Një shqiptar nga Presheva, Bashkim Sejdiu ka krijuar një aplikacion që lehtëson jetën e emigrantëve në Itali.
Aplikacioni quhet “Infostranieri” dhe mund të shkarkohet nga sistemet operative Android apo iOS dhe ofrohet në 10 gjuhë të ndryshme, ku përfshihet edhe gjuha shqipe.
Nëpërmjet disa formularëve digjitalë shpjegohen praktikat burokratike dhe dokumentet që nevojiten për të aplikuar për leje qëndrimi, për bashkim familjar, nënshtetësi italiane apo shërbime të tjera të kësaj natyre.
I cilësuar si emigranti që mbështet integrimin e të huajve, Sejdiu ka lindur 34 vite më parë në Preshevë, në Kosovë dhe familja e tij u transferua në Itali kur ai ishte vetëm 10 vjeç, aktualisht jeton në Varese, në rajonin e Lombardisë.
Gjatë një interviste të dhënë në Itali për Radio Dj, ideatori shqiptar ka shpjeguar se aplikacioni ka si qëllim të jetë një mjet ndihmës për të huajt që vijnë për herë të parë në Itali, si edhe për ata që jetojnë prej kohësh në territorin italian.
Sipas Sejdiut, ky aplikacion përmban të gjithë informacione që ai do të kishte dashur të kishte kur shkeli për herë të parë në Itali dhe gjithashtu nëpërmjet tij emigranti arrin të jetë sa më autonom në zgjidhjen e çështjeve burokratike, duke përmirësuar dhe përshpejtuar kështu integrimin në shoqërinë italiane.