Të tjera detaje kanë dalë lidhur me krimin e rëndë brenda një familje në Lushnjë ndodhur mbrëmjen e së dielës, i cili u arrit të parandalohej në kohë nga policia.
Një 38-vjeçar, i identifikuar si Edmond Kadiu, ka nxjerrë armën, me të cilën edhe mund të kishte qëlluar në drejtim të nënës së tij, pas një konflikti, në rast se Policia nuk do të kishte ndërhyrë në kohë.
Mësohet se Kadiu, kishte qenë për shumë vite emigrant dhe sapo ishte kthyer në Shqipëri. Ndërsa gjatë kontrollit të kryer në banesë, Policia ka gjetur një pistoletë me silenciator dhe 43 fishekë.
Ndërkohë, i arrestuari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Të paktën kështu ka deklaruar nëna e tij, gjatë dëshmisë që ka dhënë për Policinë, por edhe disa banorë të fshatit.
ARRESTIMI
Policia e Shtetit njoftoi dje se falë reagimit në kohë të forcave të Policisë së Lushnjës, është bërë i mundur parandalimi i një krim brenda familjes.
“Arrestohet në flagrancë 38-vjeçari, pasi dyshohej se do të kryente krim të rëndë në familje, pas konfliktit me nënën e tij. Sekuestrohet një armë zjarri, pistoletë me silenciator dhe 43 fishekë”, tha dje zyrtarisht Policia. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin Edmond Kadiu, 38 vjeç, banues në Dushk të Lushnjës.
Policia e Lushnjës ka marrë njoftim në rrugë operative se ky shtetas po konfliktohej me nënën e tij, në banesën e tyre, në fshatin Dushk. Policia ka vlerësuar menjëherë informacionin dhe falë reagimit në kohë, u bë e mundur kapja e tij në flagrancë dhe gjetja në trup e një arme zjarri pistoletë me silenciator.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 43 fishekë luftarakë. “Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprat penale ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak’ dhe ‘Dhunë në familje’”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.