Lorik Cana prej pak muajsh ka lënë zyrtarisht futbollin. Jeta e tij e re, pas një karriere të mbyllur përpara kohe, është zhvendosur në Tiranë. Ish-kapiteni i kombëtares sonë ka bërë një rrëfim ndryshe për programin “Exclusive” në Top Channel. Në këtë intervistë, Cana ka treguar momentet e vështira kur ka sfiduar edhe shëndetin e tij vetëm për të luajtur në Europian, si dhe shumë gjëra të tjera. Për më tepër lexoni rrëfimin e kapitenit legjendar.
“Çdo gjeneratë e ka atë ciklin e vetë. Njerëzit kanë akoma dashuri dhe këtë e tregojnë ende. Gjithë kohës jam në komunikim me njerëzit”, thotë Cana.
Një ide e menduar prej rreth 4 vitesh, ose më mirë në momentin që vendosi të lë futbollin. Lorik Cana thuajse si të gjithë futbollistët më të njohur në botë, vendosi të hap një fondacion i cili do të lidhej me futbollin, por jo me të rriturit, por fëmijët, në kërkim të talenteve, që në Shqipërinë e vogël, janë të rrallë, Sipas projektit fillestar do të ndërtohen disa fusha sportive. të gjitha me paratë e vetë Lorikut. të quajtura Kazal, modeli i tyre është huazuar nga një fondacion hungarez për t’u aplikuar në disa kopshte të qyteteve kryesore të Shqipërisë por edhe në Kosovë.
“Më ka lindur si ide 4 vite më parë. Mendoja t’i jepja rëndësi atyre gjërave të rëndësishme që mungojnë në vendin e tonë. Mundohem të jap kontributin tim duke bërë gjëra të cilat sensibilizojnë dhe njerëzit dhe i bëjnë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është sporti dhe kultura. Unë e dua shumë këtë pjesën e trashëgimisë kulturore”, shprehet Cana.
Lorik Cana prej kohësh është i pajisur deri me licencën A të UEFA-s, një licencë trajneri që ndoshta nuk i jep shansin të drejtojë një skuadër përfaqësuese apo një klub të kategorive të para, megjithatë kjo për Lorikun është një zgjedhje. Ai mund të konsiderohet ndër të pakta raste për të mos thënë i pari që pavarësisht një karriere shumë të mirë, nuk synon të drejtoj një ekip kryesor.
“Unë nuk jam nga ata lojtarë që e dija më parë se kur do ta lija karrierën dhe ndoshta të mendoja për t’u bërë trajner. Megjithatë mendoj dhe kam dëshirë që të bëhem një drejtues klubi diku jashtë, vitin e ardhshëm. Kjo nuk do të thotë që nuk do të vazhdoj të kontribuoj për vendin tim, madje kjo është edhe arsyeja e fondacionit. Me këtë projekt sigurisht që nuk mund të ndryshojmë realitetin të gjithë vendit, pro sigurisht prekim thelbin e problemit të saj. Sic e thash ajo pjesa e drejtuesit po më tërheq më tepër, ndoshta jashtë vendit në ato vende ku unë kam jetuar si Zvicra, Franca. Kam fat që nuk më duhet të gjej një vend për të punuar që ndoshta nuk më jep kënaqësi”, thotë ish-kapiteni i Kombëtares.
Kur mendon për të drejtuar një skuadër, Lorik Cana e ka një etalon dhe një njeri të cilin mundohet ta marrë si shembull. Bëhet fjalë për Igli Taren, drejtuesi i ish-skuadrës së tij të serisë A, Lazios, që prej disa vitesh konsiderohet si drejtorët sportiv më të suksesshëm në Itali.
“Ne në botën e sportit kemi shumë pak njerëz që kanë arritur në nivele të larta. Kemi trajner që kanë arritur të bëjnë emër edhe në arenën ndërkombëtare siç është Besnik Hasi, por në pjesën drejtuese udhërrëfyesi dhe që ka bërë emër në spektrin drejtues është Igli. Ai jo vetëm është një drejtor por është edhe i suksesshëm. Arritjet e tij të jashtëzakonshme na bëjnë mirë të gjithëve ne. Kjo sepse lobi shqiptar në pjesën e sportit është shumë i vogël për të mos thënë inekzistent. Këta njerëz duhet t’i falenderojmë për këtë që kanë bërë dhe që sigurisht janë shndërruar në një shembull për t’u ndjekur”, shprehet Cana.
“I dashur Lorik. E mban mend kur kemi qenë në zyrën time dhe bënim bisedë për të ardhmen tënde dhe një nga dëshirat e tua ishte të bëjë profesionin tim. E kishe me mëdyshje, por tashmë të uroj suksese. Dua të të shohë në nivele shumë të larta edhe në arenën ndërkombëtare. Një ditë të kem një nga konkurrentët e mi më të denjë të futbollit”, shprehet Igli Tare për Lorik Canën.
Jeta e Lorikut në Tiranë, nuk ndryshon nga ajo e shumicës prej nesh. megjithëse në një lagje të mirë të kryeqytetit, ai jeton në një pallat, me shumë familje të tjera.
“Këto janë faturat e mija të ujit që duhet t’i paguaj. Duken qartë që janë disa nuk janë shumë, kurse këto janë faturat e pallatit. Bashkëjetesa nëpër pallate në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, shpresojmë që t’i paguajnë edhe këto se përndryshe do të na ndalin edhe energjinë elektrike e skam nga të dal me familjen”, tregon Loriku.
Në Tiranë ai jeton me bashkëshorten italiane Monica dhe djalin Bojken. Historia me vajzën nga Roma e ka bërë Lorikun të ndryshojë shumë nga ato ide që kishte në fillim për krijimin e një familjeje krejtësisht shqiptare.
“Jemi takuar për herë të parë pas 2 muajsh që kisha shkuar në Romë. Herën e parë nuk mundëm me biseduar sepse ndryshuam vetëm numrat e telefonit më pas, pas kombëtares u takuam. Kisha të bëja me një person që nuk e dinte çfarë ndodhte me sportin. Ishte një vajzë që ishte e informuar jo mirë për ne nga mediat dhe opinioni dhe më pas mu desh t’i mësoja gjithçka për vendin tonë për kulturën. Megjithatë unë jam shumë i lidhur me familjen dhe ajo e di tashmë këtë gjë, për këtë arsye ka filluar të mësojë shqip ndërsa unë kam perfeksion italishten me Monikën.
Asnjëherë nuk më ka bërë probleme për përparësinë që i kisha dhënë unë karrierës time dhe njerëzve të mi. Me kalimin e viteve kuptova q është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime, pavarësisht se ajo nuk ishte nga vendi im. Unë në fillim e kisha një ide që patjetër nusen duhet ta merrja nga vendi im por kjo më ka ndryshuar krejtësisht mendjen duke menduar që ishte personi më fantastik që kam njohur. Në disa raste ajo është bërë edhe më shqiptare se shqiptaret”, shprehet Cana.
Lorik Cana la futbollin menjëherë pas Europianit dhe ndeshjes me Rumaninë. Askush nuk e kuptoi arsyen e vërtetë. Diçka ai la të kuptohet në një intervistë televizive.
“Këtë radhë kam preferuar t’i jap trupit tim kohën e nevojshme. Kam mjekët, të cilët do të më ndihmojnë. Mendoj se çdo gjë e kë në jetë momentin e vet dhe tërheqja ishte koha e duhur.
Si një rrufe në qiell të hapur, Lorik Canës i kërkojnë që të mos vazhdojë më sportin pasi rrezikonte jetën e tij. Ishte viti kur Shqipëria po përgatitej për kualifikimin për në e Europianin e Francës.
“Gjatë një kontrolli më të thellë në testet fizike, u vu re një çrregullim i ritmit të zemrës që unë e kisha prej vitesh dhe në atë kohë ishte nën kontroll. Pasi bëmë disa kontrolle të mëtejshme, më thanë se gjendja ishte më serioze se sa ka qenë dhe nuk po përmirësohej. Lajmin e kam marrë po atë ditë kur KAS-i vendosi të na japë 3 pikë për ngjarjen e Beogradit dhe provova dy ndjesi brenda momentit. Nga njëra anë mora një lajm të gëzueshëm sepse ne e meritonim të merrnim pjesë në Europian dhe nga ana tjetër mora një lajm që më thoshte të mos vazhdoj më të luaj. Monika ishte shtatzënë në atë kohë dhe isha vetëm me babin në Katar. Përball një lajmi si ky pritëm të merrnim disa mendime të ndryshme mjekësh dhe të gjithë patën të njëjtën ide, më mirë mos të vazhdoja të rrezikoja. Kërkesa e parë e Monikës dhe e familjarëve të mi ishte që të mos e vazhdoja e mos merrja përsipër rreziqe. Më pas i kërkova mjekëve që të më jepnin të paktën edhe një vit garanci por që do të qëndroja në ndjekje të vazhdueshme të tyre. Që të kisha dhe unë mundësi që të luaja me Shqipërinë për të marrë pjesë në Europian”, thotë Loriku.
Shenjat e para të sëmundjes Lorik Cana i kishte ndjerë kohë më parë, ishin vitet kur luante në Premier Leaguen Angleze.
“Më ka ndodhur pak a shumë gjatë vitit që luaja në Angli sepse kur i bëra testet mjekësore në Angli isha mirë, më pas kur bëra testet me Gallatën në Stamboll por isha nën kontroll dhe nuk kisha arsye me u kufizu dhe me ndal. Nuk bëhet fjalë për një sëmundje gjenetike. Mua më ka ndodhur gjatë një ftohje normale. Kisha bajame isha me temperature dhe ne vend te pushosh luaja futboll. Në atë kohë isha 26-27 vjeç. Në atë kohë nuk njihja sëmundje vetëm lojë dhe luftë. Duhet të kenë parasysh të gjithë të rinjtë që luajnë sport sepse janë para rreziqeve. Megjithatë për të pasur një jetë normale pse jo. kam kontrolle çdo vit, kam një test specifik çdo dy vjet dhe kam një ilaç të vogël si në pleqëri që duhet ta marrë çdo darkë. Për këtë kemi vendos alarmin në orën 9.30 edhe unë edhe gruaja. Dhe kur nuk jemi bashkë më shkruan më thotë hej kujtohu, por është diçka e vogël. Mund të kem aktivitet dhe duhet të kem aktivitet sportiv, por jo të lartë. Vazhdoj sa të mundem sepse parku të jep mundësinë edhe për aktivitet fizik por edhe më qa ndonjë hall. Të jep një freski mendore. Për ne që kemi qenë gjithmonë në aktivitet ne duhemi patjetër të vazhdojmë disi të merremi për aspektin mendor dhe për aspektin e shëndetit sepse ka shumë nga bashklojtarët e mi që kanë marrë shumë shumë peshë. Unë e pash vetë, 6 muajt e parë pas europianit mora 6-7 kg. Më pas mendova të gjej një ritëm dhe mundohem të dal 3-4 herë në javë me vrapuar. Kemi fatin këtu në tiranë që kemi liqenin që na mundëson me kushte deri diku të mira që të bëjmë aktivitet”, tregon Cana.
Aktiviteti i tij i fundit sportiv ka qenë kategoria e 10 km në gjysmëmaratonën e Tiranës. Cana qesh kur kujton, se në këtë garë doli më i ngadaltë se Erion Veliaj.
“Patjetër që është ngadalësuar shumë Loriku, por kemi edhe një kryetar bashkie që është shumë dinamik shumë sportiv dhe unë kam shumë dëshirë të mbështes njerëzit që promovojnë vlerat e sportit”, shprehet ish-kapiteni i Kombëtares.
Por Loriku bëhet serioz kur flet për problemet e sportit.
“Vendi ynë është një vend në tranzicion dhe gjithmonë kas munguar që dikush të merret me përfshirjen e të rinjve me sportin. Ndoshta dhe me të drejtë sepse përparësi në një vend që është në tranzicion janë gjëra të tjera. Por nuk s ehoh normale që në vitin 2017-të Shqipëria mos të ketë një program të mirëfilltë për sportin nëpër shkolla. Ne kemi një rini të jashtëzakonshme si në sport dhënë art dhe gjëra të tilla janë një lloj serumi për të gjithë shoqërinë tonë”, thotë Cana.
Lorik Cana është idhull i shumë fëmijëve sot. Por për Bojkenin ai është thjesht babai i tij. Së paku sa të rritet e të kuptojë se çfarë adhurimi kanë shqiptarët për të atin dhe sa mirënjohësi i janë atij për sukseset e mëdha të një kombëtareje të vogël si Shqipëria. Por a do të jetë mjaft fama e të atit, që edhe Bojken Cana të bëhet futbollist?
“ Ai do të bëhet çfarë ndjen vet. Sigurisht do ta shtyjë të bëjë sport, sepse pavarësisht nëse do të bëhet sportist elitar apo jo me rëndësi është që të merret me sport. Siç e thash është diçka që të ndjek gjatë gjithë jetës të jep stabilitet të jep vlera. Nëse do të më pyes unë sapo të bëjë 4-5 vjeç do t’i japë një raketë në dorë që të luaj tenis dhe nëse do t’i pëlqejë do ta shtyj të luaj tenis, por ajo është dëshira e tij mandej”, thë Cana. Top Channel