Princi Charles, në një fjalim para kombit, foli për herë të parë për pozitivitetin ndaj koronavirusit dhe përvojën e tij, të cilën ai e quajti “të çuditshme, zhgënjyese dhe shpesh të dhimbshme”, mbi të gjitha sepse nuk është e mundur të jesh në kontakt me familjen dhe miqtë dhe jeta është tërësisht e kthyer përmbys.
Mesazhi video prej mbi 3 minutash është regjistruar në Birkhall, rezidenca Skoceze e Charles, ku po kryen karantinën e tij. Ai foli me mirënjohje për personelin shëndetësor të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit:
“Në një kohë kur mjekë, infermierë dhe stafi ndihmës, të cilët formojnë skeletin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të admirueshëm, janë gjithnjë e më shumë nën stres, të ekspozuar ndaj rrezikut, ndërsa luftojnë heroikisht për të shpëtuar jetën në kujdesin intensiv dhe për të parandaluar sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e virusit, mendimet dhe lutjet tona janë me ata njerëz të mrekullueshëm, aftësitë e jashtëzakonshme të të cilëve dhe përkushtimi total dhe altruist ndaj detyrës, kujdesi për pacientët e tyre, na bëjnë shumë krenarë”.
Princi përfundoi me një mesazh shprese për subjektet e tij: “Si komb, ne po përballemi me një situatë thellësisht të vështirë, nga e cila dimë vetëm se kërcënon jetesën, aktivitetet dhe mirëqenien e miliona bashkatdhetarëve tanë. Nuk mund të themi se kur do të përfundojë, por do të marrë fund. Deri atëherë, le të përpiqemi të jetojmë me shpresë dhe me besim në veten tonë dhe te të tjerët, presim momente më të mira”.