Inspektori i Përgjithshëm i Republikës, Shkëlqim Hajdari së fundmi ka njoftuar se prodhimet shqiptare të mbetura stok, si pasojë e koronavirusit, do të eksportohen në Kosovë dhe Maqedoni.
Nga pika e përbashkët kufitare e Morinit, Hajdari deklaroi se “pushteti lokal i Kukësit me pushtetin lokal të Prizrenit dhe autoritetet shtetërore qendrore të Prishtinës me Tiranën po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si në një situatë lufte, duke mbrojtur jo vetëm biznesin, por edhe konsumatorët”.
“Ka filluar komunikimi me të gjithë firmat që janë në territoret tona, që mallrat që janë në Shqipëri që për hir të situatës nuk eksportohen dot në vendet perëndimore, t’i krijohen kushtet, të mos dëmtohen, por të kalojnë në territorin e Maqedonisë dhe Kosovës.
E njëjta gjë është edhe për mallrat e tjera që vijnë nga Kosova për në Shqipëri, dhe siç e konstatoni vetë, Morini e ka arritur këtë situatë sepse pushteti lokal i Kukësit me pushtetin lokal të Prizrenit dhe autoritetet shtetërore qendrore të Prishtinës me Tiranën bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si në një situatë lufte. Domethënë, gjithsecili duke kryer detyrat e veta, por gjithsecili duke ndihmuar njëri-tjetrin në këtë situatë”, u shpreh Inspektori i Përgjithshëm.
Krerët e bashkive, të Prizrenit dhe Kukësit pohuan se tashmë kjo iniciativë zgjidh njërin prej problemeve shqetësuese në këtë situatë të pazakontë pandemie ndaj dhe informimi i bizneseve dhe orientimi i tyre për shkëmbimet tregtare është një shpresë për të lehtësuar jetesën.
Vlen të theksohet fakti se aktualisht Kosova përmes Portit të Durrësit dhe pikës kufitare të Morinit siguron rreth 70% të mallrave për konsum dhe me këtë iniciativë shifrat do të kenë sërish rritje.