Pedagogu dhe shefi i Departamentit të Gazetarisë, Mark Marku ka reaguar në kulmin e debatit për reformën në arsim, duke akuzuar kryeministrin Rama për aleancë me mafien.
Në një analizë publikuar në gazetën “Panorama”, Mark Marku shkruan se Rama dhe Nikolla u tallën, përbuzën dhe denigruan anëtarët e senatit.
Teksa ndalet te takimi i Ramës me Senatin, Mark Marku shkruan:
Në reagim të qëndrimeve dhe kërkesave tona, Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, thirrën me ngut senatin e UT-së dhe bënë një mbledhje të improvizuar të tij duke u vetëshpallur kryetar të senatit dhe duke i trajtuar anëtarët e senatit ashtu siç nuk i kishte trajtuar kurrë njeri më parë: duke i tallur, përbuzur, denigruar dhe duke u mbajtur një fjalë të gjatë e të pakuptimtë për autonominë dhe lirinë akademike dhe financiare.
Zot, thashë me vete, Kryeministër që ka marrë rolin e kryetarit të senatit dhe i jep fjalën vetë kryetarit të senatit, njëherësh edhe rektorit, dekanëve, etj. dhe flet për autonomi universiteti. Enver Hoxha i bënte pak më hollë gjërat, Hitleri e Stalini, gjithashtu, Musolini po e po, edhe pse ishte publicist si Rama.
Senatorët, si në një mbledhje fronti a partie të kohës së komunizmit, që u shpjegohej se ligji ishte i mirë dhe se duhej të ndryshohej përqasja ndaj ligjit, jo vetë ligji; se gjendja është e mirë, por se ata nuk kishin sy që ta shihnin; se problemet ishin të brendshme dhe se ai do t’u priste kokat.
E shihja atë takim dhe ndjehesha fajtor se si Kryeministri, për të na frikësuar ne që ishim mbledhur si pedagogë të lirë dhe të pafrikësuar, duke u kërkuar llogari, kamxhikonte të zgjedhurit tanë, burokracinë tonë universitare të përdorur e të stërpërdorur nga politika, që kishte lejuar t’i dilte situata nga kontrolli dhe nuk kishte treguar syçeltësinë e duhur për të zhdukur çdo shenjë lirie dhe dinjiteti intelektual në universitet.