Gjatë fjalimit të tij në samitin e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama tregoi për traumën dhe dëmet që shkaktoi tërmeti i datës 21 shtator në Shqipëri. Nga foltorja e OKB-së, ai tha se shtetet duhet që të angazhohen më shumë, që të mos ta dëmtojnë planetin, dhe të parandalojnë ndryshimet klimaterike.
Ai tha ndër të tjera se shkenca ka përparuar shumë, por jo aq sa të jetë në gjendje që të përcaktojë rënien e tërmeteve përpara se të ndodhin. Ndaj ai ka apeluar që të bëhet më shumë për ndryshimet klimaterike.
“Të premten e shkuar, unë anulova udhëtimin në Nju Jork, sepse vendi im u godit nga një tërmet i fuqishëm. Vendi ka pësuar dëme serioze, por falë Zotit nuk pati viktima.
Ndërkohë, goditjet pas tërmetit po shuheshin, vendi u përfshi nga stuhi dhe shira të rrëmbyer që e bënë situatën të papërballueshme për njerëzit në nevojë. Shkenca ka përparuar shumë, por jo aq sa të jetë në gjendje që të përcaktojë rënien e tërmeteve përpara se të ndodhin.
Edhe pse kjo vlen për tërmetet, kjo nuk vlen për ndryshimet klimaterike, që mund të trajtohet në mënyra të ndryshme. Gjithsesi, asnjë vend në botë nuk është imunizuar ndaj armiqësisë së natyrës dhe as i fortë mjaftueshëm sa ti bëjë ballë”, tha Rama përpara liderëve të tjerë në samitin e OKB-së.