Rezistenca ndaj shtypjes -nga James M. Kushiner

Dante Parlani ishte 107 vjeç kur u intervistua në dokumentarin ‘My Italian Secret 2014’, i cili tregon historinë e italianëve që fshehën hebrenjtë nga nazistët. Dante ishte i qartë dhe i artikuluar, me një kujtesë të jashtëzakonshme.

Para luftës, Italia nën fashistët nuk i persekutoi hebrenjtë. Por pas një vizite në Itali të Hitlerit në 1938-ën, ato u pajisën me “ligje të reja për mbrojtjen e racës”. Policia u pajis me listat e banorëve hebrenj dhe dokumentet zyrtare shënonin ‘njerëz të racës hebraike’. Sidoqoftë, hebrenjtë nuk u dëbuan ose u dërguan në kampe përqendrimi, por jetuan nën kufizime të rënda.

Por gjërat ndryshuan pesë vite më vonë, pas dorëzimit të forcave italiane ndaj Aleatëve në Siçili në Shtator 1943. Musolini ra dhe Italia u nda, me veriun e pushtuar nga nazistët, mbështetur nga fashistët italianë, dhe jugu i hapur për forcat aleate të mbështetura nga monarkistët dhe antifashistët.

Dante jetonte në Città di Castello (“Città Castello”) në Italinë qendrore nën pushtimin gjerman në 1943. Në kamera, ai u shoqërua nga Ursula, një grua e moshuar hebreje, e shpëtuar në 1943-ën nga Imzot Benjamin Schivo, i cili e fshehu atë dhe nënën e saj në një manastir. Ajo i tha Dantes se ishte shpëtuar jo vetëm nga Imzoti, por nga i gjithë qyteti. Ai konfirmoi: “Shumë njerëz ndihmuan”. Ajo e pyeti: “Aty në Umbria, pse njerëzit nuk patën frikë të ndihmonin hebrenjtë?” Kushdo që kapej duke fshehur hebrenjtë mund të ekzekutohej. Ai u përgjigj, sikur përgjigja të ishte e vetëkuptueshme: “Ishin qenie njerëzore, është një jetë njerëzore. Shpëtimi i një hebreu … në vend që ta shikosh të vdesë …” zëri i tij dobësohet. “Ka momente për të cilat mund të flasin vetëm ata që i jetojnë. Një gjë është të lexosh historinë, gjë tjetër është ta jetosh “.

Një gjë është të lexosh për rezistencën dhe krejt tjetër ta përjetosh atë. Si përgatitesh për të qenë trim? Mbase guximi i Imzot Schivos ishte ngjitës? Guximi mund të përhapet.
Roma, sigurisht, u pushtua gjithashtu nga nazistët, të cilët filluan të viheshin pas hebrenjve më 16 tetor 1943.

Piero Terracina kujton me gjallëri kalvarin e tij si adoleshent. Babai i tij e dërgoi për cigare në një dyqan; më pas, papritur, babai i tij erdhi e kapi duke i thënë: “Shkojmë!” Vrapuan për në shtëpi dhe babai i tij i tha që gjermanët po mblidhnin hebrenjtë.

SS-ët kishin një listë të emrave të të gjithë hebrenjve. Nuk kishte ku të fshihej, por babai i Pieros njihte një portier, i cili i tregoi një apartament bosh dhe i dha çelësat. Portieri më pas fshehu gjyshërit e Pieros në banesën e tij. Fshehja e hebrenjve mund t’i kushtojë jetën por familja e Pieros arriti të fshihej për muaj të tërë.

Më 7 Prill 1944, gjatë Pashkës, ndërsa Piero dhe familja e tij ishin ulur në vaktin e Pashkës, dy agjentë të SS-ëve trokitën në derë dhe i urdhëruan të dilnin jashtë. Ata ishin denoncuar nga një fashist italian i cili kishte parë motrën e madhe të Pieros që blinte përgatitjet për vaktin e Pashkës atë mëngjes. Spiuni u përpoq ta ‘kapte” vajzën, por u refuzua nga ajo dhe e ndoqi. Nazistët paguanin 5,000 lireta për informacionin mbi hebrenjtë.

Piero, prindërit dhe gjyshërit e tij u dërguan në Aushvic-Birkenau. Kur zbriti nga treni, Piero pa nënën e dhe vrapoi për ta përqafuar. Ai kujton se i ndjente lotët e saj në fytyrën e tij. Rojet SS u afruan me qen dhe shkopinj. Ajo u tha atyre: “Ikni! Ikni!”,atëherë ai u kthye nga i biri dhe i tha: ” Nuk do të të shoh më kurrë”. Piero rënkoi: “Atë natë prej nënës sime, babait dhe gjyshit tim nuk mbeti asgjë veç tymit dhe hirit”.

Megjithëse u arrestua në 7 Prill 1944, Piero tregon se udhëtimi për në Aushvic filloi në 1938-ën kur u miratuan “ligjet racore”. Shteti fashist i klasifikoi njerëzit sipas racës, e cila i vendosi hebrenjtë “në skaj të humnerës”. “Indiferenca e njerëzve”, shumë prej të cilëve ishin kundër ligjeve por nuk i kundërshtuan ato, lejoi që një normalitet i ri të përkeqësohej derisa nazistët të shkonin dhe më tej dhe t’i shtynin hebrenjtë përtej greminës.

Por ashtu siç kishte pasoja për ligjet racore, kishte dhe pasoja të veprimeve të burrave dhe grave trima që kundërshtuan nazistët. Nga hebrenjtë italianë, 80% i mbijetuan luftës. Guximi bëri ndryshimin. Të lexosh për një guxim të tillë është një gjë, ta përjetosh, diçka tjetër, por duhet gjithnjë të jesh i përgatitur.

Përshtatur nga Tirana Today, marrë nga Touchstone