Në Kosovë akoma nuk është formuar qeveria e re, por pavarësisht se nga kush do të udhëhiqet do t’i trashëgojë çështjet e pazgjidhura të qeverisë në largim.
Kjo qeveri do të ballafaqohet me probleme të shumta, prej të cilave Demarkacioni, Asociacioni, liberalizimi i vizave, ushtria e luftimi i krimit e korrupsionit do të jenë pesë çështjet më sfiduese, të cilat prej disa vitesh nuk po zgjidhen.
Analistët politikë konsiderojnë se çështjet në fjalë mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik, jo vetëm nëpërmjet qeverisë.
Megjithatë, sipas tyre, edhe qeveria e ardhshme do të duhet urgjentisht të merret me zgjidhjen e këtyre problemeve madhore.
Nga ana tjetër, përfaqësues të blloqeve kryesore politike zotohen se do t’i zgjidhin këto probleme në momentin që do të vijnë në krye të ekzekutivit.