Nga: Alfred Lela
Shumë folës në Forumin e Sigurisë së Beogradit, në panelet e të cilit ishin edhe Catherine Ashton, Suzanne Schultz ish-ambasadore e Gjermanisë në Tiranë, tani drejtore për Ballkanin në MJ të Gjermanisë, Davis Kostelncik, zyrtar i Dash etj., pajtoheshin me faktin se Shqipërisë dhe Maqedonisë u duheshin hapur negociatat. Theksi i fjalëve të mira gjithmonë anonte nga Shkupi duke e cilësuar Marrëveshjen e Prespës një ‘ideal europian’.
Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me siguri nuk i interesojnë ngushëllimet në këtë ‘vaki’ historike, me qeverinë e tij që është ‘thyer’ te portat e Europës bashkë me turqit, maqedonët, boshnjakët dhe kosovarët. Shqiptarët janë sot në ‘geton europiane’ dhe Edi Ramës i duhet ta shpjegojë këtë ‘antarësi të parehatshme’ edhe me 6 vitet e tij në pushtet.
Integrimi është një prej shenjave të mëdha të ngecjes dhe të mënyrës së tij të qeverisjes, por nuk është e vetmja. Nëse në Europë ka një ‘enlargement fatigue’ (lodhje nga zgjerimi) në Shqipëri ka një ‘Albanian fatigue’, një stërmundim nga paumundësitë e atdheut (në një përkthim simbolik). Eksodi apo emigrimi en masse u shfaq edhe në fjalitë, përshkruese të mohimit të Po-së, e presidentit Macron i cili tha se ua liberalizuam vizat shqiptarëve, por ata u bënë kombi i dytë azilkërkues në Francë. Qeveria shqiptare i ka dyllosur veshët para kësaj vale migratore dhe, në mënyrë të papërgjegjshme, është munduar ta shpjegojë me efekte të globalizmit, ikje të shqiptarëve që jetojnë në Greqi pas krizës atje, apo edhe ‘ikje me pushime’.
Cka nuk u pranua në kursin e disa viteve dhe cka nuk u mor si masë apo hartua si program erdh’ e shtrëngua lak në qafën e procesit të integrimit. Pa përmendur këtu dramën e brendshme të ikjes, plakjes dhe pasigurisë së popullatës shqiptare. Jemi kështu në prag të dy dramave: të atyre që ikin nga atdheu për t’u integruar në shoqëri të tjera, dhe të atyre që rrinë dhe shohin se vendi i tyre nuk integrohet dot. Për faj të kujt: qeverisë apo atyre që ikin? do të ishte një pyetje cinike.
Në radhë, bashkë me mosintegrimin dhe shpërnguljen, qëndrojnë edhe standardet e sjelljes demokratike të brendshme. Ajo që opozita e artikulon prej kohësh si vjedhje dhe manipulim të votës. Kryeministri dhe të tijtë e refuzojnë hijen e kësaj akuze, megjithatë ajo e ka parë veten të bjerë dhe të ngrihet, duke marrë forma të ndryshme të cilat u trupëzuan si dosjet 184 dhe 385, ‘zbardhur’ në gazetën gjermane BILD.
Dosjet qenë nënprodukt i drejtpërdrejtë i kanabizimit të vendit, një fenomen tashmë i pranuar dhe që në finale ia ‘shpërbleu’ qeverisë me dënimin për ‘shpërdorim detyre’ të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë të duket si një vend anormal. Jo se fenomenet e përshkuara janë të pahasura nga njerëzimi dhe vendet e shumta, përfshirë këtu edhe të zhvilluarat, por se reagimi ndaj tyre e përcakton dhe ndan normalen nga anormalja. Eshtë mungesa e reagimeve adekuate që e bën të dyshuar kryeministrin dhe qeverinë e tij dhe, sa më gjatë të shtrihet në kohë mosreagimi, fija e dyshimit lidhet në qafën e Ramës si litari përreth fajtorit.
Rama duhet të nxjerrë, nga arti i munguar i menaxhimit public, kapitullin e krizës dhe të shohë aty cilat mund të jenë reagimet.
Në mendimin e këtij autori asgjë nuk zgjidhet me arna dhe me veprime gjysmake. Një Pakt Kombëtar (me opozitën) për Shqipërinë, Integrimin dhe Reformat dhe thirrje e zgjedhjeve të parakohshme kombëtare e vendore është një aksion që i përgjigjet krizës dhe e vizaton kryeministrin si patriot në politikë, jo si politikan në patriotizëm. Rama mund të presë që të shkojë drejt fundit të mandatit këmbëzvarrë dhe Basha mund të presë që të shkojë drejt Kryeministrisë duke i mbuluar kohën dhe ngjarjet me shashkat e vonesës, por Shqipëria nuk e meriton. Edhe nëse ajo e duron, elita e saj politike duhet ta tërheqë prej hunde e ta nxjerrë nga apatia e skllavit.
Rama ka shumë gjëra në dorë tash për tash, por Edi ka vetëm një: të shkojë përtej vetes dhe drejt zgjidhjes.