Kryeministri Edi Rama deklaroi sonte se ai e ka shprehur qëndrimin e tij për Teatrin Kombëtar që prej 20 vitesh.
I ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, Rama është shfaqur i vendosur për të çuar përpara projektin e ndërtimit të një Teatri të Ri Kombëtar, ndonëse opozita e ka kthyer në një kauzë çështjen e Teatrit.
Rama nuk tërhiqet nga projekti i ndërtimit të një godine të re përmes partneritetit publik-privat.
“Ky është një diskutim që unë e kam zhvilluar para 20 vjetësh dhe ka 20 vjet që ka mbetur pezull. Këtu nuk ka asgjë të re për të zbuluar. Ne nuk kemi asnjë luks dhe asnjë mundësi që të ruajmë një ngrehinë të tillë që nuk ka asnjë vlerë, në asnjë kontekst të trashëgimisë kulturore botërore dhe ta mbajmë aty si një ngrehinë të vdekur.
Çfarë gare do të bësh kur je i kondicionuar nga fakti që do të përfshish në këtë zhvillim prona që i zotëron dikush që ka emër dhe mbiemër. Ligjet e veçanta për investime të mëdha janë rutinë në vende të tjera. Ky është një investim i madh dhe nga ky investim i madh, shteti në të njëjtin vend ku ka teatrin do të marrë një teatër që do të jetë për publikun…”, u shpreh kryeministri Rama.