Shqiptarët nuk kanë aspak besim tek leku. Për këtë arsye, i ruajnë kursimet e tyre në monedhën euro. Ky është konstatimi që bën Banka e Shqipërisë, e cila po synon që të ulë përdorimin e euros në ekonomi në mënyrë që të rrisë vlerën e monedhës vendase.
Euro është një mjet pagese thuajse i ligjëruar në shumë transaksione me vlerë të madhe, si pasuri të paluajtshme (troje e shtëpi) makina, e deri në pikat e shitjes me pakicë, si dhe më shumë se gjysma e huasë dhe depozitave janë në monedhë të huaj.
Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë, e shqetësuar se Shqipëria po euroizohej me shpejtësi, sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj (banka hoqi remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve). Në atë kohë, kredia për ekonominë në valutë përbënte 65% të totalit, ndërsa pesha e depozitave ishte 48.3%.
Kur kanë kaluar 6 vjet, bankat rezulton që e kanë pasur më të lehtë të frenojnë huadhënien në valutë. Në fund të shkurtit 2017, pesha e kredisë në monedhë të huaj zbriti në 52.4%, pra gati me 13 pikë përqindjeje. Por bankat nuk kanë mundur të kontrollojnë kahun e ofertës, atë të kursimeve në valutë. Ndonëse interesat e depozitave në euro janë afër zeros, dhe monedha e përbashkët është zhvlerësuar ndjeshëm vitet e fundit, kjo nuk i pengon shqiptarët të mbajnë kursimet në euro. Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në 52.4% të totalit në fund të shkurtit 2017./Monitor