Ministrja e Arsimit, Besa Shahini u shpreh se do të jetë Task-Forca e ngritur për koronavirusin, ajo e cila do të vendosë se kur nxënësit do të kthehen në shkollë.
E ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, Shahini tha se me shumë siguri viti shkollor do të mbyllet brenda muajit qershor. Ministrja shtoi se nxënësit që do vendosin të përsërisin vitin shkollor, mund ta bëjnë pa asnjë penalizim.
Shahini theksoi se ata nuk do të cilësohen si përsëritës të vitit.
“Ne po presim që ekspertët që janë pjesë e Task forcës për koronaviorusin, të na thonë se është i sigurt rinisja e mësimit. Ne flasim për shkollat në zonat urbane ku ka shumë nxënës, madje me dy turne. Ne duhet të vendosim të hapim masat por duke pasur në fokus shëndetin e nxënësve.
Do ishte shumë mirë që të kthehemi në shkollë për të mbyllur vitin akademik dhe vitin shkollor për nxënësit dhe studentët. Ky vit do të mbyllet dhe jemi të sigurt se do ta mbyllim këtë vit brenda qershorit. Në mënyrë që nxënësit që duan të ikin jashtë vendit ta mbyllin shkollën në qershor. Edhe ata që mendojnë se kanë ngelur pas mund ta përsërisin vitin shkollor pa asnjë penalizim. Pra nuk do shkruhet askund se ata janë përsëritës”, tha ajo.