Bamir Topi, President i Republikës për 5 vjet, shkruan se ishte Sali Berisha që i propozoi kandidaturën për President, por më pas, duke zhvilluar negociata të fshehta me Nanon e braktis Topin.
Por numri dy i PD-së në atë kohë nuk u tërhoq por e vendos Sali Berishën përpara një fakti të kryer: “o unë President, ose PD-ja ndahet dhe vendi shkon në zgjedhje”. Negociatat pas këtij momenti i drejton Topi.
Propozimin e Berishës, ish-presidenti e përshkruan si “të papritur”.
“Ditët e para të marsit, ndërsa pija kafen e pasdites te “Elize”, një lokal pranë Parlamentit, marr një telefonatë nga Berisha, i cili më kërkoi që të takoheshim gjatë mbrëmjes.
Në paradhomën e zyrës së kryeministrit si gjithmonë ishte Eda, sekretarja, një grua e sjellshme, plot mirësi, të cilën e kisha takuar për herë të parë në vitin 1996, kur do të merrja dekretin e ministrit të Bujqësisë.
U përshëndetëm dhe më ftoi të futesha në zyrën e kryeministrit, duke thënë që nuk kishte njeri dhe ai po më priste.
Mesa duket Berisha ishte kujdesur të mos kishte njeri tjetër, ndonëse në atë orë vështirë se ai mbetej pa shoqërinë e njerëzve konfidencialë të partisë.
Sapo u futa, në mënyrë energjike më uroi mirëseardhjen duke u treguar vërtet i dashur. Porositi kafe për të dy dhe kur sekretarja u largua filloi një bisedë me zë të ulët, a thua se dikush mund të dëgjonte.
E quajta të çuditshme këtë skenë dhe isha kurioz të dëgjoja çfarë do të bisedonte.
— Dëgjo Bamir, të thirra për një çështje shumë të rëndësishme që do të mbetet midis nesh dhe askush tjetër nuk duhet të ketë dijeni.
— Urdhëro! — i thashë, duke ma shtuar kuriozitetin se çfarë ishte kjo çështje dhe çfarë mund të kishte ndodhur.
— Pas dy muajsh fillojnë procedurat parlamentare për zgjedhjen e presidentit.
Për një çast mendova që si kryetar i grupit parlamentar ai po më vinte në dijeni për kandidaturat dhe mënyrën se si do të administrohej procesi nga trupa parlamentare.
Papritur biseda mori një drejtim tjetër, të cilën nuk e kisha çuar ndërmend.
— Jam menduar gjatë këto kohë dhe besoj se kam gjetur zgjidhjen më të mirë, — tha kryeministri. — Partia Demokratike do të propozojë ty si kandidaturën më të mirë e më të përshtatshme për kryetar shteti. Askush më shumë se ty nuk mund të marrë vota edhe nga e majta në Parlament.
Në fakt, shpesh deputetët e majtë kishin vlerësuar publikisht moderacionin dhe kontributin tim në zgjidhjen e disa krizave në Parlament. Mazhoranca jonë e djathtë kish diku tek 75-76 vota, të mjaftueshme për të qeverisur, por të pamjaftueshme për të zgjedhur presidentin, për të cilin duheshin 84 vota. Kushtetuta ishte hartuar në mënyrë të tillë që kreu i shtetit duhej të merrte një konsensus më të gjerë sesa një mazhorancë politike.
Më tej ai vazhdoi:
— Ti besoj i merr votat e një pjese të opozitës, sepse ke mbajtur një marrëdhënie korrekte personale dhe disa mirëkuptime në Parlament janë arritur falë teje.
I befasuar nga ky propozim dhe nga konsideratat të cilat i dëgjoja për herë të parë, i thashë se ndihesha i respektuar dhe i surprizuar njëkohësisht, porse kisha nevojë të reflektoja dhe të konsultohesha me rrethin e ngushtë familjar, pasi sfida do të ishte madhore, e veçantë jo vetëm për mua.
Patjetër! — më tha, — sërish do të flasim për këtë çështje.
Realisht u largova me një ndjenjë të mirë, e cila më kish bërë të hiqja çdo lloj paragjykimi për debatet dhe klimën ndonjëherë “jo miqësore” ndaj meje.
Çuditërisht koshienca dhe subkoshienca ime ishin në një kundërshti me njëra-tjetrën. Koshienca e pranonte si rrjedhë logjike e një karriere e përkushtimi të gjatë në politikë, që do të arrinte me këtë kulminacionin e vet, ndërsa subkoshienca ishte e mbushur me dyshime që fillonin me sinqeritetin e ftesës, se mos ishte një lojë për të më djegur politikisht. Arsyetoja “pse unë?!”, kur marrëdhëniet nuk kishin qenë asnjëherë konfidente me Sali Berishën e grupin e tij të afërt, e për më tepër kur gara do të ishte e gjatë, jo e lehtë, madje rraskapitëse dhe me risk për mundësinë e dështimit.
Ndërsa më mundonin shumë mendime e paragjykime u futa në shtëpi më herët se çdo rast tjetër. Menjëherë tërhoqa Teutën në një ambient të qetë, ndërsa Nada dhe Etida studionin në dhomën e tyre.
— Çfarë ka? — më tha, duke kuptuar se diçka të veçantë do i thosha.
I thashë gjithçka kishte ndodhur dhe menjëherë konstatova tek ajo një shprehje habie, por dhe mungesë totale të entuziazmit që të japin këto biseda. Duke pritur reagimin, Teuta më tha: — Je ti vetë që duhet ta peshosh, pasi ne në çdo rast jemi pas teje, por mos harro se nga ky çast jeta e qetë që kemi bërë do të na ndryshojë. Sidoqoftë, vendose ti!
Pas një arsyetimi të gjatë dhe “lufte” të brendshme me veten time, kur kishin kaluar 7-8 ditë, u takuam sërish në zyrën e kryeministrit. i thashë se e pranoj, jo si karrierë, por si sfidë pas një nevoje që vinte nga grupi im politik ku bëja pjesë, duke pasur bindjen se në atë çast do të fillonte një betejë totale, diku hapur, diku në konspiracion, nga kundërshtarë politikë dhe armiq personalë brenda familjes politike, me xhelozë tradicionalë, por dhe me intrigantë të sprovuar.
Duke e njohur mirë në karakter, ndoshta edhe për shkak të sjelljeve të njohura politike me të tjerë, i thashë:
— Kushti im i vetëm është që në këtë betejë politike duhet të jemi bashkë dhe se hyrja në garë do të thoshte se për asnjë arsye a rrethanë nuk do të kishte tërheqje.
U tregova shumë i hapur duke vazhduar:
— Kjo garë, siç e parashikoj, do të jetë e gjatë dhe ndoshta mbyllet vetëm në raundin e fundit që na imponon sjelljen ose të gjithë “in”, ose të gjithë “out”.
Që do të thoshte qartë se, nëse rrëzohesha unë, vendi humbiste vazhdimësinë e qeverisjes dhe shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Berisha më pa me habi për sa i thashë dhe filloi të tradhtohej nga gjendja e dyfishtë emocionale, ku tjetër gjë kishte në mendje dhe tjetër kërkonte të hiqej.
Sidoqoftë, e pranoi kushtin tim, por siç do të vinin ngjarjet nuk kisha gabuar në parashikim. Siç do të rezultonte, hap pas hapi ai po futej në trajektore të vështirë dhe kapitulluese për qëllimin që i kishte vendosur vetes, që të qëndronte në pushtet duke shitur emrin tim, si figurë e rëndësishme e mazhorancës, në këmbim të një “pazari” me opozitën e Edi Ramës”.
Në ditët në vijim PD do të tërhiqej, duke e braktisur kandidaturën e Bamir Topit, e duke përdorur Fatmir Mediun e Bujar Nishanin si “leva” për të rrëzuar versionin “Topi-President” me një manovër për të bërë marrëveshje me Fatos Nanon. Por numri dy i PD-së nuk tërhiqet dhe në këtë qëndrim mbështetet fort nga një grup i fuqishëm i deputetëve të PD-së, ku spikasin Rexhep Uka e Bujar Leskaj. Duke i parë vendsmërinë Berisha pranon të propozojë emrin e Bamir Topit. Por PD me aleatët e saj kishin vetëm 82 vota, dhe sipas Kushtetutës së atëhershme Presidenti zgjidhej me 84, ndryshe vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Këtu futet në lojë marrëveshja me Fatos Nanon, i cili bindi 6 deputetë pranë tij për të zgjedhur Bamir Topin President.
Ja si e shpjegon në librin e tij ish-Presidenti:
Në raundin e katërt, gara do të zhvillohej midis meje dhe Neritan Cekës. Megjithëse koalicioni i djathtë kishte teorikisht 82 vota, nga informacionet e besueshme rezultonte se tre deputetë nuk do ta votonin emrin tim (gjë që u provua gjatë votimit).
Pikërisht dy ditë para raundit të katërt, meqenëse nuk na dilte llogaria me votat teorike, më vjen në shtëpi miku im Shkëlqim Hajdari dhe menjëherë futet në temë:
— Për t’u zgjedhur president, duhet të kërkojmë votat e Fatos Nanos!
Unë u zura ngushtë, pasi Nano kishte qenë përballë meje në garë, por edhe si lider i së majtës, me të cilin Partia Demokratike dhe unë kishim bërë beteja të forta politike.
Shkëlqimi vazhdoi bisedën duke thënë:
— Më lejo të flas për këtë çështje me mikun tim të afërt Ilir Kullën, që është njëkohësisht këshilltar dhe mik i ngushtë me Fatos Nanon.
— Dakord! — iu përgjigja unë, pa pasur ndonjë besim se do të arrihej ndonjë kompromis.
Në praninë time Shkëlqimi i telefonoi Ilir Kullës dhe u la të takoheshin te bar-restorant “1 Maji” pranë Parlamentit.
Shkëlqimi shkoi në takim i shoqëruar nga miku i tij Ndriçim Babasi, i cili ishte dhe deputet.
Takimi kishte zgjatur shumë. Sipas Shkëlqim Hajdarit, megjithëse ai i kishte argumentuar Ilir Kullës arsyet e forta morale për një zgjidhje që kishte të bënte me stabilitetin politik në Shqipëri (ishim në fazën finale të anëtarësimit në NATO), por dhe me pritshmëritë e shpalljes së Pavarësisë në Kosovë, kjo bisedë nuk kishte kaluar pa tension.
Ilir Kulla kishte thënë se “jeni kujtuar shumë me vonesë për këtë zgjidhje, sepse Fatosi në dijeninë time është për rrugë jashtë shtetit dhe kjo nuk është korrekte politikisht”.
Shkëlqim Hajdari i ishte përgjigjur Ilir Kullës se z. Topi e kuptonte situatën, por kishte bindjen se Fatos Nano ishte i vetmi me staturën e një politikani paqësor që do të arsyetonte se sa e rëndësishme ishte që vendi të mos hynte në zgjedhje të parakohshme, në një proces destabilizues për Shqipërinë dhe Kosovën.
Në këto kushte Ilir Kulla i kishte telefonuar z. Nano, me të cilin kishte bërë një bisedë të gjatë dhe të tensionuar. Pas kësaj Iliri ishte kthyer në tavolinë duke thënë se Fatosi është në udhëtim, por do presim gjysmë ore. Pa kaluar 30 minuta, Nano i telefonon Kullës duke i thënë se po rikthehej në Tiranë dhe thuaji z. Topi të qëndrojë i gatshëm për të vazhduar kontaktet pasdite.
Pasdite, së bashku me Shkëlqimin dhe Ilir Kullën u takuam në hotel “Sheraton”, ndërsa në një tryezë afër nesh qëndronin deputetët Oketa, Babasi dhe Pal Dajçi.
Ilir Kulla menjëherë mori fjalën duke thënë:
— Fatos Nano është i ndërgjegjshëm për momentin historik, por dhe ju duhet të vlerësoni që një marrëveshje e tillë nuk duhet të perceptohet si pazar politik, ndaj është i rëndësishëm qartësimi i pozicionit politik të Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës dhe për këtë arsye ai kishte kërkuar të takohej me kryeministrin në praninë time.
Më tej unë iu përgjigja:
— Ilir, keni plotësisht të drejtë. Nuk është çështje midis dy personave!
Menjëherë u lidha në telefon me Sali Berishën dhe kërkova të takoheshim në zyrë për të biseduar për një takim të mundshëm me Fatos Nanon.
Pra Fatosi kishte rënë dakord të takohej me Berishën dhe me mua në një vend larg vëmendjes së mediave. Natyrisht këtë sinjal ia transmetoj Berishës dhe vendosëm të takoheshim në restorantin e një mikut tim, i cili do të përgatiste mjedisin, duke ruajtur tërësisht fshehtësinë e takimit. Takimi u realizua rreth orës 21:00 dhe ndërsa po futeshim në parkingun e restorantit pranë urës së peshkatarit buzë Erzenit, shfaqet pronari i lokalit dhe njofton se Fatos Nano kishte mbërritur i shoqëruar nga Ilir Kulla, mik i afërt i tij dhe i njohur prej meje në një marrëdhënie miqësore.
Pasi kaluam mjedisin e gjelbër në qetësi të plotë, u ndodhëm në një verandë në buzë të Erzenit dhe me një pamje magjike të kalasë së ndriçuar të Petrelës, pamje e cila po relaksonte sado pak atmosferën e takimit.
Si asnjë herë tjetër, kryeministri ishte në makinën time dhe në distancë qëndronte roja e tij. Berisha ishte në një lloj gjendje emocionale të veçantë. Rrugës për në Mullet, ndërsa unë isha në timon, thuajse nuk foli fare, ndërkohë që rrethanat, si dhe ku do të zhvillohej takimi, i dinte mirë.
Aty gjetëm Nanon dhe Kullën dhe pasi u përshëndetëm, u ulëm për të vijuar bisedën. Sali Berisha dhe Fatos Nano u takuan si njerëz të cilët kishin vendosur paqen rreth gjashtë muaj më parë në janarin e vitit 2007 në Pallatin e Brigadave. Nano ishte më i lirshëm, ndërsa ne ishim njerëzit që po kërkonim mbështetjen e tij.
Fatosi e çliroi emocionalisht takimin duke u shprehur se situata politike ishte përkeqësuar dhe tashmë ai e kishte mbyllur ambicien për të konkurruar, për shkak të refuzimit nga Edi Rama.
Natyrisht ishte i pezmatuar, por i gatshëm për të kontribuuar që vendi të mos shkonte në kriza kushtetuese.
Nuk e di a ishte kjo thjesht një maturi politike, që Nanos nuk i mungonte si një qytetar, intelektual dhe politikan i sprovuar, apo ishte e përzier edhe me një ndjenjë hakmarrjeje politike për njeriun të cilin ai e kishte futur në politikë dhe kishte gjetur prej tij pengesën ndoshta për ëndrrën e vet presidenciale.
— Sali, ja ku jemi prapë unë e ti për t’i dhënë zgjidhje krizës së radhës, — vazhdoi duke qeshur Nano.
— Fatos, të falënderoj që po bëhesh pjesë e zgjidhjes me potencialin tënd politik, — vazhdoi Berisha.
Sikurse u pa gjatë bisedës, kontributi i tij ishte pa parakushte dhe kërkesa. Biseda, e cila u zgjidh qysh në fillim, vazhdoi për tema të tjera, e relaksuar dhe me premtimin final që deputetët mbështetës të tij do të ishin prezentë për të votuar.
E falënderuam dhe u ndamë miqësisht, ndonëse eksperiencat parlamentare kishin prodhuar debate e batuta të forta, nga koha kur Nano ishte kryeministër dhe unë kryetar grupi, madje batuta e fundit ishte konsumuar nga unë vetëm pak javë përpara këtij takimi, kur ai u shfaq pas një mungese të gjatë, duke demonstruar qartë ambicien për garën presidenciale.
Duke shfrytëzuar siglën e një emisioni të asaj kohe të “Neës 24”, “Në kërkim të njerëzve të humbur”, në fjalën time falënderova autorët e këtij emisioni që bënë të mundur gjetjen e të “humburit” Fatos Nano dhe e sollën në Parlament. Kjo batutë ironike tashmë ishte tejkaluar dhe gjithçka po shkonte më së miri në vigjilje të votimit të katërt.
Data 20 korrik 2007 ishte shumë e ngarkuar me lajme dhe emocione të forta. Tashmë ishin futur në “hall” të gjithë deputetët, të cilët po kuptonin se vendosmëria për të vazhduar garën mund të çonte në zgjedhje të parakohshme. Për këtë arsye nuk kishte shumë dilema.
Qeveritarë e deputetë, miq e kundërshtarë do të votonin. Në emisionin “Opinion”, një natë përpara ditës së votimit, u shpreha se me një mundësi të madhe nesër zgjidhem president. Kjo nuk vinte si pasojë e ndonjë sigurie, por nga një logjikë, nga një analizë politike dhe eksperiencë në mjedisin parlamentar. Të gjithë kishin bërë çmos të luanin lojën e tyre deri në limitet e sigurisë. Asgjë nuk ishte e sigurt, për askënd, në raundin e pestë dhe të fundit. Për këtë arsye gati isha bindur që gjithçka do të mbyllet në raundin e katërt dhe kështu ndodhi.
Përveç opozitës zyrtare që dëshironte krizë kushtetuese dhe zgjedhje të parakohshme, të tjerët, të cilët nuk ishin dashamirës të mi, kishin hallin e tyre. Kryeministri dhe njerëzit e tij linin pushtetin, deputetët detyroheshin të shkonin sërish në zgjedhje, të pasigurt. Nuk dua të shprehem me cinizëm, por realisht i jam mirënjohës vetëm grupit që më mbështeti në situatat më të vështira e publikisht. Të tjerët zgjidhën hallin e tyre duke më votuar mua si President të Republikës. Koha e tregoi këtë, madje shumë shpejt, kur kolegë të mi u bënë njësh me interesat e Berishës dhe Ramës në ndryshimin e Kushtetutës dhe kufizimin e pushtetit të presidentit, më 21 prill 2008.
Në të vërtetë kështu ndodhi, në përfundim të numërimit, unë kisha marrë 85 vota, ku ishin edhe votat e mbështetësve të z. Nano, duke arritur të siguroj numrin e duhur për t’u zgjedhur president. Tre deputetë të mazhorancës kishin votuar kundër. Informacionet se cilët nuk do të votonin për mua brenda grupit parlamentar të PD-së kishin rezultuar të sakta. Ata vetë e kanë shprehur në biseda “konfidenciale”. Për arsye etike nuk po i përmend emrat e tyre.
Në çastin kur ishte numëruar vota e 84-t jam rrethuar nga brohoritma e përqafime prej kolegëve të mi deputetë, i përfshirë nga një ndjenjë gëzimi dhe përgjegjësie.
Të gjithë brenda krahut tonë ishin në delir. Kjo atmosferë po përcillej me fishekzjarrë jashtë Parlamentit. Çuditërisht, njerëzit më interesantë janë fryt i situatave të komplikuara. Disa prej tyre sapo i kisha njohur.
Telefonata e parë erdhi nga presidenti i Kosovës, z. Fatmir Sejdiu.
Më pas mora fjalën në podium, duke falënderuar ata që më votuan dhe në mënyrë të veçantë Berishën, i cili kishte dhënë një suport të fortë kur vendosi të mbështeste emrin tim.
Pas atmosferës në Kuvend, kam dalë i rrethuar nga qindra miq e dashamirës për të përfunduar jo më në makinën time, por në makinën e blinduar të Gardës dhe me eskortë. Brohoritje e fishekzjarrë thyen heshtjen që kishte mbërthyer Parlamentin gjatë votimit.
Emocionalisht këtu kuptova realisht që jeta sapo kishte ndryshuar.
Më pas Berisha kishte organizuar një darkë me një grup ministrash e aleatësh në një restorant, pranë Parlamentit dhe pas kësaj darke kemi kaluar vërtet çaste shumë entuziaste dhe humori me miqtë më të afërt te kafe “Elize”, përballë Parlamentit, për t’u kthyer në shtëpi vonë.
Në shtëpi më prisnin zgjuar Nada dhe Etida, pasi Teuta ndodhej me shërbim në Zvicër, ku paralelisht kishte ndjekur dhe festuar zgjedhjen time si president i pestë i kohës së demokracisë.
E nesërmja filloi ndryshe. Nisa të shkruaj fjalimin që do të mbaja në seancën plenare ku do të bëhej betimi si president.
Ndërkohë, kërkesat për intervista vinin ngado dhe urimet vinin nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.
24 korriku ishte dita e ceremonisë së betimit dhe marrjes së detyrës nga presidenti Moisiu. Prezenca në Parlament ishte e plotë.
Lozhat ishin me të gjithë ambasadorët e akredituar në Shqipëri.
Opozita kishte vendosur të respektonte zgjedhjen dhe të bashkëpunonte me presidentin e ri, duke dhënë shenja të qarta se “betejën” nuk do ta kishin me presidentin, por siç do ta tregonte koha, ajo do të bashkëpunonte muaj më vonë me kryeministrin për të ndryshuar sistemin dhe rregullin e emërimit të deputetëve.
Pas betimit dhe fjalës së rastit iu drejtova Presidencës, ku më priste presidenti Moisiu, i cili në mënyrë tepër miqësore më dorëzoi dosjen e çështjeve që kishte në ndjekje dhe pas një bisede të shkurtër iu drejtuam Pallatit të Brigadave për ceremoninë e marrjes së detyrës dhe pritjen presidenciale.
Kishin ardhur të gjithë dhe kjo më gëzoi, duke më dhënë mundësinë që pa asnjë paragjykim njerëzor, do të isha president i të gjithëve.
Në mbrëmje, pas pritjes zyrtare, kisha ftuar në mjediset e shtëpisë sime private Sali Berishën dhe Fatos Nanon, në shenjë mirënjohjeje për çfarë ishte arritur.
Në orët e para në zyrë fillova të marr telefonatat e urimit, ndër të cilat kujtoj urimin e veçantë telefonik të Sekretares së Shtetit të SHBA-së, zonjës Condolesa Rice, e cila foli dhe në emër të presidentit Bush, të cilin e kisha pritur në Rinas më 10 qershor të atij viti dhe me të cilin do të takohesha gjatë detyrës sime disa herë.