Rama kërkon 75 mandate/ Deputeti Shameti më optimist: Mund të marrim dhe 80

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti është shprehur shumë optimist për rezultatin në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka kërkuar 75 mandate, Shameti shprehet se socialistët i kanë mundësinë për të arritur edhe në 80 të tilla.

Kjo pasi sipas tij, ka pasur një ecuri pozitive në Shqipërinë e mesme dhe veçanërisht në veri të vendit.

“E shikoj shumë mirë situatën, nëse ka pasur skepticizëm për Shqipërinë e Mesme dhe veriut shikoj që është një ecuri pozitive në qarqet e Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit. Me projeksionin dhe me atë që kam biseduar me drejtues qarqesh jam i bindur që do tejkalohet numri i mandateve të 2017, nuk më duket që të variojë mes 75-80 mandate”, tha Shameti.

Nisur nga ky vetëbesim, për të cilin thotë se nuk është fantazi e tij, por analizë matematikore është i bindur që do qeverisin të vetëm, por nuk përjashton edhe mundësinë e një koalicioni paszgjedhor.