Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një interviste nga qyeti i Vlorës ka folur për fushatën elektorale si dhe “timonin e qeverisë”.
I pyetur edhe për fushatën me dy gishta që simbolizon PD-në, Rama tha se dy gishtat erdhën dhuratë nga fati, sepse PS ka numrin dy në listën e partive në fletën e votimit.
Rama ka folur edhe për veprimin e paditjes e Unionit dhe Shoqatës së gjyqtarëve ku janë bashkuar në një padi të re kundër disa neneve specifike të Vettingut.
“Ajo që më intereson është diçka që po ndodh me reformën në drejtësi. Një tentativë, një puç për vettingun. Shoqata e gjyqtarëve ka shkuar në Kushtetuese, për një aspekt të reformës.
Si ka mundësi që këta gjykatës që shkuan dhe më parë në Kushtetuese për të goditur një ligj të reformës në drejtësi, sot si skutha kur të gjithë njerëzit janë përqendruar tek fushata apo të lehtësuar, kërkojnë ta godasin vettingun. Vettingu është tamam si temjani që tremb djallin dhe do ketë vazhdimisht përpjekje për ta bllokuar dhe i vetmi garant për reformën në drejtësi është PS”-tha Rama.
Në vijim të kësaj interviste ai foli për partitë e vogla, paketën Mcallister+, koalicionin paszgjedhor etj.
INTERVISTA
Tonet janë ulur, ju e quani kreun e opozitës djalë të mirë, por kjo klimë të le të mendosh që kjo marrëveshje është përtej asaj të 17 majit?
Unë mendoj se marrëveshja për të cilën bëra çmos është një marrëveshje që i intereson Shqipërisë. Kërkesa ime për të marrë një mandat të plotë nuk është një kërkesë për më shumë pushtet për vete. Se po te ishte kjo ne do prisnim 18 qershorin dhe Luli do priste natën për pak fresk se gjatë ditës do kishte vapë.
E kishit menduar që do bënit fushatë me dy gishtat lart?
Dy gishtat erdhën dhuratë nga fati sepse ne kemi numrin dy në listën e partive në fletën e votimit. Nëse do kishim numër tjetër do gjenim qasje tjetër. Por në këtë rast është një rastësi që më kujton Hegelin që rastësia është shpata që domosdoshmëria çan rrugën.
Nuk besoj se ka qenë largësia hegeliane, por një kurban siç është LSI?
Nuk ka lidhje kurbanesh. Unë nuk dua të bëj komente për largimet se janë larguar dhe të tjerë që nuk janë të LSI. Partitë nuk mund të jenë administratore të shtetit. Unë nuk përzihem fare me këtë proces, por në këtë rast, ajo që fitojmë nga ky proces është më e madhe. Këto do jenë të parat zgjedhje që garohet pa presion. Opozita është në garë dhe nëse populli vendos të mbajë timonin e qeverisjes dhe të reformave dhe bashkërisht të bëjmë avokatin e Shqipërisë për anëtarësimin.
Ju thoni nuk keni luftë me LSI-në por nga ana tjetër është Ilir Meta ka bërë disa deklarata. Nga Shkodra ju ka cilësuar si karagjozë, mbrëmë tha Rama vuan nga një sëmundje e pashërueshme si “mosmirënjohja”…
I kam dëgjuar shumë kohë më parë. I konsideroj pjesë të një procesi elektoral. Çdo lidership ka qasjet e veta. Nuk është ky problemi dhe nuk merrem fare me të. Merrem vetëm me një gjë që socialistët dhe demokratët të kuptojnë se ka ikur koha e zgjedhjeve me tifozllëk. Nuk mund të ndahen njerëzit si tifozë në këto zgjedhje. Fleta e votimit nuk është biletë për në stadium por moment vendimmarrje.
Aleati juaj kryesor në qeverisje thotë se ju keni manipuluar ndërkombëtarët për të marrë në kontroll drejtësinë…
Nuk më interesojnë këto fjalime apo akuza në proces elektoral. Ajo që më intereson është diçka që po ndodh me reformën në drejtësi. Një tentativë, një puç për vettingun. Shoqata e gjyqtarëve ka shkuar në Kushtetuese, për një aspekt të reformës.
Si ka mundësi që këta gjykatës që shkuan dhe më parë në Kushtetuese për të goditur një ligj të reformës në drejtësi, sot si skutha kur të gjithë njerëzit janë përqendruar tek fushata apo të lehtësuar, kërkojnë ta godasin vettingun. Vettingu është tamam si temjani që tremb djallin dhe do ketë vazhdimisht përpjekje për ta bllokuar dhe i vetmi garant për reformën në drejtësi është PS.
Kështu thotë edhe PD edhe LSI…
Kështu thonë të gjithë por ka një të mirë në këtë vend se populli është i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike. I vetmi garant për zbatimin e reformës në drejtësi është PS. Ndaj njerëzit duhet ta shohin edhe 25 qershorin si zgjedhje për të mos lejuar që reforma në drejtësi të merret peng dhe PS të mos jetë e shantazhuar.
A keni qenë i shantazhuar? Sot keni deklaruar që partitë e vogla marrin peng partitë e mëdha…
Fatkeqësia këtu është që unë flas për sistemin, vizionin e shtetit, ndërkohë që fjalët merren dhe përkthehen sikur janë për Ilir Metën. Nuk është LSI dielli dhe hëna në rrugën tonë. E kam për një sistem që është ndërtuar jo në këto 4 vjet por në 20 e kusur vite kur partitë e vogla kanë pasur akses në qeverisje si rezultat i mundësisë që i është dhënë nga vota për të kushtëzuar qeverisjen dhe me numrat e tyre kanë bërë pengmarrjen e shtetit jo të kryeministrit, jo të qeverisë. Sepse kanë marrë zyra, agjenci, inspektorate për të punësuar njerëzit e tyre. Kjo është një gjë që ka të bëjë me një sistem që nuk arrin dot t’i shërbejë njerëzve.
Ky është një sistem pervers që duhet të marrë fund për t’i dhënë mundësi Shqipërisë të bëjë shtet. Për vizionin që unë kam për Shqipërinë që duam duhet patjetër ta bëjmë këtë revolucion brenda sistemit. Për një arsye nuk është bërë kurrë sepse partitë i prek drejtpërdrejt. Ata që vendosin nuk janë kryeministrat, janë zgjedhësit.
E njëjta skemë si në 2008?
Jo, jo nuk është e njëjta gjë.
Pse ju lutët LSI-së për koalicionin?
Nuk i jam lutur në sensin e koalicionit që ndërtuam. Po ju them është sistemi dhe kërkon autonominë në timon.
Edi Rama është i oligarkisë thotë LSI-ja, keni një koment?
Është një garë elektorale, kanë zgjedhur një qasje të tillë. Ta shoshim ç’thotë populli. Unë s’jam kundër partive të vogla në sensin e pjesëmarrjes, por koalicionet duhet të ndërtohen si jashtë. Gjermania, rri në negociata të tëra me muaj për programin, kurse këtu programi kalon në plan të dytë dhe seancat bazohen për të ndarë drejtoritë.
Cili do jetë koalicioni që do ta zgjidhë këtë gjë?
Se kush do jetë koalicioni ne do lexojmë votën e qytetarëve. Kur them duam timonin, nuk them se pas zgjedhjeve nuk do ketë koalicione por ama për t’i shërbyer programeve jo për të ndarë drejtoritë.
Para 4 vjetësh ne e dinim që kishit në një program, cili është mekanizmi që do ta zgjidhë?
Mos ngatërrojmë fëmijën me ujin e pistë. Koalicioni ka bërë reforma dhe as që diskutohet dhe që nuk ishin bërë në çerek shekulli, partnerët janë krenarë, unë jam krenar, por sot është kjo sfida. Shqiptarët do vendosin.
Rikthemi pak tek marrëveshja, ka ndikim Berisha për marrëveshjen e 17 majit?
Nuk mendoj se ia vlen t’i hyjmë meritave për marrëveshjen. Marrëveshja është meritë e PS. Berisha nuk do kishte bërë kurrë përpjekjet që bëra unë.
Berisha tha se është e pamundur të negociosh me Ramën?
Unë di që e kisha qëllimin për ta bërë këtë marrëveshje dhe e bëra në momentin e duhur. Rastin ma krijuan të tjerët. Ishte rasti që mu dha dhe unë e bëra marrëveshjen.
Paketa e parë Mcallister u refuzua,po ashtu edhe Mcallister+, pastaj ju ofruat paketën Big Mac?
Unë doja një marrëveshje që të hapte kapitull të ri për Shqipërinë.
E hidhni poshtë një koalicion pazgjedhur me PD?
Deri në 25 qershor nuk mendoj asgjë përveç fitore së PS. Hyjmë në shtëpinë e çdo shqiptari dhe harrojmë flamurin e partive duke u mbështetur tek flamuri i Skënderbeut. Ne do udhëheqim.
Keni rënë në marrëveshje me PD edhe me sfondin, se ka ngjashmëri?
Kur shoh sfondin e Republikës së PD më duket si sfond i një birre. Unë kam folur për Lulzim Bashën aq sa meriton Lulzim Basha. Ai është larg të qenit gati për të marrë përgjegjësi.
Po spoti me makinën e policisë?
Ai spot është një episod i shkurtër filmik. Unë nuk vë një gjobë të vërtetë. E siç e thonë këta të reformave unë nuk kam një patentë.
Pse nuk keni një leje drejtimi?
Pasionin tonë për makinat, për ca breza e ka preferuar gjyshi. Me sa duket ai e ka ezauruar këtë pjesë. Dhe ne të familjes nuk e preferojmë drejtimin e makinës. Unë gjithmonë kam refuzuar të mësoj makinën, pasi kam shumë dëshirë që kur udhëtoj të mendoj.
Po sa i takon akuzave për shkarkimet për shkak të fushatës?
Unë merrem me vazhdimin e punës së qeverisë me vazhdimin e programit. Nuk merrem me këtë punën e aspektit elektoral. Rojet i kemi marrë nga PD. Ata merren me këtë punë.
Hera e fundit që keni mbledhur qeverinë kur ka qenë?
Para fillimit të fushatës.
Do mblidhet qeveria deri në fund të fushatës?
Qeveria vazhdon të mblidhet, është funksionale për pjesën që ka të bëjë me punët e qeverisë. Por unë do jem në fushatë.
Kur do hapen negociatat?
Ne negociata do t’i hapim sapo të mbyllen siç duhet procesi zgjedhur. Ne si opozitë dhe mazhorancë do punojmë për këtë. Nuk kemi nevojë për koalicion të madh për ta bërë këtë, mjafton të realizojmë marrëveshjen. Nëse vota do të jetë kuq e zi në 25 qershor ne do të ulemi në tryezën e negociatave në fund të këtij viti.
Lufta ndaj kanabisit është një ndër kushtet…
Lufta ndaj kanabisit do të jetë prioriteti ynë. Ne do të jemi në tryezën e negociatave me zgjedhje të pranuara, me vettingun në proces realizimi, dhe fenomenin e kanabisit drejt mbylljes.
Meta tha se rritja e LSI solli dashurinë mes Ramës dhe Bashës, dhe është i bindur në forcën e vet. Ju si mendoni?
Nuk mendoj fare sepse çka unë mendoj sa hap sytë e deri kur i mbyll për ato pak gjumë që bëj, është si do t’ia dalim që në 4 vitet e ardhshme nëse do më ndihmojnë shqiptarët me autonominë në timon, të çojmë ekonominë në 5 %. Plani ynë është shumë i qartë me programin 1 mld për rindërtim, që ka nisur, dhe do të mundësojë fillimin e punimeve për rrugën e Arbrit në pak javë, me ndërtimin e shkollave, me spitalin rajonal të Fierit, etj. Gjithë sfida është të mos lejojmë kthim prapa në reformën në drejtësi. nuk ndalem në rritjen e një partie. PS do të marrë më shumë se në 2013.
Po për shkarkimet në administratë?
Unë nuk shkarkoj askënd. Dhe nuk janë fare pjesë e këtij procesi. Kjo qeveri u krijua pikërisht për këtë gjë. U pranuan të përfshihen në qeveri një numër i caktuar rojesh elektorale. Këto roje elektorale për këtë punë kanë ardhur. Edhe zv.kryeministrja, ashtu si unë kisha propozuar më parë, është në krye të një grupi rojesh. Kur të thërrisni presidentin e zgjedhur, pyeteni për këto, dhe ai do të përgjigjet.
Ju po thoni që Shqipëria është PS?
Sot që flasim Shqipëria kuqezi përfaqësohet me dinjitet vetëm nga PS. As Basha e as të tjerët nuk mund ta përfaqësojnë Shqipërinë kuqezi.
Po pse jeni ju më të mirët?
Se gjerat që kemi bërë në nuk ishin bërë për çerek shekulli. Do të çoj tek Lungomare dhe do thuash ku jemi.
Do bëni koalicion me LSI-në pas zgjedhjeve nëse do ju duhen votat e saj?
Unë mendoj që këto zgjedhje janë me rëndësi historike sepse themelet që kemi hedhur tani kanë nevojë të konsolidohen.
Policinë e Shtetit ta bëjmë siç e kam premtuar para 4 vitesh një polici në standardet e BE-së.
Policia që të mos korrë më kanabis…
Është institucioni më i besuar i shqiptarëve sot. Shqiptarët janë më të mençur dhe mjaftueshmërisht instiktiv për të kuptuar çfarë është politikë dhe çfarë është realitet.
Do të vazhdojë Fatmir Xhafa?
Po patjetër do vazhdojë.
Pra Xhafaj do të jetë ministër pas zgjedhjeve.
Po.
Jeni gati të bëni koalicion postzgjedhor me LSI?
Është një garë që secili ka korsinë e vetë. Ne kërkojmë votën për timonin.
A jeni ju mosmirënjohës ndaj Metës?
Meta të mos harrojë votën që i dhanë gjithë deputetët socialistë për t’u bërë president. Ka jetë edhe mbas fushatës dhe është shumë e rëndësishme që kur flitet për vlera morale të mos harrojë atë qe vjen pas. Nuk jam unë që po bëj fushatë me ketë lloj fjalori dhe meqë ju e përsëritët është e padrejtë për atë që ia kanë dhënë votën atij.
Ju jeni deputet i Vlorës, hapet një zyrë këtu, “Zyra e deputetit”. Kur e keni vizituar për herë të fundit atë zyrë?
Ajo nuk është zyrë të rrijë deputeti, por është një vend takimi me qytetarët.
Flasim për lungomaren, projekti më i dukshëm në Vlorë. Çfarë përgjegjësie ndjeni që projekti nuk ka përfunduar?
Projekti është në detajet finale. Lungomare është një projekt që mjafton të shohësh, e s’ka nevojë të flasësh. Jemi krenarë që ia dhamë Vlorës këtë projekt të madh. Flasim shpesh për këto investime si kozmetike, por ato janë investime në mënyrën e të qenit të Shqipërisë europiane. Këto projekte kanë krijuar vende pune. Janë shumë punë që vijnë falë këtyre investimeve. Është një projekt i bukur në përmbajtje e jo vetëm në pamje.
A jeni i kënaqur me punën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës?
Tani, unë jam i pakënaqur me veten time e jo më për kryetarin e Vlorës. Por unë jam i kënaqur me punën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, me përkushtimin e tij, dhe me punën që ai po bën për qytetin.
Sa mandate synoni në Vlorë?
Me këto çështje merret Damiani. Unë ju siguroj se këtu do të marrim një rezultat me të mirë se në 201. Madje një rezultate më të mirë do të marrim në gjithë Shqipërinë. Unë doja të vihesha i shtati në Vlorë, por ka qenë insistimi i Gramozit që unë të mos isha i 7. Doja këtë pozicion sepse ashtu matet rëndësia e kryetarit.
Marrë nga emisioni “Studio e Hapur”