Nga: Marsel Lela
‘Mbrotja e Teatrit është një kauzë, jo numër’. Këto fjalë të Besnik Mustafajt e përshkruajnë më së miri frymën e qëndresës së mbrojtësve të Teatrit Kombëtar. Kjo është një kauzë për çdo qytetar shqiptar artdashës, që e do Teatrin bashkë me historinë e tij dhe të ajkës së artit dramatik shqiptar, që kanë ecur në atë skenë prej 80 vjetësh.
Por në kandarin e kryeministrit Edi Rama ata që rëndojnë më shumë janë numrat. Ai i ka konsideruar minorancë aktorët dhe qytetarët që protestuan kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, ndërsa për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që protestoi krah tyre, tha se ‘nuk shkon kurrë në Teatër, edhe pse bën teatër me gjithçka’.
Duket se kryeministri i sheh në minorancë të gjithë përveç vetes dhe, me gjasë, kështu do të vazhdojë t’i shohë, edhe pasi të mos jetë më në krye të ekzekutivit.
Ai madje sheh në minorancë vetë shqiptarët dhe sa herë mendimet e tyre nuk përkojnë me mendimet e tij, ata kthehen në ‘shpellarë’, ‘alpinë’, e turlilloj termash të tjerë që gëlojnë nga fjalori ngjyrashumë i kryeministrit.
Rama ka një problem me të kuptuarit e fjalës ‘minorancë’. Nëse do ta kuptonte vërtetë, do të shihte se minoritari i vetëm në këtë histori është ai.
Mjafton të përmendim vetëm dy raste.
Së pari, ai është në minorancë ndaj vetë vendit të tij. Shumica e shqiptarëve nuk dolën të votonin më 30 qershor duke bërë një akt refuzimi të mirëfilltë të pushtetit. Nuk ka rëndësi nëse opozita hiperbolizon duke futur te refuzuesit edhe emigrantët. Sidoqë të jetë, refuzimi ndodhi dhe pikërisht prej tij KQZ e qeverisë ende nuk ia ka dalë të ‘balancojë buxhetet e shifrave dhe të shpallë rezultatin përfundimtar.
Kjo tregon se pushteti me të cilin Rama kërcënon mbrojtësit e Teatrit Kombëtar, artistë, qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës, nuk është pushteti i shumicës dhe nuk është sovrani ai që flet nëpërmjet gojës së tij.
Një ‘shumicë’ të tillë, kujtojmë, Enver Hoxha e pati për gati gjysëm shekulli.
Së dyti, Edi Rama është në minorancë edhe në habitatin e tij të preferuar, rrjetet sociale. Sipas Twitter Audit Report, shumica e ndjekësve të kryeministrit Rama në këtë rrjet social janë profile false.
Konkretisht, tabelat e TAR që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale tregojnë se 108.708 janë ndjekës realë, ndërsa 227.848 janë profile të rremë. Pra, 2 nga 3 ndjekës të Ramës në rrjetet sociale janë të rremë.
Sa i përket qesëndisjes ndaj kreut të opozitës, se ky i fundit është hera e parë që shkon në Teatër, zhvillimet e sotme i kanë dhënë një tjetër drejtim figurës së Lulzim Bashës.
Mbase, për Bashën mund të jetë hera e parë që shkel në Teatër, por ai sot doli në skenë si aktori kryesor i gjithë kësaj ‘drame’ që luhet prej gati një viti. Nga sot ai është ‘garanti’ i Teatrit Kombëtar duke marrë mbi supe një kontratë me artistët dhe qytetarët.
Nëse ai do ta përfundojë këtë dramë si një Makdaf apo një Jago, është në dorën e tij, por Rama duket se ka zgjedhur të luajë vetëm një rol, atë të Neronit.
Perandori i çmendur i Romës, që mendonte se ishte artist, nuk e pëlqente madhështinë e ‘qytetit të përjetshëm’, dhe kërkoi ta rindërtonte atë sipas shëmbëlltyrës së tij. Për këtë ai dogji qytetin dhe ia hodhi fajin të krishterëve, që ishin minoranca e asaj kohe në Romë. Por nuk vonoi shumë që, për shkak të arrogancës së perandorit, kësaj minorance iu bashkua i gjithë kryeqyteti i perandorisë, duke i dhënë fund pushtetit të Neronit./Politiko