Moska ka zgjedhur një qasje me kosto të ulët dhe oportuniste në Ballkanin Perëndimor, e cila e zhvendos shumicën e barrës tek aktorët lokalë
Ballkani Perëndimor, zë një vend të veçantë në politikën e jashtme ruse. Përveç afërsisë kulturore dhe historike me sllavët ortodoksë në rajon, lidershipi rus vazhdon të përndiqet ende nga kriza e Kosovës gjatë viteve 1990, dhe bombardimet e NATO-s në Serbi në fillim të vitit 1999.
Rusia nuk e fali NATO-n për atë fushatë ushtarake, e cila u krye pa dritën jeshile të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndjenja e trajtimit të padrejtë nga Perëndimi “hipokrit”, ka çuar në miqësinë e pashembullt midis rusëve dhe serbëve, të cilët jetojnë jo vetëm në Serbi, por përbëjnë gjithashtu pakica me ndikim edhe në vendet fqinje.
Përkundër këtyre shfaqjeve të intimitetit, marrëdhëniet e Rusisë me Ballkanin Perëndimor, janë të dëmtuara nga mungesa e substancës ekonomike. Pjesa e Rusisë në tregtinë e jashtme të rajonit, investimeve, kredive dhe flukseve të remitancave, ka qenë në rënie për disa vite me radhë, duke u zhvendosur nga një prej partnerëve kryesorë ekonomikë të rajonit në fillim të këtij shekulli, deri tek niveli i sotëm një-shifror.
Edhe në Serbi, aleatja më e afërt e Moskës në Ballkan, Rusia mbetet prapa BE-së me 10 herë më pak, sa i përket tregtisë së jashtme të Beogradit, e cila arriti në vetëm 6.7 për qind me Rusinë në vitin 2016, krahasuar me 64.4 për qind me BE-në në të njëjtën periudhë. Në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Rusia ka një peshë shumë më të vogël ekonomike, në krahasim me mbështetjen financiare evropiane apo tregtinë dypalëshe me vendet e BE-së.
Edhe refuzimi i Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Moskës, ka dështuar të ringjallë bashkëpunimin ekonomik të rajonit me Rusinë. Për më tepër, Moska duket se po e humbet entuziazmin edhe për fuqinë e saj tradicionale, sektorin energjetik në Ballkan.
Përkundër shpalljes me shumë madhështi të mjaft projekteve të përbashkëta ruse në rajon, si integrimi i gazsjellësve Druzhba dhe Adria, ato kanë ngecur rrugës. Rusia vazhdon të ruajë investimet e bëra në vitet 2000, duke përfshirë rafineritë e naftës në Bosnje dhe Hercegovinë (që më në fund ndërmjetësojnë furnizimin më gaz të Kroacisë, pas vizitës së fundit të presidentit kroat në Rusi), dhe gjigantit të naftës dhe gazit NIS në Serbi.
Por pjesa qendrore e strategjisë së saj energjetike në rajon, gazsjellësi “South Stream”, është braktisur në vitin 2014. Megjithëse është në ndërtim e sipër një rrjedhë alternative, TAP, rruga e segmentit të saj evropian, nëse ka një të tillë, mbetet ende e paqartë.
Stanjacioni ekonomik, çmimet e ulëta të naftës, prioritetet e reja në Lindjen e Mesme dhe në Paqësor, e kanë zbritur Ballkanin Perëndimor në nivelin e tretë, në listën e politikës së jashtme të Moskës. Por kjo s’do të thotë se rajoni është bërë i parëndësishëm për Rusinë.
Për Moskën, popullariteti historik që gëzon në Ballkanin Perëndimor si një kundërpeshë ndaj Perëndimit, është një mënyrë e përshtatshme dhe me kosto të ulët për të mbështetur imazhin e Rusisë si një fuqi e vërtetë botërore, me interesa që përhapen në të gjithë globin, përfshirë edhe në lagjen e BE.
Meqenëse shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë kandidatet më të mundshëm për t’u bërë anëtarët më të rinj të NATO-s, parandalimi i zgjerimit të mëtejshëm të aleancës, është një nga synimet kryesorë afatgjata të politikës së jashtme ruse. Moska nuk i sheh vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor, që i bashkohen aleancës së udhëhequr nga SHBA, si një kërcënim të drejtpërdrejtë; rajoni tashmë është ndarë nga kufijtë rusë nga një rrip vendesh të tjera anëtare të NATO-s.
Por udhëheqja e Rusisë, druhet se një valë e re e zgjerimit të NATO-s, ka gjasa të krijojë një impuls ekspansionist, që mund të përhapet në hapësirën post-sovjetike. Moska gjithashtu beson se Perëndimi ka nxitur probleme në lagjen e Rusisë vitet e fundit; dhe kësisoj mendon se ka ardhur “koha e shpagimit”.
Ka një bollëk shembujsh, për të përshkruar ndërhyrjet e fundit të Rusisë në Ballkan. Shumica e tyre, tregojnë se Moska nuk është e përgatitur të përdorë burime të konsiderueshme financiare në rajon. Megjithatë Rusia, është e prirur të përfitojë nga problemet lokale të rrënjosura thellë, për ta bërë Ballkanin Perëndimor “një halë” në “syrin” e Perëndimit, teksa paraqitet si një fuqi botërore me ndikim.
Të inkurajuar nga një trazirë e re midis Rusisë dhe Perëndimit, liderët e Ballkanit shpejt e kuptuan se Moska nuk do t’i joshte me projekte të reja fitimprurëse apo kredi të favorshme. Udhëheqësi i serbëve të bosnjës, Milorad Dodik, shpenzoi plot 2 vjet, midis viteve 2014- 2016, duke negociuar për marrjen e një huaje nga Rusia, e cila u raportua të arrinte në disa qindra miliona euro. Por pa sukses.
Moska e kufizuar në paratë e gatshme, preferoi ta mbështeste Dodik në mënyrë retorike, pasi i mjafton që ta mbajë shtetin boshnjak të paralizuar. Rusia nuk është gati të rrezikojë me ushtrimin e një presioni të gjithanshëm mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor, siç ndodh shpesh kur merret me vendet post-sovjetike. Në vend të kësaj, Moska ka zgjedhur një qasje me më pak shpenzime dhe oportuniste ndaj rajonit, dhe duke e zhvendosur shumicën e barrës tek aktorët lokalë.
Në rastin e aktiviteteve të shërbimeve inteligjente, zakonisht disa agjentë rusë thjesht koordinojnë veprimet e strukturave shumë më të mëdha, të radikalëve ultra-nacionalistë lokalë. Numri i transmetimeve mediatike propagandistike ruse në gjuhët rajonale është i kufizuar, por ato amplifikojnë me mjeshtëri narrativat anti-perëndimore, tashmë të pranishme në mediat lokale.
Sa për politikanët e Ballkanit, ata gjithashtu janë gjithmonë të etur për të promovuar imazhin e Rusisë, si një alternativë e fuqishme ndaj Perëndimit, kur ndjekin interesat e tyre. Disa e bëjnë këtë në mënyrë negativiste, për ta portretizuar veten si forca e vetme e aftë për të ndalur ndikimin rus në rajon.
Të tjerët marrin një qasje të kundërt: Ata e hiperbolizojnë rëndësinë e ndihmës ruse, për të pasur mundësinë e daljes në fotografi me Putinin, i cili mbetet një politikan popullor në mesin e votuesve serbë. Me aktorët lokalë vullnetarë, që janë duke kryer pjesën më të madhe të punës, Moska është në gjendje të kufizojë përpjekjet e veta tek disa gjeste mbresëlënëse, por me kosto të ulët dhe që përputhen me narrativën e saj anti-perëndimore.
Për shembull, ajo mund të organizojë një pritje të jashtëzakonshme për një politikan ballkanik në Kremlin, apo t’i japë si dhuratë ndonjë pajisje të vjetër ushtarake. Ajo çka e bën të mundur një politikë të tillë, në një farë mase edhe efektive, nuk është kuptimi i shkëlqyer që Moska ka për rajonin apo gjenialiteti i saj strategjik, por dështimet e shumta perëndimore në Ballkan.
Anëtarësimi në BE, mbetet ende një perspektivë e largët për shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që disa liderë evropianë kanë prirjen t’i japin prioritet një stabiliteti në dukje (dhe politikanëve që janë në gjendje ta ofrojnë atë), në kurriz të reformave të thella në rajon.
Shkurt, kombet në Ballkanin Perëndimor, janë kaq shumë të zhgënjyer me Perëndimin dhe paaftësinë e tij për të përmbushur pritshmëritë e ekzagjeruara, që shumë prej tyre janë të gatshëm të krijojnë, apo të joshen nga ndonjë alternativë, pa marrë parasysh se sa është e largët është ajo. Edhe pse Moska s’ka asnjë dëshirë të marrë përsipër problemet ekonomike apo të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ajo është gati të mbështesë një iluzion të tillë.
Shënim: Maxim Samorukov është zëvendës redaktor i “Carnegie.ru”
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce