” të vitit 1972 dhe u dorëhoq nga posti i presidentit të SHBA-së për këtë shkak. Në rastin e Trump dyshimet dhe akuzat ishin shumë më të rënda, sepse, në dallim nga “Watergate” që ka qenë një konspiracion në shkelje të ligjit brenda shtëpisë, ato presupozonin një konspiracion me një fuqi kundërshtare në skakierën e politikës botërore, siç është Rusia. Për këtë arsye një pjesë e madhe e vendeve dhe qytetarëve të botës ishin gjithë sy e veshë jo thjesht për fatin e presidentit Donald Trump, por të demokracisë dhe civilizimit perëndimor që kanë në SHBA fortesën numër një në shkallë globale.
Ky hetim dëshmoi edhe njëherë se në konstitucionin e demokracisë amerikane monarku i vetëm është ligji, siç thoshte njëri prej etërve themelues, Tomas Jeffereson, se SHBA-ja nuk e lë për nesër kur është fjala për të bërë zbardhjen dhe transparencën e akuzave të mëdha, pavarësisht se kush është personi për t’u hetuar. Është pikërisht ajo që thoshte princi Makiavel, këshilltari që vazhdon të flasë nga përjetësia e tij, se akuzat që sqarohen në instancat e ligjit i bëjnë mirë shoqërisë, ndërkohë që kur u lihen shamatorëve të rrugës (pra kanë për destinacion fantazinë – komenti im), vetëm e helmojnë atë.
Në reflektimin e vet në Shqipërinë tonë të vogël, megjithëse pranëvënia dhe temat e krahasimit të SHBA-së me Shqipërinë janë mjaft shproporcionale dhe të rrezikuara nga komizmi për këtë shkak – hetimi i presidentit në detyrë të SHBA-së, nxjerr në dritë sërish e sërish raportin e deformuar që kanë me ligjin drejtuesit tanë politikë. Me fare pak përjashtime, historia jonë e tranzicionit i ka parë këta drejtues mbi ligjin, shpërfillës, denigrues dhe dhunues verbalë të organeve të drejtësisë. Megjithëse janë politikanët më të akuzuar në Europë për përfshirje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në afera korruptive dhe në shkelje të ligjeve. Mbrojtja ndaj akuzave është një e drejtë e shenjtë e individit. Respektimi i institucionit të akuzës dhe gjykimit është një detyrë po aq e shenjtë nga çdo shtetas. Një periudhë të re në këtë rrafsh premton të hapë Drejtësia e Re.
Lajmi shumë i mirë nga hetimet e prokurorit Mueller është konkluzioni i raportit se Rusia nuk ka mundur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Hetimi ka provuar se tentativa ruse ka pasur, disa ish-pjesëtarë të stafit të Trump të dënuar për financime dhe kontakte të paligjshme të kësaj natyre, por vetë presidenti dhe të afërmit e tij nuk janë përfshirë.
Do të kishte qenë një nga ngjarjet më të trishtuara të shekullit nëse do të provohej e kundërta, pra që presidenti i vendit kampion të demokracisë do të rezultonte i ndihmuar me dijeninë, vullnetin dhe bashkëpunimin e tij nga një fuqi rivale që nuk shquhet se bën vetë zgjedhje të lira e demokratike. Kjo do ta kishte bërë vulnerabël Amerikën duke e goditur në asetin e saj më çmuar, në atë që përbën burimin kryesor të mrekullisë amerikane, të fuqisë dhe epërsisë së saj që janë zgjedhjet e lira, konkurrenca e lirë. Manipulimi i zgjedhjeve amerikane nga Rusia putiniste do të kishte qenë grushti dhe virusi më i rrezikshëm kundër zhvillimeve demokratike në botë. Kjo nuk ka ndodhur. Sistemi, tradita, zakonet, vetëdija, kultivimi dhe krenaria amerikane i kanë shumëzuar me zero ndërhyrjet ruse në zgjedhjen e presidentit. Një lajm si ky, i certifikuar me një hetim që ka zgjatur rreth dy vite, ngre siparin e një impenjimi të ri amerikan në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe demokracisë në vendet partnere. Në fakt, pas raportit të Mueller, presidenti amerikan ka hequr një ngërç. Shtëpia e Bardhë, qeveria dhe institucionet amerikane kanë marrë forcë dhe kanë rifituar një kuotë të re besimi në botë.
Në të voglën e tyre, që është e madhe për qytetarët e tyre, Shqipëria dhe Kosova marrin përfitimet e tyre nga ky zhvillim. Reforma në drejtësi, si përparësi e politikës së jashtme amerikane në Shqipëri, i ka vuajtur deri diku në afate pasojat e hetimit të Trump, megjithëse ka ecur pa u ndalur në shtratin ligjor kushtetues falë impenjimit konstant të zyrtarëve amerikanë. Me përfundimin e këtyre hetimeve është e qartë se zbatimi i reformës dhe nisja e drejtësisë së re do të hyjnë në një temp të ri, ndërsa hapësirat për stërkëmbësha do të mbyllen plotësisht. Kosova, nga ana tjetër, i ka në favor duart e zgjidhura të presidentit Trump, i cili ka demonstruar një angazhim prioritar për një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës përmes një marrëveshjeje të balancuar me Serbinë, që do të çonte në arkivimin e konfliktit shekullor mes tyre.
Një “Shtëpi e Bardhë” e bardhë në kuptimin e pastrimit nga dyshimet për ndërhyrje ruse, do ta shohë SHBA-në më të vendosur përkrah partnerëve të tyre, në shërbim të interesave të përbashkëta strategjike. Një SHBA e fortë është e mirë për demokracinë në botë. E mirë për Shqipërinë./Gazeta Liberale