Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ndodhet në Tiranë. Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin “Skënderbej”, në një koncert falas për të gjithë qytetarët. Takimin e parë në Tiranë e mbajti për studentët e Liceut Artistik.
Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Rita Ora, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për t’u rikthyer me një koncert madhështor në kryeqytet.
Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, në mbrëmjen e 6 shtatorit, për të festuar Tiranën si Kryeqytetin Europian të Rinisë 2022. Hyrja do të jetë falas për të gjithë. E shoqëruar edhe nga nëna e saj Vera Ora dhe kryebashkiaku Veliaj, ajo ndau me të rinjtë detaje për koncertin që do të mbahet në 6 shtator dhe u shpreh e entuziasmuar me ndryshimet që ka pësuar qyteti i Tiranës.
Rita Ora zhvilloi një bisedë, në formë pyetje-përgjigje, me të rinjtë e pranishëm në sallën e Liceut Artistik, me të cilët ndau eksperiencën e saj si këngëtare, dhe sa punë e mund duhet për ta realizuar ëndrrat.
“Kur ju rriteni do të takoni njerëz që do t’ju frymëzojnë të bëni diçka, të tjerë do t’ju thonë se nuk do t’ia dilni dot dhe kjo mund t’ju bëjë të humbni besimin. Por, duhet të fokusoheni te vetja juaj dhe të mos i dëgjoni çfarë thonë të tjerët. Duhet t’i provoni atyre se janë ata që e kanë gabim. Kjo më ka bërë mua të eci përpara”, tha ajo.