Të tjera detaje dalin për tre shqiptarët e arrestuar në Itali, të cilët akuzohen për grabitjen e një vile; ngjarje e regjistruar në maj të këtij viti. Në pranga përfunduan dy burra 32 dhe 38 vjeç dhe një grua 49 vjeçare, e cila kishte punuar për 13 vite si shërbëtore në vilën që vodhi në bashkëpunim me dy të tjerët.
Gjatë grabitjes, u vodhën 60 mijë euro xhevahire, diamante dhe para të gatshme. Këto mallra u sekuestruan nga autoritetet, teksa po transportoheshin në bordin e një Audi, por megjithatë tre autorët arritën të shpëtonin.
Hetimet vazhduan për muaj të tërë deri në kapjen e hajdutëve, të cilën hynë brenda vilës të armatosur me një pistoletë, kaçavidë dhe një sëpatë.
Ndërkaq, mediat italiane raportojnë se mes 38 vjeçarit të arrestuar dhe gruas që shërbente në banesën e grabitur kishte pasur një marrëdhënie intime.
Gruaja e cila jetonte me familjen disa vite e prezantoi atë sikur të ishte nipi, por më vonë u konstatua se ata kishin një histori dashurie midis tyre.
Pasi hynë në vilën e Fiano Romano, duke kërcënuar pronarin dhe nënshtruar gruan e tij, ata ikën me kasafortat ku gjendeshin diamante, xhevahire dhe para, duke u arratisur fillimisht në këmbë dhe më pas me një makinë të vjedhur nga Capena, të cilën e braktisën më pas në autostradë.