Ideja e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës ka hyrë në një spirale që mund të ketë pasoja fatale për rajonin e Ballkanit. Arritja e një marrëveshjeje midis presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shkëmbimin e territoreve mund të ketë efekt domino për rajonin e Ballkanit.
Ndërkohë që faktori ndërkombëtar e ka kundërshtuar hapur idenë e shkëmbimit të territoreve, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka heshtur dhe vazhdon të heshtë me atë që po ndodh në Kosovë. Heshtja e tij tregon miratim të idesë së Vuçiçit dhe Hashim Thaçit. Ky i fundit si iniciuesi i kësaj ideje, kërkon t’i shpëtojë burgut duke iu manovruar Gjykatës Speciale që po ngrihet për të. Kjo është analiza që zhvillon për “The Guardian” Andrew MacDowall, e përkthyer në shqip nga Tirana Today. Sipas tij, realizimi i kësaj ideje do të shpërbënte Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe do të krijonte kushtet për rikthimin e konflikteve të përgjakshme në rajonin e Ballkanit.Nga Andrew MacDowall, “The Guardian”/Mund të jetë një marrëveshje për të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme, prosperitet dhe një integrim evropian në Ballkan – ose mund të zhysë rajonin në një konflikt të ri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përgatitet të vizitojë Kosovën muajin e ardhshëm, duke dëshmuar gjithnjë e më shumë se Beogradi dhe Prishtina, po flirtojnë me idenë e arritjes së një marrëveshje për të ndarë territorin e kontestuar, dhe për të kryer një shkëmbim territoresh përgjatë linjave etnike.
Vuçiç dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, do të rifillojnë ndërkohë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel, të cilat synojnë të normalizojnë raportet midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe të hapin për të dyja vendet perspektivën e anëtarësimit në BE.
Por ka shqetësime në rritje, lidhur me një pakt për ndarjen e Kosovës. Kritikët thonë se kjo do të hapë “kutinë e Pandorës” në Ballkan, me Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë si vatra të mundshme shpërthyese.
Edhe në Shqipëri, e cila kufizohet me Kosovën, një ndarje e tillë shihet nga shumë njerëz me shqetësim, dhe kryeministri Edi Rama akuzohet për një heshtje të pazakontë.Vuçiç do ta përdorë vizitën e tij më 9 shtator në Kosovë, për të nxjerrë “udhëzime dhe drejtime të politikës shtetërore ndaj Kosovës”. Më herët gjatë këtij muaji, ai tha se favorizonte ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike, çka do të thotë që veriu i dominuar nga serbët të integrohet në Serbi.
Thaçi është akuzuar për mbrojtjen e planit të tij, përmes një gjuhe të paqartë. “Një marrëveshje duhet të jetë një gjëja e fundit dhe historike, që do t’i japë njëherë e përgjithmonë fund konflikteve mes Kosovës dhe Serbisë”- shprehet Bekim Çollaku, shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës.
“Të dy palët, përfshirë bashkësinë ndërkombëtare, po mendojnë shumë, madje jashtë kornizave aktuale, me kujdes dhe në mënyrë krijuese, duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Objektivat e Kosovës janë të qarta: nuk ka ndarje sipas linjave etnike, por ne i themi po një rregullimi paqësor të kufirit dhe njohjes reciproke”.
Raportet tregojnë se Lugina e Preshevës, një zonë strategjikisht e rëndësishme e Serbisë, e cila ishte skena e një kryengritjeje etnike shqiptare në vitet 1999-2001, mund t’i dorëzohet në këmbim Kosovës. Shumica dërrmuese e kosovarëve, janë shqiptarë etnikë.
Kosova zhvilloi një luftë të përgjakshme për pavarësinë e saj nga Serbia në vitet 1998-1999, dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë atë si një provincë renegate. Rusia e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, dhe 5 shtete anëtare të BE nuk e njohin ende shtetin e ri.
Një burim i qeverisë së Serbisë, tha se qasja ndërkombëtare ndaj ndarjes së mundshme të Kosovës po ndryshonte, pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane Angela Merkel.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, është takuar me dhëndrin dhe këshilltarin e Donald Trumpit, Zhared Kushner në muajin korrik, ku dhe diskutuan ndarjen.
“Ata po bisedojnë; opsione të ndryshme janë në tryezë”- thotë një burim në qeverinë serbe. “Pozicioni amerikan po ndryshon, nga tërësisht kundër ndarjes, tek gatishmëria për ta diskutuar këtë opsion. Franca është gjithashtu mjaft pozitive për të. Gjermania jo”.
Një burim i qeverisë së Kosovës, konfirmoi se “disa në bashkësinë ndërkombëtare janë gjithnjë e më shumë pro idesë së ndarjes”.
Të dyja palët, pranojnë se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare, mbetet një sfidë serioze. Por as nuk do të dalin në propozime konkrete. Beogradi nuk po i zbulon taktikat e negociatave. “Ne do të kemi shumë probleme në vend”- tha burimi qeveritar. “Askush nuk është gati të mendojë për një zgjidhje, duke nisur nga kundërshtimi i Kishës Ortodokse”.
Kritikët argumentojnë se një rishikim i kufijve përgjatë vijave etnike do të krijonte një precedent të rrezikshëm për pjesën tjetër të Ballkanit, pas luftërave të përgjakshme etnike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.
“Plani ogurzi i ndarjes mbi baza etnike të territorit të Kosovës, do të na kthejë në tmerrin e viteve 1990” thotë atë, Sava Janjiç, një prift në manastirin ortodoks të Serbisë të Deçanit në Kosovë.
“Ideja e territoreve etnikisht të pastra do të bëhet një model, që do të krijojë efekte të forta në të gjithë Evropën, dhe do të forcojë ideologjitë radikale. Komuniteti ndërkombëtar, duhet të mbajë një qëndrim të fortë kundër saj”.
Çollaku këmbëngul se një zgjidhje e pranueshme reciprokisht, “nuk do të destabilizojë rajonin, dhe s’mund të ketë ndonjë efekt domino”. Por çdo zgjidhje territoriale, do të shihet më vëmendje në Bosnje-Hercegovinë, ku Republika Srpska e dominuar nga serbët, kërcënon rregullisht të shkëputet nga federate, dhe në Maqedoni, ku rreth një e katërta e popullsisë janë shqiptarë etnikë, të përqendruar në perëndim dhe veri të vendit .
“Ndarja e Kosovës, mund të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan, për të kërkuar zgjidhje të bazuara në parimin etnik”- mendon një zyrtar i shërbimit të Ministrisë së Jashtme boshnjake.
“Ajo është formula e përsosur për një fatkeqësi të re në Ballkanin perëndimor. Shteti i brishtë i Bosnje Hercegovinës, mund të zhduket para syve tanë, duke përhapur një spirale të re të nacionalizmit. Ajo mund të inkurajojë ekstremistët shqiptarë, që të kërkojnë të njëjtën zgjidhje në Maqedoni”.
Me gjithë perspektivën e largët të anëtarësimit në BE për shumicën e vendeve të rajonit, Nikola Dimitrov, ministri i Jashtëm maqedonas tha: “Vizioni i vetëm i qëndrueshëm për një Ballkan të qëndrueshëm, është ai ku kufijtë nuk kanë rëndësi – një rajon i vendeve mike, që janë anëtarë të BE”.
Çdo lloj ndarje, do të ishte gjithashtu e papëlqyeshme në Kosovë, ku pushteti i Thaçit po zbehet. Presidenti ishte kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të kohës së luftës, por është gjithnjë e më pak popullor, dhe përballet me një kërcënim të mundshëm nga një gjykatë e sapokrijuar, e ngritur për të gjykuar krimet e supozuara të kryera nga anëtarët e UÇK-së, duke përfshirë drejtuesit e elitës aktuale politike.
“Forca lëvizëse për dialogun e ri, duket të jetë qëllimi i Vuçiçit, për t’iu afruar më pranë BE dhe depërtuar më thellë brenda Kosovës, dhe dëshira e Thaçit për t’u larguar nga gjykata e specializuar dhe për të zgjatur pushtetin e tij”- mendon Albin Kurti, udhëheqësi i partisë opozitare Vetëvendosja në Kosovë.
TIRANA TODAY