Sergej Aleshkov, ushtari 6-vjeçar që mori pjesë në Betejën e Stalingradit

Lufta e Dytë Botërore i mori jetën 13 milion fëmijëve. 6-vjeçari Sergej Aleshkov, ishte pjesëmarrësi më i ri në Betejën e Stalingradit, dhe një nga ushtarët më të rinj të asaj lufte.

Sergej lindi në vitin 1936, në fshatin Grin në rajonin e Kalugas. Në verën e vitit 1942, trupat gjermane ekzekutuan gati të gjithë banorët e fshatit, për bashkëpunimin e tyre me partizanët.

Vëllai i madh dhe nëna u vranë, ndërsa Sergej mundi të arratisej në pyll. Atje u gjet pas disa javësh nga ushtarët sovjetikë, që i qepën një uniformë të përshtatshme ushtarake. Sergej paraqitej në shtab çdo mëngjes.

Edhe pse nuk mori pjesë në operacionet luftarake, detyrat e Sergejit ishin ato të korrierit, shpërndarësit të gazetave dhe letrave në divizione.

Gjatë betejave, ai furnizonte ushtarët me ujë, fishekë dhe granata. I mituri u plagos në këmbë gjatë Betejës së Stalingradit, por u rikthye në front sapo u shërua.

Në vitin 1945, u nderua me disa medalje. U diplomua si jurist dhe punoi për shumë vite në rajonin e Çeljabinskut. Vdiq papritur në një stacion autobusi në vitin 1990.

                                        TIRANA TODAY