Ish prokurori Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se në fillim të dhjetorit, do të ngrihet SPAK, ku dhe do të kemi rezultatet e para. Duke folur në emisionin ’45 Minuta’ në Report TV, Hajdari është shprehur ndër të tjera se prokurorët e SPAK do të jenë tepër të mbrojtur, dhe se nuk do të kenë ndikim nga asnjë i korruptuar.
“Fillimi i dhjetorit, SPAK do të fillojë punë, për mua. Drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet nga KLP nga këto 8 persona. Është bërë një renditje dhe mbi bazën e aftësive të tyre do të renditen, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë në fund do të vendos. Dumani mund të jetë drejtues. Do ta kishte zili çdo Prokurori anti-mafia”, ka thënë më tej ai.
Ish prokurori ka shtuar më tej se SPAK do të hetojë edhe vrasje të bujshme në vend, që kanë patur indicie politike. Sa i takon pasurisë së personave që do të dënohen nga SPAK, Hajdari ka deklaruar se do të sekuestrohet e gjitha. “Fajtorëve do t’u merret edhe pasuria që është vjedhur”, konfirmoi më tej ai.
“Në themel SPAK do të merret me akuzat. Kur bëhet fjalë për korrupsion. SPAK mund të shkojë edhe tek disa vrasje të bujshme që mund të kenë lidhje me politikën.
Nuk kemi nevojë ti diskutojmë. Por ka indicie që këto vrasje kanë ardhur si pasojë e përplasjes politike. Fajtorëve do tu merret edhe pasuria që është vjedhur. SPAK është ngritur për dy qëllime.
Strukturë për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e dyta sekuestrimi i pasurisë që u takon popullit shqiptar. Do bëhet mësim. Arresti është në dorë të Parlamentit. Masa arrest me burg… SPAK i ka kushtet të jetë i pavarur nga goditjet. Super të mbrojtur. Do të jenë prokurorë patriotë”.