Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mitingun mbyllës në Vlorë, ka kërkuar votën e qytetarëve pa dallim bindjeje politike, në mënyrë që “ta çojnë tepsinë për skrap”.
Gjithashtu, Rama bëri thirrje që çdo votues të shkojë të votojë më 25 qershor për PS-në, që sipas tij të mund të ndalojë dy të këqija:
Zvarritjen e Reformës në Drejtësi dhe t’i jepet fund keqtrajtimit të qytetarëve nga zyrat e shtetit.
FJALA E RAMËS:
PS e kërkon votën këtë herë pa të tjerë në krah, ne nuk vijmë për pushtetin, por për shtetin që duam të bëjmë pa dallim për shqiptarët nga veriu në jug.
Të tjerë duan t’ju mbajnë të ndarë, për të ndarë tepsinë e pushtetit me njëri-tjetrin, unë dua t’ju mbaj të bashkuar për ta çuar atë tepsi të turpit për skrap bashkë me fuqinë tuaj.
Jemi këtë herë me popullin e Shqipërisë, pa hije nga pas dhe pa perde në sy, po s’jemi vetëm dhe kemi numrin 2: një jam unë, një je ti. Dhe duam të bashkohemi, siç thotë ajo kënga labe as për mua as për ti, por për gjithë Shqipëri.
Më 25 qershor, secili ta bëjë votën e tij si flamuri kuq e zi. Kush fshihet pas mungesës gabon dhe kush mungon në zgjedhje gabon sepse e lë të hapur shtegun e tij për të këqija që kurrë nuk do të donin të ndodhnin.
Të mungosh në votime e lë shtegun hapur për 2 të këqija të mëdha: e para është zvarritja dhe pengimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi. E dyta është e keqja e vazhdimit të avazit, të keqtrajtimit të njerëzve të zakonshëm në zyrat e shtetit qoftë për të marrë një copë letër.
Si mundet të jesh njeri i zakonshëm i këtij vendi, të të jepet mundësia e 25 qershorit dhe të mos e bësh tënden?
Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli në këta 44 muaj, nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duhet sepse duhet shumë e shumë akoma, por ama besoj unë se ne ju kemi dhënë mjaftueshëm të gjithë shqiptarëve një provë që askush para nesh nuk e dha dot kurrë: provën për të bërë shtet këtë vend./ Tirana Today