Familjarët e Përparim Ademit, 59-vjeçari i cili vrau dy motrat në Astir të Tiranës, kanë hedhur akuza në drejtim të familjes së viktimave.
Familjarët e Ademit kanë denoncuar në polici familjarët e Zhaneta Metanit dhe Kristina Bardhit, me pretendimin se janë kërcënuar me jetë. Mësohet se aktualisht familjarët e autorit po pyeten nga policia.
Pas dëshmisë së vëllait të Kristinës dhe Zhanetës, Bashkim Metani, Prokuroria e Tiranës ka shtuar dhe një akuzë të re ndaj Ademit, atë të trafikut të fëmijëve. Kjo sepse Metani ka deklaruar se Ademi ka shitur 10 fëmijët që kanë pasur bashkë në Selanik. Mësohet se Metani do të merret në pyetje si person që ka pasur dijeni për ngjarjen, dhe pretendimet e tij se motrat lindnin fëmijë dhe më pas Ademi i shiste në Greqi.
Mes shtimin e akuzës e kësaj akuze të re, Ademi do të gjykohet për 3 vepra penale, atë të vrasjes së dyfishtë, armëmbajtje pa leje dhe trafik të fëmijëve.
Lidhur me akuzat për shitje fëmijësh, gruaja e Përparim Ademit ka thënë se pala tjetër duan pasurinë.
Vjollca Telo, gruaja e Përparim Ademit, ka deklaruar se fëmijët e saj po kërcënohen dhe kërkon mbrojtje nga shteti. Telo thotë se akuzat për trafikim fëmijësh nuk janë të vërteta.
“Unë kam kërcënime në shtëpi. Tre veta i kanë ardhur gocës. Kam bërë kallëzim penal në polici. Burri e bëri, le ta pësojë atje ku është.
Kemi kërkuar mbrojtje nga shteti. I kanë ardhur fëmijës, i kanë shkuar te dera dhe e kanë bërë fëmijën copë nga këmbët. Unë kam lajmëruar edhe policinë dhe kam bërë kallëzim penal.
Kam kërkuar mbrojtje nga policia dhe i kam thënë du të mos rri më në Shqipëri, të zhdukem ose të vijnë të më vrasin të gjithë.
Nuk janë të vërteta akuzat për trafikim fëmijësh. Asnjë fëmijë nuk është trafikuar. Ato tani duan pasurinë, duan këtë shtëpinë. Në asnjë mënyrë. Unë kam pasur hyrje-dalje me ta, familjare. E dija lidhjen e burrit me ta, e kam pranuar për të mos prishur familjen time”, tha ajo.
Vrasja e dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi paraditen e 31 Dhjetorit 2020, tronditi kryeqytetin. Përparim Ademi, i cili kishte lidhje jashtëmartesore me Zhaneta Bardhin, i vrau dy motrat pasi dyshonte se ajo e tradhtonte.