Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me kartat SIM të sekuestruara në Rinas, të cilat dyshohet se do të përdoreshin nga grupet kriminale. Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet e përbashkëta me britanikët, për rrjetin e trafikut të kartave SIM të sekuestruara në Rinas.
Ato janë blerë në Angli dhe kanë ardhur në vendin tonë me postë 10 ditë më parë. Personi që mbante emrin e postës ku ishin dërguar kartat ka mohuar të ketë dijeni apo të ketë bërë një porosi të tillë. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Shqiptari në emër të cilit ishin porositur kartat, M. Hasa, ka mohuar të ketë dijeni për kartat në emër të tij.
“Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 09.06.2022, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3991 karta SIM angleze”, thuhet në njoftim.