Pak ditë pasi Presidenti Ilir Meta bëri publike letrën që i kishte dërguar ministrisë së Jashtme duke kërkuar përgjigje për disa pika që ishin të pathëna në kërkesën që Bushati i kishte dërguar Metës për të dhënë plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë, sot bëhet me dije se MEPJ i është përgjigjur kërkesave te kreut të Shtetit.
Lajmin e bën me dije vetë MEPJ e cila në një njoftim të shkurtër për mediat, thotë:
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmon se është përgjigjur të gjitha kërkesave të Presidentit të Republikës”.
Më herët, Meta bëri publike letrën e dërguar kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm, Bushatit, me qëllim qartësimin e opinionit publik.
Në fjalën e tij, Meta tha se sjellja dhe kontributi ndaj kësaj çështje do jetë i bazuar vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila ka përcaktuar qartë rolin dhe kompetencën e presidentit në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Fjala e Metës:
Më lejoni të filloj me një deklaratë për opinion publik dhe më pas jam i hapur për çdo pyetje. Po detyrohem sot jashtë dëshirës time, të bëj publike përgjigje lidhur me kërkesën e ministrisë së jashtme me palën greke, me qëllim qartësimin e opinionit publik për këtë çështje shumë të rëndësishme.
Duke theksuar rëndësinë me çdo shtet, dua të theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për këtë marrëveshje. Është e domosdoshme të ketë transparencë të plotë në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese. Dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi ndaj kësaj çështje do jetë i bazuar vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila ka përcaktuar qartë rolin dhe kompetencën e presidentit në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Kushtetuta dhe vendimi i gjykatës kushtetuese mbi këtë çështje janë jo vetëm për presidentin e republikës, vija kyçe e detyrueshme për zbatim.Kam patur takime me të gjithë kolegët e nderuar që kanë shërbyer si presidentë para meje dhe me Kodhelin e Shehun, për t’i njohur me këtë situatë dhe për të shkëmbyer mendime.
Presidenti nuk mundet të firmosë një letër të bardhe me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sikurse është në letrën që i kam dërguar ministrit.
Nuk do doja të kisha dalë në një konferencë për këtë çështje, por për shkak të betimit tim, për respektimin e Kushtetutës jam i detyruar të marr të gjitha përgjegjësitë që përcakton Kushtetuta për këtë çështje. Presidenti nuk mund t;’i anashkalojë këto detyrime kushtetuese.
Një president që bën një shkelje të tillë nuk meriton të rrijë asnjë sekondë në detyrë. Kjo ka qenë çështja më e debatueshme në 10 vitet e fundit, qëllimi nuk ka qenë të bëjë lojë politike më një çështja kaq serioze dhe delikate.
Nënshkrimi i marrëveshjes do kontribuonte për thellimin e krizës. Edhe praktikat kanë qenë në vijim të kësaj logjike dhe të këtij përcaktimi që ka bërë GJK vetëm për këtë çështje.
Duke respektuar qëndrimin e opozitës, njëkohësish respektoj dhe qëndrimin e qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje për negociata të reja. Por dua të theksoj se ka një vendim të gjykatës Kushtetuese që është një vijë e kuqe për të gjithë. Është detyrë e Presidentit për të respektuar këtë vendim të gjykatës Kushtetuese.
Presidenti nuk synon të bëjë dhe atë rol që ia jep Gjykata Kushtetuese, pra që të ulet dhe të drejtojë bisedimet, gjë që do të tregonte mungesë besimi tek pala tjetër. Por presidenti ka për qëllim që t’i përmbahet gjykatës Kushtetuese. Presidenti nuk është ai që do të përcaktojë se kush do të shkojë aty. Të gjitha ata janë njerëz të shtetit dhe janë të besueshëm. Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë e cila ka nevojë të saktësohet.
Presidenti nuk mund të vihet para faktit të kryer nga askush, është i palodhur dhe i pagjumë për të garantuar interesin shtetëror dhe kombëtar. Demokracia dhe shteti i së drejtës janë të sigurt, vetëm kur çdo institucion njeh kufijtë e veprimit të tij dhe respekton kufijtë e çështjeve të tjera.
Nuk dëshiroja të bëja publike as letrën e presidentit drejtuar ministrisë.
Sa i takon kërkesës që ka bërë ministria, ndodhet këtu. Unë nuk kam vullnetin të bëj publike qëndrim të institucioneve të tjera. Lidhur me ligjin që thatë ju, nuk ka ligj mbi Kushtetutën dhe mbi vendimin e GJK. Presidenti është betuar për Kushtetutën, nuk është betuar për ligje apo interpretime apo teknikalitete dhe marifete, të cilat devijojnë përgjegjësitë Kushtetues të përcaktuara qartë për presidentin. Autorizimi, plotfuqi, negociata, të gjithë janë instrumente që kanë të bëjnë me delegimin e besimit që presidenti jep për mbrojtjen e interesit shtetërore. Qeveria ka të drejtë të lidhë marrëveshje edhe pa autorizimin e presidentit të Republikës. Në rast se qeverisë nuk i pëlqen ky vendim i GJK, ajo ka mundësinë ta çojë në GJK dhe të bëhet një vendim i ri që përcakton rolin e presidenti apo qeverisë në marrëveshje të tilla ndërkombëtarë, ose të bëjë votat për të përjashtuar presidentin nga përgjegjësitë e tij për një marrëveshje të tillë.
Presidenti është këtu për të bashkëpunuar me qeverinë dhe institucione të tjera, në mbrojtje të interesit shtetëror dhe kombëtar dhe në interes të forcimit të marrëdhënieve me Greqinë.
Për të mos përsëritur ato gabime që janë bërë në vitin 2009, kam një përgjegjësi sepse kjo është marrëveshje që duhet të mbyllet me sukses. Roli i negociatorëve është vendimtar.
Emrat e negociatorëve/ Mos është arritur një marrëveshje para se ajo të arrijë te presidenti?
Publikimi ka ndodhur jashtë dëshirës time, por është në përgjigje të shumë qëndrimeve apo spekulimeve që unë kam vënë re, e për të sqaruar përgjegjësitë e presidentit. Do të ishim një shtet edhe më pak seriozë, nqs nuk do të jemi të sinqertë, të hapur me partnerët për ato mundësi që ne kemi për të realizuar këtë marrëveshje.
Jemi në kohë për të garantuar një proces normal të marrëveshjes. Secili duhet të bëjë detyrën e tij dhe shpresoj të mos jetë e nevojshme të dal sërish për këtë çështje.