Kryeministri Rama, në një intervistë për gazetën italiane “Gazzetta Dello Sport”, tha se ishte arrestuar njëherë në Bolonja, pasi u revoltua ndaj një polic. Lidhur me këtë gjë, një reagim u përcoll sot nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Me anë të një komenti në Facebook, ai shprehet se Rama nuk e ka deklaruar këtë gjë në formularin e dekriminalizimit. Por Rama nuk e ka lënë në hije këtë çështje, madje ia ka kthyer me ironi.
“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?!
Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!”.