Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka shprehur shqetësimin e tij për ish-këshilltaren e kryeministrit Ramush Haradinaj, Nita Himaduma.
Pacolli i ka dërguar një shkresë drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, nga i cili ka kërkuar verifikim për Himadumën.
“Duke pasur parasysh që në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, që nga fillimi i punës sime, ka pasur ndryshime në stafin diplomatik, ju drejtohem përmes kësaj letre me kërkesën që AKI-ja, me procedurë urgjente të bëjë verifikimin e Znj. Nita Himaduna, e cila është emëruar konsulle në Misionin Konsullor të Republikës së Kosovës në Nju Jork – SHBA. Duke i pasur për bazë këto që u thanë më lartë, posaçërisht dyshimet për lidhje të saj me punonjës të shërbimeve serbe të inteligjencës, është vlerësuar me interes që Nita Himaduna të mos ketë qasje (punësohet në pozitë të ndjeshme) në institucionet e Republikës së Kosovës, pasi që mund të paraqesë rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës”, -shkruhet në letrën dërguar shërbime të inteligjencës.
Po ashtu, dyshohej se Nita Himaduna keqpërdorte buxhetin e shtetit, duke rezervuar dhoma luksoze hoteli, në emër të Zyrës së Kryeministrit.