Gazetari Ylli Rakipi është i bindur se opozita (PD, LSI dhe aleatët) do t’i pamundësojnë zgjedhjet e 30 qershorit, “ndoshta fizikisht, me përplasje”. Në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, teksa foli për situatën politike, ai tha se vendi ynë është drejt një konfrontimi, dhe se të dyja palët po luftojnë fort me nervat e njëra-tjetrës.
“Realisht Shqipëria është drejt një konfrontimi. Të dy palët po luajnë fort me nervat e njëra-tjetrës. Opozita thotë nuk ka zgjedhje më 30 qershor, dhe e ka jetike.
Ndërsa mazhoranca thotë me qetësi, ne do shkojmë në zgjedhje do fitojmë partitë, etj. Opozita reale e vërtetë, se kemi edhe opozitë të opozitës, nuk do të hyjë në zgjedhje.
Nëse bie Edi Rama, opozita shkon në zgjedhje, ky është kusht thelbësor. Pa këtë kusht, opozita është e asgjësuar. Është përsëritje e shëmtuar e një super çadre”, theksoi Rakipi, ndërsa komentoi edhe se si opozita do të pamundësojë zgjedhjet, “ndoshta fizikisht, me përplasje”.