2017-a ofroi për Shqipërinë panoramën e zakonshme që tranzicionit, ku situata është zakonisht e rëndë po jo serioze… Qindra tentativa për të ikur sërish nga vendi me dokumente të falsifikuara. Dhjetëra drama njerëzore, shpesh me fundin tragjik të vetëflijimit, si pasojë e varfërisë dhe mjerimit.
Grabitje masive, aksidente të shumta rrugore, krime të llahtarshme brenda familjes, ekzekutime mafioze në mes të ditës. Mjerisht, “radiografia” e zakonshme e një Shqipërie të dërrmuar nga të gjitha anët.
Ekonomia dhe arratia e shqiptarëveTë dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, “ngopën” çdo muaj barkun e të gjithë shqiptarëve. Ekonomia pati në shifra rritje të kënaqshme, edhe pse polarizimi social vazhdoi të thellohej. Pati më pak azilantë në ikje dhe më shumë në kthim.
Kultivimi i kanabisit
Shqipëria vazhdoi të bëjë bujë në mediat botërore për dy dukuri tejet në kontrast me njëra-tjetrën: rekordin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, dhe bukurinë natyrore e potencialet turistike që ofron.
Sigurisht me të parat që dominojnë, duke qenë se lajmi i keq bën më tepër përshtypje se i miri. Qindra tonë drogë u kapën në vend dhe nga autoritetet e vendeve fqinje.
Qeveria bën be se situata kritike e vitit 2016 është tejkaluar dhe se të mbjellat me drogë në fusha të hapura thuajse janë asgjësuar. Mbetet që kjo të shihet në vazhdim. Ndonëse dështimi për të arrestuar zyrtarët e lartë të policisë që kanë bashkëpunuar në këtë trafik, si dhe trafikantët e mëdhenj që e kanë organizuar atë, të bën pak optimist.
Reforma në drejtësi Reforma në drejtësi, u zvarrit deri në vjeshtë, duke u përdorur vazhdimisht si një mjet shantazhi nga mazhoranca, ndërsa opozita është vetëmbrojtur duke sulmuar kapjen e drejtësisë nga mafia.
Protestat e opozitës Në nisje të këtij viti, opozita ndezi një fije shprese kur një tubim i madh para kryeministrisë, u shndërrua në një protestë maratonë, që u paralajmërua se do t’i jepte fund republikës aktuale të korrupsionit dhe kanabisit, dhe se më pas do të jetonim në Republikën e Dytë Shqiptare të pluralizmit demokratik.
Militantë, interesaxhinj, njerëz të mllefosur për një mijë e një arsye e me qeverinë, naivë, kureshtarë, provokatorë, gazetarë, njerëz të botës së shkencës, kulturës dhe artit, e shndërruan të ashtuquajturën “Çadër të Lirisë” në një vend pelegrinazhi, nga ku thuhej më shumë se sa besohej, se do të çelej më në fund një dritare e re mundësish për shqiptarët, ndonëse ideatorët dhe drejtuesit e “revolucionit” ishin kryesisht të njëjtat fytyra, që më pak se 4 vite më parë ishin larguar pa lavdi nga pushteti.
Përballë rezistencës së qeverisë, opozita kërcënoi të mos hynte fare në zgjedhje. Por pas presionit të fortë amerikan, lideri demokrat Lulzim Basha pas një takimi disa orësh kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama, ra dakord për një gjysmë-qeveri formalisht teknike, por që de fakto e bëri PD-në pjesë të qeverisë me postet kyçe.
Kësisoj, Basha flaku tej “govatën” bashkë me “foshnjën” e Republikës së Re që kishte premtuar, dhen u bë palë me qeverinë e republikës së vjetër.
Fushata zgjedhoreFushata zgjedhore ishte thuajse shterpë në ide dhe tejet pasur në humor, batuta dhe kuvendime gju më gju me popullin. Në vend të projekteve për më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve, ujë, rrugë, shkolla etj shqiptarët dëgjuan të flitej për enët e kulinarisë; kazanët, tavat, tepsitë, tenxheret etj.
25 qershoriMinistrat teknikë që supozohej të ishin garantë të mos-abuzimit të qeverisë me fondet shtetërore, dhe të mos-blerjes së votave, dështuan me sukses në këtë mision fisnik, por jo në atë të hedhjes me shpejtësi të disa firmave në disa tenderë dhe koncesione korruptive, që sikurse janë zbuluar muajt dhe javët e fundit, i kanë shkaktuar disa miliona euro dëm buxhetit të shtetit.
Pa asnjë aleat PS fitoi e vetme shumicën e mjaftueshme për të qeverisur vendin, duke e shtyrë në opozitë pas 8 vitesh në pushtet LSI-në e Ilir Metës, pasi e zgjodhi më herët këtë të fundit president, vetëm që të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme, kur qeveria mund të ishte vërtet më teknike, dhe më larg ndikimit të Edi Ramës, dhe jo sikurse ndodhi. Pas verës së nxehtë, politika nuk do të reshtte të plasuri “fishekzjarrët” e saj.
Dosja Tahiri-Habilaj Pak javë pas nisjes së legjislaturës së re parlamentare dhe votëbesimit të kabinetit “Rama 2”, shpërtheu skandali i lidhjeve të dyshuara të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me kushërinjtë e tij të largët vlonjatë Habilaj, në trafikimin e sasive të mëdha të drogës në Itali, sipas përgjimeve dhe hetimeve të vetë prokurorisë italiane.
E “zgjuar” nga gjumi, prokuroria shqiptare nxitoi të rihapte dosjen dhe i nisi shpejt parlamentit kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Tahirit.
Orët e para ky i fundit u pa dukej psikologjikisht i dorëzuar, duke u shprehur se me gjasë “do të bënte edhe pak burg”, por paralajmërimet e tij se do të merrej shpejt me ata që kishin filluar të fërkonin duart në opozitë por edhe në selinë rozë, ndryshoi të paktën përkohësisht rrjedhën e ngjarjeve.
Parlamenti mori pjesërisht edhe atributet e gjykatës duke shoshitur faktet e paraqitura. Vendosi mos-heqjen e imunitetit, dhe për rrjedhojë mos-arrestimin e tij, duke e vijuar hetimin në gjendje të lirë.
Në një pozitë delikate, mazhoranca u kundërpërgjigj, duke arritur të rihapë çështjen e skandalit CEZ- DIA, ku përfshihet djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Kryeprokurori dhe Çizmja e Monikës Mbarimi i mandatit të kryeprokurorit Adriatik Lalla, me një bilanc tepër negativ dhe zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku vetëm me votat e shumicës, riktheu tensionin në Kuvend, por me një lloj “koreografie” paksa të ndryshme që përfshiu veç kacafytjeve trupore, edhe hedhjen e tymueseve dhe gjuajtjet me çizme firmato drejt kryeministrit.
Javët e para të vitit të ardhshëm paralajmërohen të jenë të stuhishme, me arrestime të bujshme të zyrtarëve të rangut të lartë për korrupsionit, paralajmërime këto të bëra publikisht nga vetë ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu.
Deri atëherë, shqiptarët mbetet të shijojnë atmosferën e festave dhe spektaklin e fishekzjarrëve, duke harruar për një moment “fishekzjarrët” e politikës, që si zakonisht japin shfaqje për të gjithë, kur janë të detyruar.
PensionistëtArmata e madhe e pensionistëve, mbeti sërish në bisht të prioriteteve të qeverisë, teksa buxhetorët e rangut të ulët pësuan një rritje disi domethënëse të pagës së tyre në prag të zgjedhjeve parlamentare.Por siç e thotë fjala e urtë: Qeveria me një dorë t’i jep, dhe tjetrën t’i merr! Këtë vit u rritën disa tarifa shërbimesh, kryesisht në nivelin e qeverisjes vendore, ndërsa vitin e ardhshëm hyjnë në fuqi disa taksa të tjera.
Barra fiskale pritet të rëndohet dhe për biznesin e vogël, që sigurisht do ta shkarkojë atë sërish tek konsumatori i thjeshtë.
Telenovela bajateKëtë fundvit, politikanët do të urojnë sërish shqiptarët. Disa do të ndërmendin me gjysmë zëri “sukseset”, justifikojnë dështimet, kërkojnë ndjesë, dhe premtojnë ditë më të mira, të tjerët do na rikujtojnë batakun ku ndodhemi, duke na ftuar të dalim sërish në rrugë, ashtu si një vit më parë, për të shembur të vjetrën dhe mirëpritur të renë që lulëzon gërmadhash.
E njëjta “telenovelë” bajate, të cilën shumëkush shpreson të marrë fund, kur “producentët”, “skenaristët”, “regjisorët” dhe “aktorët” e saj të fillojmë t’i shohim prapa hekurave të burgut, duke dhënë sadopak llogari për të njëqindat që i kanë punuar këtij vendi.
PËRGATITI TIRANA TODAY